Ne, shqiptarët, jemi krenarë të “pandreqshëm” edhe kur jemi në fund të pusit. Për këtë arsye shpesh, pa ditur as vetë se për çfarë duhet të ndiheshim të tillë, kemi rënë e jemi zhytur hera-herës thellë në skutat më të errëta të historisë sonë.
Por kësaj here, Kombëtarja jonë e futbollit në Francë, erdhi si një dritë e fortë për të na treguar me qartësi se ku është e mira jonë dhe doemos, edhe krenaria jonë.
Për herë të parë në historinë e futbollit tonë, ne marrim pjesë në Finalet e një Kampionati Europian. Djemtë e Kombëtares kanë me këtë rast meritën se shkruan, jo vetëm fletët e ndritura të historisë së tyre, por edhe atë të shqiptarëve. Ndaj sot, edhe pse pas dy ndeshjeve të humbura, ne nuk e kemi humbur besimin dhe mbetemi krenarë, sepse tani, historia jonë është shkruar bukur dhe na mbetet veç ta shijojmë atë.
Gjithë jetën tonë deri më sot, ne shqiptarët i kemi ndjekur Finalet e Kampionateve Europiane apo Botërore të Futbollit të ndarë. Ishim tifozët e tërë botës, por jo të Shqipërisë, sepse ne nuk kemi qenë asnjëherë të pranishëm vetë aty. Kemi qenë tifozë me shumicë të gjermanëve, italianëve, anglezëve apo brazilianëve. Ziheshim e bërtisnim për ta. Ndërsa sot, jemi bërë një, sepse ne kemi çunat tanë dhe do të brohorasim vetëm për ta. Ky është tifozi i ri i Shqipërisë, që kurrë nuk ka qenë me të tilla përmasa më parë. I bukur, i sjellshëm, jo përjashtues dhe i paqtë në gëzimin e tij, aq sa u kthyem në faqet e para të gazetave europiane.
Çunat e Kombëtares së Futbollit përfaqësojnë shqiptarinë tipike. Ata vijnë nga të gjitha trojet tona e janë fëmijët e emigrantëve, e që kanë punuar kokulur, me ndershmëri, korrektësi dhe profesionalizëm. Edhe pse historia jonë e dhimbshme e represionit apo varfërisë i largoi, ata pritën dhe investuan pa u dorëzuar deri sa të vinte momenti tek Europiani dhe për të treguar se ka dritë në fund të tunelit dhe një ditë do t’ia arrinim, kur punon çdo ditë me përkushtim për të.
Kjo Kombëtare na tregoi edhe se shqiptari jo vetëm nuk e ka për turp të udhëhiqet nga një profesionist i huaj kur qëllimi është i përbashkët dhe marrëdhënia e sinqertë, por edhe provoi se arrin rezultate të larta. Në Francë, skuadra po udhëhiqet nga trajneri italian De Biazi, i cili është në kuotat më të larta në tregun europian, pikërisht për atë çfarë bëri me Shqipërinë. Me njohuritë, kulturën europiane të punës, ai diti të mbledhë dhe të nxjerrë më të mirën dhe nuk u vetizolua nga shqiptarët, por pranoi të bëhej njëri nga ne, kur mori pasaportën shqiptare. Kaq i dukshëm është shqiptari De Biazi, sa qendrën e kësaj skuadre nuk e ka vendosur vetëm te loja, por dhe te flamuri.
Së fundi, kjo Kombëtare na bëri realitet një pjesë të ëndrrës sonë europiane. Kemi dy dekada, në historinë tonë moderne, që luftojmë e humbasim shanset tona historike përgjatë procesit të integrimit në BE, por me Kombëtaren ne ishim në Europë dhe luftuam me të gjithë forcat për të thënë se ne jemi aty dhe se integrimi ynë nuk është një gabim, por një vlerë, aq sa detyruam francezët të shkruajnë me mirësi për tifozët shqiptarë “Shqiptarë, hajdeni sa herë të doni”. Humbjet në finalet e Europianit mund të të mërzisin, por kurrë nuk të çnderojnë.
Prandaj faleminderit çuna, se na bëtë jo vetëm të ndihemi krenarë, por na mësuat se pse duhet të jemi të tillë dhe se si duhet t’i bëjmë mirë gjërat tona.
P.S. Ndjesë, por nuk mund të rrinim pa e përmendur edhe një brengë që na mundon në këto ditë entuziazmi e krenarie kombëtare.
A mundet që ne shqiptarët të kemi edhe fatin e një qeverie si Kombëtarja, që të grumbullojë më të mirët që të punojë fort, kokulur, me profesionalizëm e që ndjek me përunjësi këshillat e urta të perëndimorëve për rrugën e strategjinë e duhur?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.