Hyperloop One, kompania e transportit futurist (në rast se e keni harruar), e cila premtonte të transportonte pasagjerë dhe mallra nga një qytet në tjetrin, në tuba të mbyllur me vakum me shpejtësi avionësh (jet) zyrtarisht mori fund, kësaj here me të vërtetë.
Sipas Bloomberg, kompania e shumëpërfolur dhe e kundërshtuar prej kohësh do të mbyllë zyrtarisht dyert më 31 dhjetor.
Elon Musk e prezantoi idenë e tij origjinale “në një dokument alfa” në vitin 2013, ku teorizoi se kabinat aerodinamike të mbushura me pasagjerë ose mallra mund të lëviznin, në stilin Jetsons, përmes tubave me shpejtësi deri në 760 milje në orë drejt dhe nga qytetet.
Ai e përshkruante si “mënyra e pestë e transportit”, në një skenar ëndrrash. Nga Los Anxhelos në San Francisko dhe nga Nju Jorku në Uashington në 30 minuta, duke ndryshuar kështu jetët tona dhe punën.
Ndërkohë që shkencëtarët dhe inxhinierët e kundërshtuan projektin si jashtëzakonisht të pamundur, ideja e Musk doli shumë e parezistueshme. Në vitin 2014, Hyperloop One mblodhi, dhe më pas i dogji, qindra miliona dollarë për të zhvilluar vizionin e tij, i cili kaloi në përsëritje të shumta gjatë viteve.
Miliarderi Richard Branson i Virgin Group solli peshën e tij financiare në kompani në vitin 2017, duke investuar 350 milionë dollarë së bashku me kompaninë e logjistikës portuale DP World me seli në Dubai, por këto para u shpenzuan shumë shpejt.
Gjatë rrugës, megjithatë, ka pasur edhe pengesa. Bashkëthemeluesi Shervin Pishevar u detyrua të japë dorëheqjen për shkak të akuzave nga disa gra, për sjellje të pahijshme seksuale.
Ndër të tjera, Branson e kritikoi me zë të lartë Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në 2018-n. Arabia Saudite e ndërpreu planin e saj me kompaninë dhe më pas Branson dha dorëheqjen si president.
Në vitin 2020, kompania kreu testin e parë me pasagjerë, me kapsulën Hyperloop, por rezultati nuk i përmbushi pritshmëritë, duke arritur vetëm 100 milje në orë. Pandemia nuk e ndihmoi shumë situatën, ku themeluesit dhe drejtuesit e braktisën shumë shpejt shoqërinë.
Hyperloop One e braktisi më pas idenë e udhëtimit të njerëzve në kapsula, duke u përqendruar te transportimi i mallrave në 2022, dhe DP World natyrisht pati një rol jo dytësor në këtë çështje.
Kompania e hoqi emrin “Virgin” nga marka e saj dhe shoqëria më pas e shkurtoi stafin prej 200 personash. Sipas Bloomberg, DP World mban sot të drejtat e pronësisë intelektuale dhe gjithë asetet fizike, duke përfshirë një pistë testimi jashtë Las Vegasit dhe të gjitha pajisjet, të cilat do të shiten, sipas Bloomberg.
Në lidhje me ëndrrën utopike, tuneli provë i Musk është transformuar në një parkim dhe sot nuk ekziston asnjë hyperloop. Boring Company po gërmon ende tunele në Las Vegas, por jo për udhëtime futuristike – përkundrazi është për Tesla-t e drejtuar nga njerëzit, që udhëtojnë me shpejtësi 35 milje në orë drejt dhe nga qendrat e konferencave.
/ Electrek