Janar-mars 2014: Eksportet e mineraleve lëndëve djegëse e energjisë shënuan rënie për herë të parë në shumë vjet. Tekstilet e këpucët rritje rekord prej 30%…..
Eksportet u rritën me 11% për periudhën janar-mars 2014, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që kanë ndikuar në 83% të rritjes, ndërkohë që grupmalli i minerale, lëndë djegëse e energji, që në tre vitet fundit ka qenë udhëheqësi kryesor i zgjerimit të ndjeshëm të eksporteve shqiptare shënoi rënie për herë të parë.
Në raport me vitin e kaluar, kur eksportet u zgjeruan me 16%, në 2014 , po ngadalësohet një ngadalësim i ritmeve të rritjes, pikërisht për shkak të performancës së dobët të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë.
Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 20.6 miliardë lekë për tremujorin e parë, duke u tkurrur me 3.5% (760 milionë lekë), teksa deri në fund të 2013-s ky tregues ishte me rritje dyshifrore. Bankers Petroleum raporton rritje të eksporteve të muajt e parë të 2014-s, ndërkohë që janë reduktuar eksportet e energjisë, si rrjedhojë e thatësirës, ndërsa dhe mineralet nuk po shfaqin rezultatet pozitive, për shkak të rënies së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Vetëm gjatë muajit mars, ky grupmall u tkurr me 13%.
Industria e tekstileve e këpucëve është ajo që ka marrë stafetën e eksporteve këtë vit, duke u zgjeruar ndjeshëm me 30% (5.1 miliardë lekë) me bazë vjetore për tre muajt e parë të vitit, për të arritur në 21.6 miliardë lekë, duke dalë sërish në grupin e parë më të eksportuar në vend, me 36% të totalit. Sipërmarrjet vendase po i gëzohen së fundmi shtimit të porosive nga partnerët italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së Mesme. Industria ka tërhequr së fundmi dhe interesin e qeverisë, që po punon për një paketë të veçantë masash nxitëse për këtë sektor.
Eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 7.36 miliardë lekë, duke ndalur ritmet e rënies, së konstatuara në pjesën e dytë të vitit të kaluar.
Grupmallrat e tjerë, ndonëse me një peshë të vogël në totalin eksporteve kanë shfaqur ecuri pozitive, ku veçohen ushqimet, pijet dhe duhani, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 27%, apo 691 milionë lekë dhe ato të “prodhime druri dhe letre), që u zgjeruan me 60%, apo rreth 880 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.