Janë publikuar imazhet e një kulle të re në Kinë që padyshim është një nga projektet më mahnitëse në planet.
Kulla-O në Hangzhou, e krahasuar me një lak të pafundmë nga projektuesit, Bjarke Ingels Group (Big), do të bëhet zyra qendrore e K&Zh për kompaninë më të madhe kineze të smartphone-ve, Oppo.
Ndërsa katet e sipërme të ndërtesës do jenë në përdorim ekskluzivisht për kompaninë Oppo, tre katet e poshtme do të jenë të hapura për publikun. Pjesa më interesante e kësaj hapësire do të jetë një oborr i mbushur me gjelbërim dhe përshkruhet nga arkitektët e saj si “një dhomë ndenjeje urbane për qytetin”. Për sa i përket vendndodhjes, kulla do të jetë midis një liqeni natyror, një parku 10,000 metra katrorë dhe një zone urbane të rajonit Yuhang të qytetit Hangzhou.
Arkitektët e kullës thonë se ajo është projektuar duke pasur në mendje diçka më shumë sesa thjesht një pamje ikonike. Ata shpjegojnë se ndërtesa ,mbi të gjitha, do të jetë në përputhje me mjedisin, e qëndrueshme nga ana ekonomike dhe sociale, si një “qytetar i përgjegjshëm”. Dhe arkitektët e kanë vendosur mirëqenien e punonjësve në krye të përparësive të projektimit.
Për të nxitur angazhimin social, një seri zonash të mbyllura në stilin e verandës do të rrethojnë katet e sipërme të ndërtesës, nën pjerrësinë e formës zero të çatisë. Këto veranda do të pajisen me ulëse ku punonjësit mund të socializohen me njëri-tjetrin dhe të shikojnë liqenin dhe parkun.
Projektuesit e kullës thonë se ata kanë menduar më tej për mirëqenien e punonjësve duke projektuar dritaret dhe këndet e mureve dhe strukturave të tjera në mënyrë që të zvogëlojnë shkëlqimin e diellit. Ndërkohë, në frontin mjedisor, thuhet se kulla është projektuar për të zvogëluar shkallën në të cilën dielli ngroh ndërtesën me 52 për qind – kjo, thonë ata, do të ulë sasinë e ftohjes artificiale që do të kërkojë ndërtesa, duke ulur ndikimin ekologjik të saj.
Hangzhou është një prej vendeve më të frekuentuara në Kinë për pushime, falë liqenit dhe kodrave përreth. Megjithatë, Bjarke Ingels Group thonë se ndërtimi i Kullës – O, do ta bëjë qytetin “një nga qendrat më të rëndësishme të kërkimit dhe zhvillimit për Oppo-n në Kinë”.
Ata thonë “Shprehja ikonike e Kullës emblematike O e krijuar nga Big plotësohet dhe përmirësohet në mënyrë të përsosur nga trupi ujor dhe peizazhi natyror dhe i bukur i Yuhang.
“Duke parë drejt të ardhmen, ne besojmë se përmes bashkëpunimit tonë, Zyra qendrore e K&Zh e Global Mobile Terminal të Oppo jo vetëm që do të jetë një përfaqësim i përsosur i identitetit dhe kulturës së markës së Oppo, por gjithashtu do të bëhet pika e referimit më ikonike në Yuhang, Hangzhou”. / Daily Mail