Greqia do të paraqesë propozime të reja për paketën shpëtuese në samitin e BE-së që do të zhvillohet të martën, në një shenjë të parë që po kërkon të angazhohet me kreditorët ndërkombëtarë, pasi votuesit hodhën poshtë me bindje në një referendum termat e propozuar për një kompromis.
Një zyrtar i qeverisë në Athinë, tha se, ashtu siç është rënë dakord në një bisedë telefonike mes kancelares gjermane Angela Merkel të hënën paradite, kryeministri grek Alexis Tsipras do të paraqesë propozime të reja në samitin e BE-së në Bkursel. Ai nuk dha të dhëna të tjera.
Lëvizja erdhi pak pasi kancelarja gjermane Angela Merkel nguli këmbë se i takonte Greqisë të tregonte se si do ta ruante vendin e saj në euro, pas Jo-së në referendum.
“Përsa i përket vendimit të djeshëm nga qytetarët grekë, nuk ekzistojnë parakushtet për një program të ri ndihme,” tha Steffen Seibert, zëdhënës i znj. Merkel, megjithëse dyert për bisedime janë gjithnjë të hapura.
“Greqia është anëtar i euros. I takon Greqisë dhe qeverisë së saj që të sillen në mënyrë të tillë që të mbeten aty,” shtoi ai. “Varet tashmë nga çfarë propozimesh do të sjellë në tryezë qeveria greke.”
Qëndrimi i ashpër i Berlinit po ndiqet nga pjesa më e madhe e liderëve të eurozonës, të cilët hezitojnë të ndërmarrin nismë për të sjellë në vete sistemin e brishtë financiar të Greqisë dhe të sigurojnë anëtarësimin e saj në euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.