Rreth gjysma e smartphone të rinovuar të shitur në botë ishin iPhone, pasi shitjet e Apple në këtë kategori u rritën 16% në vitin 2022. Shifrat e reja shënojnë një kontrast të fortë me rëniet e vazhdueshme në dërgesat e smartphone-ve.
Firma e kërkimit të tregut Counterpoint Research, tha ditën e hënë se, tregu dytësor botëror i smartphone u rrit me 5% në vitin 2022. Rritja do të ishte më e madhe nëse shitjet e smartphone të rinovuar në Kinë nuk do të kishin pësuar tkurrje 17%.
Megjithatë, rënia në shitjet e smartphone të përdorur në Kinë ka ndihmuar Indinë të zërë vendin e parë, me rritje 19% në vit, e ndjekur nga Amerika Latine, me rritje 18% në vit.
Apple zuri mbi 49% të tregut dytësor në 2022, krahasuar me 44% në 2021, duke u bërë marka me rritjen më të shpejtë në sektorët e pajisjeve të përdorura dhe të rinovuara në nivel botëror.
Kërkesa e lartë për smartphone të rinovuar, po ndikon në shitjet e iPhone-ve të rinj dhe të ardhurat e shërbimit të Apple në shumë tregje.
Megjithatë, sipas Counterpoint, Apple ka arritur të frenojë rritjen në tregun e pajisjeve të rinovuara dhe po tërheq njerëzit të blejnë modele të rinovuara iPhone, edhe në vende ku modelet e tyre të reja janë të vështira për t’u gjetur.
Prej kohësh Apple shet modele të rinovuara të iPhone, nëpërmjet kanaleve të saj zyrtare dhe ofron një garanci të plotë njëvjeçare për baterinë dhe shtresën e jashtme të tyre, për t’i bërë ato tërheqëse për klientët.
Prodhuesi i iPhone ka marrë gjithashtu nisma të ndryshme të fokusuara në qëndrueshmëri dhe ofron përditësime të rregullta të softuerit edhe në modelet më të vjetra, duke e bërë më të lehtë për konsumatorët, që të përdorin modelet e rinovuara dhe jo versionet e tyre të reja.
Rritja e parë, veçanërisht në vendet përfshirë Indinë, ishte gjithashtu për shkak të suksesit të Apple në tregun e pajisjeve të rinovuara.
“Apple është një markë shumë ambicioze në Indi dhe iPhone-t e rinovuar u japin një pikë hyrjeje më të ulët këtyre përdoruesve që aspirojnë ekosistemin e Apple”, tha Tarun Pathak, drejtor kërkimi në Counterpoint.
Ai shtoi se, kombi i Azisë Jugore ishte ende i vogël, duke zënë rreth 15% të tregut botëror të smartphone të rinovuar.
Ndryshe nga Apple, Samsung pa një rënie në tregun dytësor, nga 28% në 2021 në 26% në 2022. Një përqindje e vogël e konsumatorëve të Android kaluan në iOS gjatë vitit, duke ndikuar në shitjet e Samsung. Tendenca do të vazhdojë edhe në vitin 2023.
Pjesa e tregut të prodhuesve për smartphone të rinovuar
Me rritjen e kërkesës për celularët 5G në tregjet botërore, 5G përbën 13% të shitjeve botërore të smartphone të rinovuar në 2022.
Potenciali i biznesit për tregtimin e smartphone të rinovuar mbetet i lartë, por oferta e kufizuar po ndikon në shumicën e tregjeve në zhvillim si Amerika Latine, Azia Juglindore, India dhe Afrika.
Importet nga tregjet e zhvilluara si SHBA, Europë dhe Japoni janë ulur, pasi ato duhet të kujdesen për kërkesat e tyre.
Një pjesë e madhe e konsumatorëve parapëlqenin blerjen e smartphone premium dhe flagship, në tregun e pajisjeve të rinovuara në vitin 2022, duke rezultuar në një rritje të çmimeve mesatare të shitjes në tregun dytësor.
Megjithatë, rritja e konsiderueshme në çmimet e modeleve të reja – jo vetëm në rastin e iPhone, por në përgjithësi – duket se po i shtyn klientët për të blerë më shumë telefona të rinovuar. Faktorët makroekonomikë, që ndikojnë në bizneset dhe vendet e punës, po e bëjnë gjithashtu tregun e rinovuar të smartphone një vend të ëmbël për klientët në mbarë globin.
Firma parashikon se, rritja e tregtisë dhe zhvendosja drejt smartphone premium, mund të ndihmojë në rritjen e inventarit të smartphone të përdorur të klasës së ulët në vitin 2023.
Aktivitetet si çmontimi, logjistika, magazinimi, riciklimi dhe hedhja e mbeturinave elektronike gjithashtu ka të ngjarë të rrisin shitjet e smartphone të rinovuar këtë vit. / TechCrunch+