Qeveria kundër masave të rrepta europiane shënoi një fitore vendimtare të dielën, teksa votuesit e mbështetën thirrjen e saj që të hidhte poshte një kompromis me kreditorët ndërkombëtarë, duke ngritur pikëpyetje serioze rreth aftësisë së saj për të qëndruar në eurozonë, shkruan Financial Times.
Kampi Jo fitoi 61.3% në çdo rajon, duke qenë një fitore e ndjeshme politike nga kryeministri grek. Por, ky rezultat ka të ngjarë ta zhysë Greqinë më shumë në krizë, teksa vendi po përpiqet të parandalojë një kolaps të sistemit financiar, që po i mbarohen paratë.
“Mandati që më keni dhënë nuk bën thirrje për një ndarje me Europën, por më jep fuqi negociuese,” tha z. Tsipras në një fjalim fitoreje, që dukej pak më e zbutur ndaj partnerëve të eurozonës, në krahasim me javët e fundit.
Por, përgjigja nga Berlini ishte e dobët. Sigmar Gabriel, zëvendës kancelari gjerman tha se Greqia kishte mbyllur derën e fundit përmes së cilës Greqia dhe Europa mund të kishin kaluar për një kompromis.
“Me hedhjen poshtë të rregullave të eurozonës … negociatat rreth programit që ka vlerë miliarda janë pak të konceptueshme,” shtoi z. Gabriel.
Jeroen Dijsselbloem, ministri holandez i financave, që kryeson komitetin e eurogrupit, paralajmëroi: “Ky rezultat është shumë keqardhës për të ardhmen e Greqisë. Në mënyrë që ekonomia greke të rimëkëmbet janë të nevojshme masa dhe reforma të rëndësishme. Ne do të presim tani për nismat e autoriteteve greke.”
Euro ra në tregtimet e hershme aziatike, teksa u publikua rezultati i referendumit, duke u nënçmuar me 0.8% në $1.1026.
Greqia nuk ka paguar këstin prej 1.6 miliardë euro ndaj FMN-së, duke u bërë ekonomia e parë e përparuar që kryen këtë veprim në historinë 71 vjeçare të institucionit.
Kreu i Komisonit Europiane, ECB dhe grupit të ministrave të financave do të zhvillojnë një konferencë telefonike të hënën.
Z. Tsipras tha se prioriteti i tij imediat ishte “rikthimi me sa më butësi që të jetë e mundur i funksionimit të sistemit tonë bankar”.
Bankave greke po u mbarojnë paratë dhe me kapitalet e kontrollit dhe nuk ka të ngjarë të hapen këtë javë, vetëm në rast se ECB miraton një rritje të huave emergjente në konferencën telefonike të hënën pasdite. ECB mund të vendosë që duhet që eurozona të garantojë borxhin grek në rast se do të vazhdojë të japë hua emergjente, ashtu siç bëri në 2012, një vendim që do të duhet të merret nga liderët.
Banka qendrore greke ka kontaktuar me drejtes të huadhënësve për të diskutuar një reduktim të mundshëm në kufirin ditor të tërheqjes së parave nga 60 € në 20 €.
Anëtarët e partisë së majtë Syriza u përpoqën të risiguronin votuesit të premten, duke pretenduar se bankat do të hapeshin të martën, pavarësisht rezultatit të referendumit.
Por vota Jo mund të thotë se negociatat me kreditorët, të cilat janë pezulluar nga vendimi i zotit Tsipras për të mbajtur referendumin, nuk mund të vazhdojnë menjëherë, apo nëse do të rifillojnë ndonjëherë.
“Një votë Jo do të jetë një rezultat shumë i vështirë për Europën,” tha Carsten Schneider, zëdhënës buxheti për Social Demokratët e Gjermanisë. “Unë nuk e di se si ne mund të gjejmë gjuhën e përbashkët përsëri.”
Banka Qendrore Evropiane mund të zgjedhë gjithashtu të përshpejtojë blerjet e borxhit të qeverisë eurozonës nën programin e saj të lehtësimit sasior nëse tregjet reagojnë keq për rezultatin e referendumit grek
Benoît Coeuré, anëtar bordi tha se ata ishin gati të bënin më shumë për të mbështetur bllokun. “Nëse do të na duhet ta bëjmë shumë, do ta bëjmë,” tha ai. “Nuk duhet të ketë dyshime për këtë.”
ECB pritet të përforcojë blerjen e aktiveve, të ndërmarrë si pjesë e programit të saj të lehtësimit sasior, në rast se rritet yield (interesi) i obligacioneve të eurozonës të shteteve anëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.