Intervistë me Albert Shehu, Drejtues i Departamentit të Bankingut Individual, Banka Kombëtare Tregtare (BKT)
Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka një portofol të huave të garantuara me tituj qeveritarë kryesisht në segmentin e individëve.
Albert Shehu, Drejtues i Departamentit të Bankingut Individual, thotë se BKT ka pothuaj 10 vite që ofron kredi të siguruara me kolateral Titujsh Qeveritarë, por deri më sot, kërkesa për të përdorur këtë lloj kolaterali në përgjithësi ka qenë e ulët.
Sipas tij, përdorimi i këtij lloji të kolateralit ofron avantazhe si për bankën, edhe për klientët, duke qenë se bëhet fjalë për një kolateral likuid, më të sigurt, më të lehtë për t’u vlerësuar dhe që nga ana tjetër, i mundëson klientit financim me norma më të ulëta interesi.
Sa përdoren aktualisht titujt e qeverisë si kolateral për kreditë bankare?
Titujt Qeveritarë janë një instrument investimi që për shumë vite kanë pasur popullaritet të ulët në publikun vendas, por mund të themi me siguri se kjo tendencë ka filluar të ndryshojë, veçanërisht në vitet e fundit, ku përherë e më shumë vijnë kërkesa nga ana e individëve apo bizneseve për pjesëmarrje në ankandet e organizuara nga Banka e Shqipërisë për emetimin e tyre.
Ky instrument njihet si pasuri e luajtshme dhe mund të vendoset si kolateral për kredi që mund të merren për qëllime të ndryshme.
Ndonëse, BKT ka pothuaj 10 vjet që ofron kredi të siguruara me kolateral Titujsh Qeveritarë, nuk mund të themi se kërkesa ka qenë ndonjëherë e konsiderueshme për këtë lloj kredie.
Arsyeja kryesore e kërkesës së ulët është dhe likuiditeti i lartë i Titujve Qeveritarë, e cila bën që klientët të preferojnë të përdorin fondet tashmë të investuara, në vend që të ndërmarrin procedurat për marrjen e një kredie.
Në cilat segmente të klientëve dhe kategori të klientëve janë përdorur deri tani titujt qeveritarë si kolateral?
Kryesisht ky lloj kolaterali preferohet të ofrohet nga individë, të cilët i kanë investuar kursimet e tyre në Tituj Qeveritarë me afat relativisht të gjatë, dhe që preferojnë të vazhdojnë të ruajnë investimin e kryer, ndërkohë që i lind nevoja për të kryer shpenzime të paparashikuara ose shpenzime afatgjata për qëllime të ndryshme.
Në BKT, pjesa më e madhe e kredive të dhëna me peng Titujsh Qeveritarë është drejt klientëve individë, ndërkohë që segmenti i biznesit zë një pjesë shumë të vogël.
Çfarë specifikash parashikon sigurimi i kredive, duke përdorur si kolateral letrat me vlerë dhe cilat janë ndryshimet krahasuar me llojet e tjera të kolateralit?
Titujt Qeveritarë në vetvete përfaqësojnë një mënyrë investimi nga më të sigurtat në tregun shqiptar. Si të tillë, bëjnë pjesë te llojet e kolateraleve më të parapëlqyer për Bankën nga këndvështrimi i riskut.
Arsye të tjera që shtyjnë Bankat të orientohen më shumë drejt këtij kolaterali mund të jenë:
– Titujt me vlerë janë më likuidë dhe më të lehtë për t’u vlerësuar në krahasim me tipet e tjera të pasurive.
– Janë pasuri e luajtshme që Banka mund ta marrë në posedim në momentin e lëvrimit të kredisë, përpos vendosjes së barrës siguruese mbi këtë pasuri. Kjo i jep Bankës siguri më shumë mbi këtë lloj kolaterali.
– Procedurat e ekzekutimit, në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve, janë shumë më të shpejta dhe me më pak kosto në krahasim me tipet e tjera të kolateraleve apo garancive të ofruara.
Kjo reflektohet në normën më të ulët të interesit që kanë kreditë e siguruara me bllokim Bono Thesari/Obligacioni.
Nga ana tjetër, ofrimi i një Titulli Qeveritar për sigurimin e një kredie, implikon përdorimin e këtij titulli nga ana e Bankës, në momentin që klienti nuk performon në ripagimin e kredisë.
