Ne i dashurojmë librat dhe i kërkojmë ata kudo, në libraritë e aeroporteve, në internet ndërkohë që jemi duke udhëtuar, apo në libraritë unike që ndodhen në vende të ndryshme të botës.
Ne planifikojmë udhëtime për të mësuar më shumë për letërsinë e vendeve që njihen për kulturën e tyre. Mundësitë për të bashkëvepruar me librat janë kudo dhe udhëtimet në qytete të reja janë një mënyrë e mrekullueshme për të zhvilluar imagjinatën tuaj.
Ka 42 qytete në 28 vende të ndryshme, të cilat janë pjesë e rrjetit të Qyteteve të Letërsisë nga UNESCO. Të gjitha këto qytete janë pjesë e listës sepse ato nderojnë fjalën e shkruar.
Këto qytete kanë një sërë librarish dhe bibliotekash; aty organizohen evente për letërsinë dhe botohen libra nga literatura të ndryshme. Ato promovojnë një kulturë të respektimit të formave të ndryshme të të shkruarit krijues.
Ky lloj nderimi karakterizon qytetet me një popullsi që lexon shumë, kështu që adhuruesit e librave mund të zhyten në këtë përvojë dhe të marrin me vete një pjesë të saj me vete në shtëpitë e tyre.
Pra, për të adhuruesit e të gjitha gjërave që kanë të bëjnë me letërsinë, nxirrni hartën e Europës dhe mbani shënim Qytetet e Letërsisë nga UNESCO, për të planifikuar pushimet tuaja të ardhshme mes librave emocionues.
Reikjavik, Islandë
I përfshirë në listë në vitin 2011, Reikjavik ishte vendi i parë jo-anglishtfolës që arriti të merrte këtë vlerësim. Letërsia mesjetare e vendit ruhet shumë mirë në kryeqytetin e tij. Duke rrëfyer përrallat heroike të familjeve vikinge në shekujt IX – XI, Sagat Islandeze janë të njohura në mbarë botën.
The Poetic Edda u paraqet lexuesve mitologjinë norvegjeze. Koleksioni më i rëndësishëm i dorëshkrimeve nga Skandinavia, të cilat datojnë që në shekullin XII, ruhet gjithashtu në Reikjavik. Koleksioni i Dorëshkrimeve Arnemagnean është pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s.
Edhe shkrimtarët bashkëkohorë po ndjekin gjurmët e kësaj trashëgimie. Halldór Laxness u nderua me çmimin Nobel për shkrimet e tij në vitin 1955 dhe shumë të tjerë janë nderuar me Çmimin e Letërsisë të Këshillit Nordik.
Autorë islandezë, të tillë si Yrsa Sigurdardottir, Arnaldur Indriðason dhe Lilja Sigurðardóttir, kanë tërhequr një audiencë globale me trillimet e tyre me histori krimi.
Nëse jeni në Reikjavik, vizitoni Shtëpinë e Kulturës dhe Institutin Árni Magnússon për Studime Islandeze. Nëse mundeni, vizitojeni atë në muajin përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që të keni mundësi të merrni pjesë në Book-Flood-Before-Christmas (ose jólabókaflóð).
Kjo është një traditë ku qyteti feston për librat e sapobotuar nëpërmjet organizimit të shumë aktiviteteve, të cilat mund të shihen kudo që të shkoni.
Librat janë gjithashtu dhurata më e zakontë e Krishtlindjeve në Islandë. Ka gjithashtu shumë evente të tjera për letërsinë që organizohen në këtë qytet, duke përfshirë Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Rejkjavík, i cili zhvillohet çdo dy vjet.
Kuhmo, Finlandë
Si një qytet me vetëm 8,000 banorë, Kuhmo e mori vlerësimin e Qytetit të Letërsisë nga UNESCO në vitin 2019. Ai ndodhet në pjesën lindore të Finlandës, duke shënuar kufirin e këtij vendi me Rusinë.
Qyteti i Kuhmo ka një vlerësim të thellë për natyrën dhe adhuruesit e natyrës mund të provjonë veten në peshkim, në ski, në hiking, në lundrim me kanoe ose në sporte të ndryshme dimërore. Por, një tjetër pasion i këtij qyteti finlandez është arti dhe kultura.
Kalevala është një vepër epike finlandeze, e përpiluar në vitin 1835, e cila konsiderohet si një pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar dhe kulturor të këtij vendi. Fondacioni Juminkeko i dedikohet kësaj vepre epike dhe përmban një koleksion të trashëgimisë kulturore që lidhet me të.
Ka shumë ekspozita dhe evente që organizohen gjatë gjithë vitit në këtë qytet. Qendra e Arteve Kuhmo organizon festivale muzikore dhe evente të letërsisë, duke përfshirë Festivalin e famshëm të Muzikës Sommelo dhe Festivalin e Dimrit Kuhmo.
Wroclaw, Poloni
Wroclaw është një qytet kulturor i cili ka kaluar nëpër shumë luftëra dhe pushtime. Në të ndodhen 27 universitete dhe kolegje, kështu që ky qytet tërheq shumë studentë nga e gjithë bota.
