Industria automotive ka rifilluar punën pas një ngadalësimi në muajt e karantinës, kur iu desh që të punonte me kapacitet të reduktuar për shkak të pandemisë. Qershori i ka gjetur të gjitha fabrikat hapur, madje edhe koreanojugorët e “Yura Corporation”, të cilët kanë filluar prodhimin “test” në Fier. “Forschner” po punon me kapacitet të plotë, por me turne, duke iu përgjigjur kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa “Delmon Group Albania” është optimist për vijimin, duke pritur një rritje deri në 20% për vitin 2020. “PSZ Albania” konfirmoi se edhe gjatë pandemisë ka vijuar normalisht punën, duke mos ndier luhatje. Industria, edhe pse në nivel global mbetet peng i një situate të paqartë në Shqipëri, duket se po i rikthehet normalitetit gradualisht.
Industria automotive, një mundësi për investimet e huaja
Ekspertët: Shqipëria nuk duhet të krenohet me krahun e lirë të punës
Nga Nertila Maho
Qershori filloi me lajme të mira për industrinë automotive në vend. Koreanojugorët e “Yura Corporation” njoftuan se nisën prodhimin test në fabrikën e Fierit, e cila është aktualisht në fazën e marrjes së lejeve për fillimin e përdorimit të saj. Përfaqësuesi i kompanisë për Shqipërinë, Lucas Nam, tha për “Monitor” se tashmë janë 500 të punësuar, çka përfaqësojnë 60% të planit total të punësimit për këtë fabrikë dhe se, me shumë gjasa, do të vijohet edhe më tej me rekrutimet.
Gjermanët e “Forschner”, që ndër të tjera prodhojnë pjesë për autobusët e “Benz Mercedez”, por edhe një sërë kompanish të tjera, kanë nisur punën me kapacitet të plotë, duke ju përgjigjur kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë. Për të ruajtur distancat mësohet se po aplikohen dy turne, teksa protokolli i kuq kërkon përfshirjen e një sërë elementesh për sigurinë nga tuneli i dezinfektimit e deri te maskat, dorezat e matja e temperaturës, të cilat po respektohen në mënyrë rigoroze. Pritshmëria e kompanisë gjermane për mënyrën sesi do të vijojë prodhimi gjatë vitit dhe kërkesa nga bashkëpunëtorët mbetet e paqartë, pasi edhe vetë situata vijon të mbetet peng i zhvillimeve të pandemisë.
“Delmon Group Albania”, e vendosur me një fabrikë në Elbasan, ka rifilluar punë me një pjesë të stafit, teksa pret që muaj pas muaji prodhimi të rritet dhe të bëhet edhe rikuperimi i asaj force punëtore që është lënë në pritje.
Pandemia ka vënë në vështirësi industrinë automotive globalisht, me një rënie të frikshme të shitjeve të makinave dhe me një efekt të transmetuar në të gjithë zinxhirin deri tek prodhuesit e pjesëve të thjeshta apo më komplekse.
Në një situatë të tillë, kompanitë kanë rishikuar planet e tyre të zgjerimit, në rastin më të keq, ose në atë më të mirë, i kanë lënë ato pezull.
Shqipëria po ndien efektin e zhvillimit të industrisë automotive pesë vitet e fundit, me një rritje të dukshme të eksporteve të fasonerisë së thjeshtë për automjetet, ku kryesisht përpunohen kabllo, gomina apo pjesë jo shumë komplekse. Më e fundit që po u bashkohet kompanive aktive në treg është “Yura”, e cila duket se nuk i ka ndryshuar planet e saj të investimit për Shqipërinë.
“Ne do të vazhdojmë me planin tonë fillestar të cilin e kemi bërë të ditur edhe më parë. Është e vërtetë që situata e tregut aktualisht nuk është shumë e mirë. Ne mendojmë se ndoshta edhe viti tjetër nuk do të jetë edhe aq i mirë. Por si fabrika e parë në Shqipëri, ne duam që ta realizojmë biznes-planin për të testuar fuqinë punëtore, produktivitetin, cilësinë dhe logjistikën” pohon Nam.
