Standard & Poor’s zhvlerësoi të hënën në darkë borxhin grek në CCC- dhe paralajmëroi se “probabiliteti i daljes së Greqisë nga eurozona është tani në rreth 50%”….
Qeveria e Greqisë hyri në ditën e saj finale brenda paketës shpëtuese, duke hedhur poshtë thirrjet prej 11 orësh nga kreditorët e eurozonës për të ndryshuar drejtim. Ajo është tani në rrugë drejt mospagimit të këstit prej 1.6 miliardë eurosh që i detyrohet FMN-së dhe pa një mbrojtës financiar për herë të parë në pesë vjet.
Moskryerja e pagesës ndaj FMN-së, që e bën Athinën shtetin e parë të zhvilluar që do të ketë detyrim të prapambetur ndaj fondit, nuk pritet që të ketë një ndikim direkt në statusin e Greqisë në eurozonë; agjencitë e vlerësimit të kredisë dhe huadhwnësit e paketës shpëtuese të BE-së kanë sinjalizuar se ata nuk do ta konsiderojnë këtë mos-pagim si një “ngjarje krediti” që do të shkaktonte mospagime të tjera — një lëvizje që do ta falimentonte Athinën menjëherë.
Por, skadimi i paketës shpëtuese në mesnatë në Bruksel ka të ngjarë që të detyrojë Bankën Qendrore Europiane (ECB) të marrë në konsideratë huadhënien e saj emergjente ndaj bankave greke, e cila është e vetmja linjë jetësore që e mban sistemin bankar larg nga kolapsi.
Megjithëse ECB nuk ka të ngjarë që të presë tërësisht huadhënien, ajo mund t’u kërkojë bankave që të vënë më shumë kolateral për të marrë hua emergjente. Disa zyrtarë shqetësohen se të paktën një nga bankat kryesore të Greqisë nuk do të ketë kolateral të mjaftueshëm për të mbijetuar në rast se ECB vendos të bjerë dakord për një shkurtim.
“Dalja e Greqisë nga Eurozona, që ishte një çështje teorike, fatkeqësisht nuk mund të përjashtohet,” tha Benoit Coeuré, anëtar bordi i ECB-së përgjegjës për çështjet greke, në një intervistë për mediat franceze.
Sipas zyrtarëve të BE-së, Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, të hënën në darkë bëri një përpjekje të fundit për të bindur Alexis Tsipras, kryeministrin grek, për të ndryshuar drejtim, duke i bërë thirrje kryeministrit grek që të pranojë një ofertë finale të publikuar nga komisioni të dielën.
Z. Juncker e hodhi poshtë mundësinë për një lehtësim borxhi në rast se z. Tsipras binte dakord për kushtet e ofertës dhe bënte fushatë për një votë “Po” në referendumin e të dielës. Por, oferta e ristrukturimit të borxhit mund të jetë vetëm në linjën e marrëveshjes së mëparshme të nëntorit 2012, për të cilën z. Tsipras ka thënë shpesh që është e papërshtatshme.
Media greke raportonte të martën në mëngjes se z.Tsipras po debatonte nëse duhet të rikonsideronte ofertën. Por një zyrtar i lartë grek tha për Financial Times se një kthesë U nuk ishte në konsideratë.
“Referendumi po zhvillohet normalisht,” tha zyrtari, megjithëse ai la të nënkuptohet se Athina mund të bënte propozimet e saj më vonë të martën.
Bursat europiane, të cilat ishin më të qeta sesa të hënën, i pritën me kujdes deklaratat e medias, pavarësisht për një pritshmëri të moskryerjes së pagesës ndaj FMN-së.
Mariano Rajoy, kryeministri i Spanjës, të martën iu bashkua liderëve të tjerë të eurozonës, duke dhënë një paralajmërim të zymtë për votuesit grekë se një votë “jo” do të detyrojë vendin që të lërë eurozonën.
Ai gjithashtu argumentoi se do të ishte “mirë për Greqinë” nëse z. Tsipras, I cili po mbështet një votë “jo”, të mundej me shumicë, duke shkruar rrugën për bisedime me një tjetër qeveri në Athinë.
“Në rast se Tsipras humb referendumin, kjo do të jetë një gjë e mirë për Greqinë. Në rast se ai fiton referendumin, Greqia nuk ka alternativë tjetër përveçse të lërë euron,” tha z. Rajoy për një radio të martën.
Në një shenjë se sa me rëndësi mospagesa në afat do të ketë në tregjet financiare, Standard & Poor’s zhvlerësoi të hënën në darkë borxhin grek në CCC- dhe paralajmëroi se “probabiliteti i daljes së Greqisë nga eurozona është tani në rreth 50%”.
“në pikëpamjen tonë, vndimi I qeverisë greke për të mbajtur një referendum ndërkombëtar lidhur me propozimet e huasë të kreditorëve zyrtarë tregon se kryeministri Alexis Tsipras do t’I japë prioritet politikave të brendshme në raport me stabilitetin financiar dhe ekonomik të vendit, shërbimin e borxhit tregtar dhe anëtarësimin në eurozonë,” shkruante S&P.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.