Furnizimi me energji elektrike këtë vit dhe në vijim nuk do të jetë më barrë e buxhetit, por një detyrim që kompania CEZ do ta përmbushë me fondet e saj, siç e detyron ligji. Garancinë e ka dhënë dje Administratori i CEZ-Shpërndarjes, Sahit Dollapi, në raportim të treguesve të gjashtëmujorit të parë.
Varësia e buxhetit nga energjia
Buxheti i shtetit vitin që shkoi pësoi një goditje të rëndë, me gati 100 milionë euro, që shkuan si një financim i paparashikuar për blerjen e energjisë. Kjo për shkak se çekët e CEZ-it hoqën dorë nga blerja e energjisë, ndërkohë që i thelluan humbjet në mbi 45 për qind të totalit që u hodh në rrjet. Fierza u boshatis dhe për dy muaj me radhë qeveria mori përsipër financimin e importit të energjisë, duke u detyruar të heqë edhe kufirin e borxhit publik 60 % me një projektligj të posaçëm. Mirëpo tani kur kompania CEZ drejtohet nga shteti, situata nuk paraqet më rreziqe të tilla. Administratori Dollapi ka pohuar se importi i humbjeve tashmë është i garantuar nga fondet e kompanisë, ndërkohë që po shlyhen edhe detyrimet e tjera të prapambetura të CEZ-it, për të cilat kishte hyrë garant qeveria. Nga ana tjetër rezerva hidrike është gati e paprekur, si një garanci më shumë për të furnizuar vendin të paktën deri në mbylljen e vitit. Ministri Bode pat thënë vitin që shkoi se energjia u shndërrua në rrezikun kryesor të arkës së shtetit duke deformuar treguesit kryesorë buxhetorë, si ato të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Situacioni i borxhit
Deri më 31 dhjetor 2012 sistemi kishte të regjistruar një borxh prej 36 miliardë lekësh ose rreth 360 milionë USD. Por situata ishte më e rëndë sipas Dollapit, pasi nuk ishin përfshirë ato detyrime të vitit 2012, ende të pafaturuara dhe të papasqyruara në sistem për shkak të mungesës së rakordimit.”Për periudhën janar-qershor 2013, shlyerja e detyrimeve në total është rreth 218 milionë USD. Nga këto janë 130 milionë USD shlyerje të detyrimeve të vjetra, që i përkasin periudhës 2011-2012 dhe janë rreth 87 milionë të tjera shlyerje detyrimesh të reja për vitin 2013”, – ka sqaruar Dollapi në një raport për Entin Rregullator. Shlyerja e detyrimeve të vjetra dhe të reja ndaj KESH-it dhe OST-së, të cilave CEZ-Shpërndarje u ka likuiduar përkatësisht rreth 67 milionë USD dhe rreth 23 milionë USD. Gjatë kësaj periudhe, bazuar në menaxhimin eficent të kompanisë është bërë e mundur edhe shlyerja e detyrimeve të vjetra për importimin e energjisë në shumën e rreth 39 milionë USD”, – vuri në dukje Dollapi. Ai tha se nga janari dhe deri tani, CEZ-Shpërndarje nuk ka akumuluar asnjë borxh për energji importi dhe se të gjitha detyrimet prej rreth 14 milionë USD janë shlyer në kohë. Ndërsa shpenzimet jo rentabël të kompanisë kanë rënë nga 19 milionë dollarë në 8 milionë USD. Pasi ka sqaruar situacionin në të cilin ndodhet kompania, ai ka garantuar se furnizimi normal i konsumatorëve me energji është i sigurt. Për muajin gusht do të importohen 200 milionë kilovat/orë, me qëllim mbulimin e humbjeve në rrjet. Një masë e tillë do të garantojë furnizim pa ndërprerje gjatë stinës së nxehtë dhe nuk do të vendosë në rrezik rezervat hidrike në hidrocentralet më të mëdha në vend. Importi i humbjeve tashmë është i garantuar nga fondet e kompanisë, ndërkohë që po shlyhen edhe detyrimet e tjera të prapambetura të CEZ-it, për të cilat kishte hyrë garant qeveria. Nga ana tjetër, rezerva hidrike është gati e paprekur, si një garanci më shumë për të furnizuar vendin të paktën deri në mbylljen e vitit.
Blerina Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.