Me një rrjet bibliotekash publike që mund të përmbushin çdo interes, qyteti është një parajsë për të gjithë adhuruesit e librave. Ju gjithashtu duhet të vizitoni Institutin Kombëtar Ossolinski, i cili ka koleksionin e dytë më të madh të librave polakë.
Planifikoni vizitën tuaj në këtë qytet rreth kohës së organizimit të një prej aktiviteteve të rëndësishme të letërsisë, siç janë: Festivali Ndërkombëtar i Tregimeve të Shkurtra, Festivali Ndërkombëtar i Krimit dhe Misterit, ose Festivali Ndërkombëtar Silesius i Poezisë.
Në Wroclaw ka gjithashtu rezidenca të shumta, ku përfshihet edhe një e tillë e krijuar posaçërisht për shkrimtarët e persekutuar.
Nuk është çudi që qyteti u zgjodh gjithashtu Kryeqyteti i Librit nga UNESCO në vitin 2016.
Tartu, Estoni
Tartu është qyteti i dytë më i madh në Estoni. Universiteti i Tartu është më i vjetri në vend dhe biblioteka e tij ka plot 3.7 milionë libra. Këtij qyteti iu dha çmimi si Qytet i Letërsisë nga UNESCO në vitin 2015 dhe, në vitin pasues, u caktua gjithashtu një bursë për Shkrimtarin e Qytetit.
Një shkrimtar vendas përzgjidhet për të marrë këtë grant prestigjioz, i cili përfshin një shumë që është sa dyfishi i pagës minimale të vitit të kaluar, dhe ai u kushton kohën e tij eventeve të letërsisë që organizohen në qytet.
Tartu është përcaktuar për të qenë Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2024, kështu që qyteti universitar do të marrë masa për të organizuar një sërë eventesh, shfaqjesh, ekspozitash, koncertesh dhe festivalesh për vizitorët.
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë Tartu Prima Vista është eventi më i madh i letërsisë në Estoni, i cili tërheq rreth 10,000 adhurues të letërsisë.
Së bashku me leksionet, leximet dhe seminaret, ai gjithashtu ofron koncerte, ekspozita dhe filma gjatë natës, në respekt të formave të ndryshme të arteve krijuese. Një projekt letrar që është unik për Tartu është Poezia e Autobusit, ku shumë poezi nga autorë estonezë dhe botërorë shfaqen në të gjithë autobusët e qytetit.
Barcelonë, Spanjë
Kur mbi 50% e popullsisë së një qyteti ka një kartë për bibliotekë, atëherë me të drejtë ai mund të quhet një qytet lexuesish të etur për letërsi.
Fakti interesant është se Barcelona është një qytet i cili, jo vetëm që kënaq banorët e vet, por e përhap kënaqësinë e të lexuarit në të gjithë botën. Ajo eksporton libra katalanas dhe spanjollë në Amerikën Latine dhe në Europë.
Barcelona është një qytet që organizon evente për adhuruesit e librave gjatë gjithë vitit. Atje zhvillohen Festivali i BCNegra në shkurt, Barcelona Poesia në maj, Panairi i Librit Liber në tetor dhe Manga Barcelona në dhjetor. Dita e Shën Gjergjit më 23 prill është një festë e madhe për librat në këtë qytet, gjatë së cilës njerëzit dalin në rrugë për të blerë libra dhe trëndafila.
Ashtu si dhe Wroclaw, Barcelona është gjithashtu pjesë e Rrjetit të Qyteteve Ndërkombëtare për Refugjatët (ICORN). Ajo u ofron një leje qëndrimi dyvjeçare shkrimtarëve që janë të kërcënuar në vendet e tyre.
Një tjetër mundësi është Leja e Qëndrimit Faber, e cila është specifikikisht për krijues, shkrimtarë, përkthyes dhe shkencëtarë që kërkojnë të shkëmbejnë ide në fushat e tyre.
Angoulême, Francë
Qyteti i vjetër i Angoulême ka një dashuri të thellë për librat me ilustrime (të njohur ndryshe si “comics”). Rreth 40 minuta larg Bordosë, në këtë qytet francez ka murale të pikturuara në të gjitha ndërtesat, si dhe ndodhen rreth 200 karikaturistë që kanë zgjedhur të jetojnë këtu.
Ekziston edhe një muze i librave me ilustrime në qytet dhe ka disa aplikacione specifike që përdoren për të zbuluar artin e rrugës, teksa ecni nëpër rrugët e shtruara me kalldrëm të këtij qyteti.
Por, kjo nuk është e gjitha. Në janar, këtu organizohet Festivali Ndërkombëtar i Librave me Ilustrime, i cili sjell rreth 250,000 dashamirës të këtyre librave, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe botues.
Dublin, Irlandë
Qyteti dygjuhësh i Dublinit i ka ofruar botës shumë gjeni të krijimtarisë. Tregimet janë një mënyrë jetese këtu, dhe shumë emra të njohur si W.B. Yeats, George Bernard Shaw dhe James Joyce e kanë quajtur këtë qytet shtëpinë e tyre.