“Yura Corporation” solli në propozim pranë qeverisë shqiptare në vitin 2018, duke kërkuar hapjen e një fabrike dhe zgjerimin e saj në disa shkallë, çka i dha asaj mundësinë të përfitonte tokën me qira 1 euro. Sipas planit fillestar parashikohet që në sipërfaqe rreth 4.9 ha, pronë shtetërore, e njohur si “Baza e Tubove”, që ndodhet në Zhupan, Fier, ku është ngritur tashmë fabrika të punësohen rreth 600 punonjës. Vlera e investimit në këtë fazë të parë është 6,5 milionë euro.
Faza e dytë e këtij projekti parashikon një riinvestim me 13 milionë euro dhe numrin e punonjësve me 1100 vetë. Në planet afatgjata, kompania parashikon edhe hapjen e dy fabrikave të tjera në Shqipëri, me një numër total punonjësish rreth 4000 vetë. Aktualisht “Yura” operon në 12 vende të botës, me 60 fabrika në sektorin e prodhimit të sistemeve elektrike dhe pjesëve elektrike për automobila, për kompani, si: “Kia” dhe “Hyundai”, AUDI dhe “Mercedes-Benz”.
“Delmon Group Albania” pret që prodhimi në vitin 2020, edhe pse nuk do të jetë në nivelet e parashikuara para pandemisë, sërish do të jetë më mirë se viti paraardhës. Drejtori Menaxherial i kompanisë, Ertjan Çabiri, tha se ndoshta do të ketë një rritje që varion mes 10-20%, por kjo mbetet për t’u saktësuar në vazhdim.
“‘Delmon’ parashikon të ketë rritje edhe këtë vit në Shqipëri. Ndonëse synonim që të kishim rritje 100% këtë vit dhe kjo është e pamundur të arrihet, parashikojmë të kemi një rritje të lehtë në nivelet e 10-20%” pohon Çabiri. Aktualisht, prodhimi po bëhet jo me kapacitetin e plotë të fuqisë punëtore por kjo ndoshta do të ndryshojë në vijim, kur të bëhet rishikimi i planit të kompanisë mëmë lidhur me kërkesën, një proces që ndodh çdo vit.
“Një nga sektorët e prekur më rëndë nga situata e krijuar nga përhapja e COVID-19 është padyshim ai automotiv. Rrjedhimisht, kërkesa për produktet e prodhuara nga ‘Delmon’ ka pësuar rënie drastike. Muajt më të vështirë për ne kanë qenë prilli dhe maji, ku prodhimi nuk kaloi 25% të asaj që ishte planifikuar. Në qershor presim të arrijmë 50%, që është një shenjë e mirë e mirëpritur nga ne.
Kontratat nuk kanë ndryshuar në afatgjatë, por është ulur kërkesa në afatshkurtër. Sasia e inventarit është përsëri e lartë (aktualisht rreth 70 ditë inventar) por me rritjen e kërkesës, pritet të ulet drastikisht. Prodhimi i tanishëm ka të bëjë me një parashikim të kërkesës së korrikut, që përditësohet çdo javë në rritje nga klientët” nënvizon Drejtori Menaxherial i “Delmon Group Albania”.
Eksportet bien për herë të parë gjatë pandemisë, shifrat zyrtare
Pandemia preku rëndë thuajse të gjithë bizneset dhe industria automotive nuk bëri përjashtim. Fillimi i vitit dukej premtues për sektorin. Në janar-shkurt, eksportet u rritën me 22% me bazë vjetore, në raport me të njëjtën periudhë të të viti më parë. Por, pasi pandemia paralizoi ekonominë nga java e dytë e marsit, pasojat ishin të dukshme edhe për fabrikat që montojnë pjesë për industrinë automotive.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në mars-maj të këtij viti, vlera e eksporteve në grupin “Makineri dhe pajisje mekanike dhe elektrike” ku klasifikohet edhe prodhimi i industrisë automotive, ra me 15% me bazë vjetore. Si rrjedhojë për 5 mujorin, eksportet e këtij grupi u tkurrën me rreth 3%.
Muajt në vazhdim, sipas përfaqësuesve të kompanive, pritet të kenë një lloj rikuperimi, ndërkohë që fillimi i punës i “Yura”-s pritet të bëjë një lloj diference duke parashikuar që 2020 të jetë një vit më i mirë se 2019 në këtë sektor. Por si ka qenë ecuria ndër vite e industrisë automotive.