Vlera e tregut e Titujve Qeveritarë është subjekt luhatjesh të shpeshta, duke qenë se është e lidhur ngushtësisht me ndryshimin e normave të interesit, në momentin që ky titull ekzekutohet.
Ndaj, Banka kërkon që llogaritja e vlerës së kolateralit të bëhet në bazë të vlerës së tij të tregut, në momentin e analizës së kërkesës për kredi dhe jo në bazë të vlerës nominale të investuar.
Gjithashtu, duke qenë se ky instrument lëshohet nga një palë e tretë, në këtë rast nga qeveria shqiptare, pranohen si kolateral vetëm tituj që janë përfituar nga investitori me ndërmjetësimin e BKT-së si Bankë e nivelit të dytë.
Ekzistojnë aktualisht vështirësi apo problematika të lidhura me garantimin e kredive nëpërmjet kolateralit në formën e bonove ose obligacioneve?
Nga këndvështrimi i Bankës, problematika kryesore lidhet me vlerën e tregut të titullit të ofruar si kolateral. Nëse në momentin e ekzekutimit të pasurisë, vlera e tregut ka rënë nën vlerën e detyrimit që ka klienti ndaj Bankës, atëherë një pjesë e detyrimit mund të mbetet e pashlyer.
Megjithatë, për të shmangur këtë problem, përveç koeficientit të mbulimit pak më të lartë se vlera e kredisë, Banka gjithashtu ka vënë në fuqi masa parandaluese, që janë kontrollet periodike të vlerave të tregut të kolateraleve tip Obligacion/Bono Thesari.
Banka ka të drejtë që në momentin kur konstaton se vlera e kolateralit të ofruar ka rënë nën limitin e lejueshëm, të kërkojë nga klienti shtimin e vlerës së kolateralit.
Cilat mund të jenë avantazhet kryesore për huamarrësit nga përdorimi i titujve si kolateral për kreditë?
Mund të përmendim disa avantazhe kryesore:
– Plotësimi i nevojave të menjëhershme për likuiditete brenda një kohe shumë të shkurtër, pa sakrifikuar interesat e investimit të kryer.
– Zgjedhja midis metodave të ndryshme të ripagimit të principalit. Nëse zgjidhet mënyra e ripagimit me këste të barabarta mujore, ose me shuma principali të njëjtë çdo muaj, për klientin krijohet një mundësi e shkëlqyer për të investuar në një pasuri të re, duke mos prekur kursimet që tashmë janë investuar dhe gjenerojnë të ardhura shtesë.
– Afati i procesimit të kërkesës për kredi është shumë i shkurtër, kjo falë listës së reduktuar të dokumenteve që kërkohen, si dhe të procedurave të shpejta që ndiqen për bllokimin e kolateralit.
– Kostot për lëvrimin e kredisë janë shumë më të ulëta në krahasim me llojet e tjera të kredive (këtu përfshihen komisioni i disbursimit, norma e interesit, kostot noteriale, tarifat për bllokimin e titullit të ofruar si kolateral, etj.).
– Kreditë e siguruara me tituj me vlerë nuk kanë kufizime në qëllimin për të cilin do të përdoren. Madje deri në një nivel të caktuar të kredisë, nuk kërkohet të paraqitet ndonjë dokument justifikues për qëllimin e kredisë, por pranohet vetëm deklarimi sesi do të përdoren fondet e kredisë.
A shihni potenciale për përdorimin më të madh të titujve si kolateral për kreditë dhe si mund të realizohet kjo?
Duke marrë parasysh vlerën e ulët të portofolit të kredive të siguruara me këtë tip kolaterali, mendojmë se ka potencial për përdorim më të madh.
Në këtë drejtim mund të punohet më shumë për edukimin dhe informimin e klientëve mbi avantazhet dhe disavantazhet e investimit të fondeve në Tituj Qeveritarë, si dhe mbi përfitimet shtesë që mund të vijnë nga marrja e një kredie të siguruar me këtë tip kolaterali.
Për më tepër, edhe nga ana e sistemit bankar ka vend për përmirësim në drejtimin e promovimit më të gjerë të këtij lloj produkti.
Lexoni edhe:
Të marrësh kredi duke lënë “peng” borxhin e qeverisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.