Me universitetet, libraritë dhe bibliotekat që promovojnë kulturën e leximit, adhuruesit e librit do të gjejnë këtu një vlerësim të ndërsjellë për të gjitha llojet e letërsisë.
Filloni udhëtimin tuaj në Bibliotekën Kombëtare dhe vazhdoni më tej në Teatrin Abbey. Këtu ka një qendër të dedikuar për James Joyce, e cila ofron informacione për jetën dhe veprat e shkrimtarit.
Nga ana tjetër, ju mund të mësoni procedurën e botimit të një libri në Muzeun Kombëtar të Botimit të Librave. Dhe, sigurisht, në këtë qytet ndodhen edhe bare të ndryshme ku ju mund të shkoni për t’u argëtuar, si për shembull Dublin Literary Pub Crawl.
Vende të tjera që duhet vizituar në Dublin janë urat e letërsisë, të cilat i janë kushtuar Samuel Beckett, James Joyce dhe Sean O’Casey.
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, i cili mbahet në maj, si dhe Festivali i Librit në Dublin, janë dy ngjarje të mëdha letrare që organizohen çdo vit, por pavarësisht kohës që zgjidhni për të vizituar këtë qytet, në përfundim të udhëtimit tuaj ju do të merrni me vetë patjetër disa libra nga shkrimtarët irlandezë.
Ka shumë mënyra të tjera se si qyteti nderon trashëgiminë e tij letrare dhe mbështet shkrimtarët e ardhshëm.
Programi Kombëtar i Shkrimtarëve të Rinj dhe nisma “Një qytet, një libër” (ku zgjidhet një libër rreth Dublinit çdo vit dhe organizohen aktivitete të ndryshme rreth tij) janë të rëndësishme për qytetin. Dublini ofron gjithashtu çmimin “Dublin Literary Award”, i cili shpërblen fituesin me 100,000 euro.
Utrecht, Holandë
Në vitin 2017, Utrecht u përcaktua si Qytet i Letërsisë, duke u bërë kështu qyteti i parë në Holandë që arrin të marrë këtë titull. Qyteti është i njohur për Kullën e tij Dom, kulla më e lartë dhe më e vjetër në Holandë, e cila është e dukshme nga çdo cep i qytetit.
Por, ka edhe diçka tjetër që e vendos qytetin e Utrecht në hartën e letërsisë europiane – Psalteri i Utrecht. Ky është dorëshkrimi më i rëndësishëm i periudhës së Mesjetës, i cili është bërë pjesë edhe e Regjistrit të Kujtesës Botërore, me 166 skica dhe ilustrime. Një tjetër fakt i rëndësishëm për historinë e tij është se libri i parë në Holandën Veriore është botuar në vitin 1473.
Utrecht i ka dhënë botës personazhin e Miffy (trashëgimia e Dick Bruna) dhe Muzeu Diffy duhet vizituar me patjetër nga të gjithë fansat e këtij personazhi.
Në të zhvillohen dy ngjarje të mëdha për adhuruesit e librave: Nata e Poezisë dhe Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë të Utrecht (ILFU).
Pragë, Republika Çeke
Praga ka një shpirt të vjetër letrar. Qyteti i sferave është ruajtur kaq bukur me arkitekturën e tij ëndërrimtare, me kështjellën që shfaqet në filmat e Disney, dhe me Qytetin e Vjetër mesjetar. Praga është një qytet elegant dhe, nëse shtojmë këtu dashurinë e këtij qyteti për letërsinë, pa dyshim që keni gjetur një vend të cilit nuk do të dëshironit t’i thoshit kurrë lamtumirë.
Praga mori titullin e Qytetit të Letërsisë në vitin 2014 dhe e ka nderuar atë me një program për dhënien e lejeve të qëndrimit për shkrimtarët globalë.
Këtu zhvillohen shumë festivale të librit, të tilla si Bota e Librit në Pragë dhe Festivali i Shkrimtarëve në Pragë, të cilat i mbajnë lexuesit të interesuar për letërsinë. Gjithashtu, ka plot aktivitete, evente dhe seminare gjatë gjithë vitit, të cilat janë planifikuar nga Biblioteka Bashkiake e Pragës.
Milano, Itali
Ka shumë fjalë që mund të përdoren për të përshkruar këtë qytet italian: shumëngjyrësh, magjepsës, gjallërues dhe kulturor. Sistemi i bibliotekave publike ka 25 degë, të cilat ofrojnë një koleksion prej 1,350,000 librash. Plus, ku ka më mirë sesa një autobus i lëvizshëm librash, Bibliobus, për t’i hapur rrugë një jete plot imagjinatë.
Milano ka pasur autorë tepër të shquar, që nga Alessandro Manzoni dhe Carlo Porta, e deri te Giovanni Testori dhe Maria Corti. Arkivat dhe qendrat e qytetit kanë ruajtur trashëgiminë e tyre dhe ende ka diskutime lidhur me veprat e këtyre autorëve.
Për të përjetuar plotësisht atmosferën e këtij qyteti të letërsisë, vizitojeni atë për BookCity Milano, një aktivitet treditor me takime, diskutime, shfaqje dhe lexime të librave të ndryshme. / Fodors