Eksportet në grupin “Makineri e pajisje mekanike dhe elektrike”, shënuan rritje dyshifrore në vitin 2019, 14.2%. Në vlerë, këto eksporte llogariten më shumë se 146 milionë euro. Ecuria e këtij grupi, vit pas viti, duke nisur nga viti 2005 e deri në 2016, është shoqëruar me luhatje të vogla, por gjithmonë me tendencë rritëse, teksa nga viti 2017, kurba rritëse ka qenë më e theksuar. Respektivisht, ajo kaloi nga 74 milionë euro në vitin 2016, në 102 milionë euro në vitin 2017, një rritje prej 37%.
Në vitin 2017, “Forschner” nisi operimin e saj në fabrikën e dytë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Po kështu, në treg prej pak vitesh operonte edhe “PSZ Albania”. Në fund të vitit 2018, në punë hyri fabrika e “Delmon”, duke rritur prodhimin në vitin 2019.
IHD jetike për ekonominë, por korrupsioni dhe burokracia mbeten problem
Rritja e Investimeve të Huaja Direkte në kohë të tillë konsiderohet si një nga elementet më të rëndësishme të rimëkëmbjes ekonomike për vendet. Për Lucas Nam, përfaqësues i “Yura Corporation” në Shqipëri, burokracia dhe korrupsioni janë aktualisht një problem që duhet të marrin zgjidhje, në mënyrë që klima e biznesit të jetë më pozitive për investitorët e huaj. Industrializimi më i lartë i Shqipërisë, sipas tij, mund të bëhet vetëm duke zgjidhur këto ngërçe.
“Ka disa probleme me burokracinë dhe korrupsionin që po i hasim tani. Mendoj që duhet të përmirësohet herët ose vonë kjo pjesë, për hir të një industrializimi më të lartë të Shqipërisë” shprehet Nam.
Konkurrenca globale për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte pritet të jetë më agresive. Për këtë, Nam sugjeron që Shqipëria të ngrejë një sistem mbështetës të Investimeve të Huaja Direkte, që të veprojë si një i vetëm, i cili bashkon jo vetëm pjesën financiare, por edhe procesin e administrimit, pra si një shërbim “one stop shop”.
Industria automotive në Europë nis rikuperimin, por priten falimentime
Shitjet e makinave të pasagjerëve në Europë shënuan për herë të parë në maj një lloj rikuperimi, pas hapjes së salloneve dhe ekspozitorëve që u mbyllën dy muaj rresht, për shkak të pandemisë. Regjistrimet e mjeteve të reja në Bashkimin Europian, pranë Shoqatës së Tregtisë së Lirë në Europë dhe në Britaninë e Madhe ranë me 57%, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky ishte maji më i keq që nga viti 1990, kur Shoqata nisi të mbante të dhënat, por që shënoi përmirësim në raport me prillin 2020, kur shitjet ranë me 78%. Ajo që mbetet e paqartë është forma që do të ketë rimëkëmbja teksa gjigantët e prodhimit të automjeteve nga “Volkswagen AG” tek “Fiat Chrysler Automobiles” po bëhen gati të publikojnë shifrat tremujore, që parashikohet të jenë më “shkatërrueset”. Në SHBA, “Ford Motors” raportoi se parashikon një humbje deri në 5 miliardë për tremujorin prill-qershor. Një tjetër sinjal pozitiv ka dhënë dhe Kina ku, për herë të parë pas një viti, shitjet kanë shënuar rritje.
Teksa shifrat e shitjeve do të duan kohë të rikthehen në periudhën para pandemisë, kompanitë e mëdha po mundohen të shkurtojnë kosto aty ku munden. “Renault” e Francës njoftoi se do të ulte numrin e punonjësve kudo në botë, kurse furnizuesi gjerman i automotives “ZF Friedrichshafen AG” parashikon shkurtimin e 15 mijë vendeve të punës.
Qeveritë europiane po mundohen që të mbajnë në këmbë industrinë me programe nxitëse, edhe pse jo të gjithë janë të targetuar në mënyrë direkte në industrinë automotive.
Gjermania, më herët zbuloi planin e saj për një paketë 130 miliardë euro, me foks te reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe subvencione te makinat elektrike, duke i lënë jashtë incentivat për makinat e tjera që u kërkuan me ngulm nga industria. Duke parë këtë formë mbështetjeje, industria automotive gjermane ka dhënë alarmin se kushtet e vështira mund të dërgojnë disa prej tyre drejt falimentit.
