Libraritë janë të mëdha, madhështore, të vogla, mikpritëse ose intime, janë të veçanta, të thjeshta apo tradicionale, por i bashkon i njëjti synim, ai i ruajtjes së kulturës së të gjithë botës dhe i sigurimit të aksesit për të gjithë. Një vend ku librat jo vetëm shiten, por janë bërë pjesë e pandashme e një mjedisi që të lë pa frymë dhe flet për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Një librari në Venecia, e cila mund të jetë më e bukura në botë.
Venecia, kryeqyteti i rajonit Veneto, qyteti ku nuk ka rrugë, por kanale në të cilat pasqyrohen pallatet madhështore të Rilindjes dhe periudhes Gotike.
Pikërisht këtu, vetëm disa hapa nga Sheshi San Marco, udhëtarët mund të zbulojnë se cila është, sipas të gjitha gjasave, libraria më e bukur në botë.
Pamja që paraqitet në Calle Longa Santa Maria Formosa, në lagjen Castello, është surreale.
Ka shkallë të bëra me libra, tekste dhe vëllime të të gjitha llojeve, të vendosura brenda gondolave.
Është libraria Acqua Alta në Venecia, një parajsë për adhuruesit e leximit dhe një simbol i vërtetë i të gjithë qytetit.
Një vend unik i populluar dhe krijuar nga mijëra libra të të gjitha llojeve. Janë të reja dhe të përdorura, flasin për art dhe kinema. Por ka edhe komike, best seller dhe tekste kushtuar Lagunës së bukur.
Mes gondolave, ujit dhe magjisë: libraria Acqua Alta
E themeluar në vitin 2004 nga Luigi Frizzo, libraria Acqua Alta është bërë brenda pak vitesh një destinacion i rëndësishëm për banorët e Venecias dhe për të gjithë turistët.
E vizituar dhe e fotografuar nga të gjithë, kjo librari, që është kthyer në një pikë referimi të vërtetë për Lagunën, karakterizohet nga një atmosferë surreale dhe magjike që nuk mund të përshkruhet, por vetëm të përjetohet.
“Acqua Alta” (Batica), nga e cila vjen edhe vetë emri i bibliotekës, bëhet problem për vëllimet e ruajtura brenda dhomës.
Kështu që, pronari ka zgjedhur të përdorë gondolat dhe vaskat për të vendosur tekstet, për të parandaluar që ato të lagen dhe të dëmtohen.
Nga ana tjetër, vëllimet që nuk mund të shpëtoheshin, janë shndërruar në instalacionin me më shumë postime në Instagram të bibliotekës: një shkallë kulturore e vogël dhe tërheqëse që qëndron jashtë dhomës.
Megjithatë, librat nuk janë atraksioni i vetëm i këtij vendi të veçantë.
Mes teksteve të të gjitha llojeve, ka edhe mace që shëtisin në bibliotekë dhe që ndalen pikërisht mbi libra, për të pritur përkëdheljet e vizitorëve. / Si Viaggia