Eksportet kanë përshpejtuar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të udhëhequra nga performanca e mirë e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë si dhe tekstilet e këpucët.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se për periudhën janar-qershor 2013, shitjet jashtë vendit rezultuan gati 117.8 miliardë lekë, me një rritje prej 17.3% në krahasim me të njëjtën periudhë, nga 16.3% që ishin ritmet vjetore të rritjes për 5 mujorin.
Dy grupmallrat kryesore, “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, “tekstile e këpucë-fason” kanë shënuar një ecuri pozitive, ndërsa “materialet e ndërtimit e metaleve ” kanë kthyer tendencën e rritjes në negative, për gjashtëmujorin, si rrjedhojë e performancës tepër negative, që filloi në maj e vazhdoi në qershor.
Eksportet e “minerale, Lëndë djegëse e energji” u rritën me 45% për janar-qershor 2013, duke arritur në 48.7 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 41% të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Pozitivisht ka ndikuar dhe eksporti i energjisë, pas rezervave të krijuara nga shirat e fillim vitit.
Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë rimarrë veten në pjesën e parë të këtij viti, pas rënies prej rreth 4% me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-qershor 2013, ato u rritën me 8.1% në 33.8 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve. Shtimi i porosive nga partnerët italianë, që po largohen nga Kina dhe Lindja e Mesme, në përpjekje për të qenë më eficientë, ka ndikuar në përmirësimin e sektorit të fasonit, ku rritjen më të madhe po e shënojnë eksportuesit e këpucëve.
Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve thelluan ritmet e rënies, duke u tkurrur me 6% me bazë vjetore në 16.8 miliardë lekë për periudhën janar-qershor, pasi ishin gjallëruar me 12% për 4 mujorin. Kjo tendencë erdhi si rrjedhojë e performancës negative të këtij grupi në maj e qershor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.