Kreu i furnizuesit të industrisë automotive gjermane “Continental”, Elmar Dagenhart, tha se mbështetja që po jepet për makinat elektrike është një pjesë shumë e vogël e tregut të përgjithshëm dhe përfaqëson vetëm 8% të tij. “Kjo tregon që efektet do të jenë shumë të limituara” nënvizon ai. Spanja, nga ana tjetër, bëri të ditur një program 3.75 miliardë euro të dedikuar vetëm për industrinë automotive.
“Situata e vështirë, por presim të kemi rritje deri 20% për 2020”
“Delmon Group Albania” priste një rritje 100% në vitin 2020 në raport me 2019, por situata me koronavirusin ndryshoi disi këtë projeksion. Drejtori Menaxherial i kompanisë, Ertjan Çabiri, tha në një intervistë për “Monitor” se pavarësisht se situata mbetet e vështirë për industrinë automotive në nivel global, në Shqipëri “Delmon” pret një rritje deri në 20% në fund të vitit.
Ai theksoi se tashmë ka rinisur puna në fabrikë dhe muaj pas muaji, prodhimi po vjen në rritje ndërkohë që gradualisht do të rikuperohet edhe forca punëtore që për momentin është në pritje të ndryshimit të situatës.
Si është situata në kompaninë tuaj sa i takon punës. A keni filluar me kapacitet të plotë apo të reduktuar? Sa për qind e stafit është në punë?
Një nga sektorët e prekur më rëndë nga situata e krijuar nga përhapja e COVID-19 është padyshim ai automotiv. Rrjedhimisht, kërkesa për produktet e prodhuara nga Delmon ka pësuar rënie drastike. Muajt më të vështirë për ne kanë qenë prilli dhe maji, ku prodhimi nuk kaloi 25% të asaj që ishte planifikuar. Në qershor presim të arrijmë 50%, që është një shenjë e mirë e mirëpritur nga ne.
Për t’u përshtatur me situatën, “Delmon Group Albania” reduktoi stafin me 25 punonjës në muajin prill. Këta punonjës përfituan të drejtën për pagën e luftës. Ne shpresojmë t’i riintegrojmë këta 25 punonjës, sapo të kthehet kërkesa në nivele të pranueshme. Ndërkohë, punonjësve të tjerë u kemi dhënë mundësinë të marrin lejet e zakonshme edhe si paradhënie, kur nuk kanë mjaftueshëm ditë pune, për shkak të volumeve të ulëta të prodhimit, për t’i garantuar pagën bazë.
Po nga kompania mëmë për të cilën prodhoni pjesë, a ka rishikim të kontratave për sasinë e prodhimit? A kanë nisur edhe ata punën normalisht dhe tërheqjen e prodhimit në mënyrë periodike nga ju?
Kontratat nuk kanë ndryshuar në afatgjatë, por është ulur kërkesa në afatshkurtër. Sasia e inventarit është përsëri e lartë (aktualisht rreth 70 ditë inventar) por me rritjen e kërkesës pritet që të ulet drastikisht. Prodhimi i tanishëm ka të bëjë me një parashikim të kërkesës së korrikut, që përditësohet çdo javë në rritje nga klientët.
Si e parashikon kompania mëmë ecurinë e punës në Shqipëri? Zgjerim apo reduktim të aktivitetit, flasim të paktën për vitin 2020…
“Delmon” parashikon të ketë rritje edhe këtë vit në Shqipëri. Ndonëse synonim që të kishim rritje 100% këtë vit dhe kjo është e pamundur të arrihet, parashikojmë të kemi një rritje të lehtë në nivelet e 10-20%.
Çfarë problematikash keni hasur si rezultat i situatës së COVID-19, që është një problem global? Kur flasim për problematika, kam parasysh të punësuarit, prodhimin, vonesat procedurale nga administrata (nëse ka), transporti i mallrave, lëndët e para?
Përveç problemeve të mësipërme të krijuara nga COVID-19 në nivel global nuk mund të them që kemi hasur vështirësi në nivel lokal. Kuptohet që përshtatja e biznesit dhe operimit me rregullat nuk ka qenë gjithnjë e lehtë, por masat e marra ishin qartësisht të domosdoshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.