Intervistë me Gabor Jandacsik, Anëtar i Bordit të Menaxhimit dhe Drejtor i Divizionit të Riskut në Bankën OTP Albania
Kërkesa për të siguruar kreditë nëpërmjet titujve qeveritarë deri tani është e paktë, por potencialet për të përdorur këtë lloj kolaterali janë në rritje.
Gabor Jandacsik, Anëtar i Bordit të Menaxhimit dhe Drejtor i Divizionit të Riskut në OTP Albania, thotë për “Monitor” se ky lloj kolaterali ka një potencial të mirë për t’u përdorur, veçanërisht për kompanitë që kanë një tepricë të mirë të kapitalit dhe një strukturë të duhur financiare për të investuar.
Sipas tij, përdorimi i titujve qeveritarë si kolateral mund të ofrojë disa avantazhe, si procedura më të shkurtra dhe më të lehta miratimi, pa pasur nevojë të kalohen hapat e vlerësimit, si dhe kushte më të favorshme për huamarrësit në krahasim me llojet e tjera të kolateralit.
Sa përdoren aktualisht titujt e qeverisë si kolateral për kreditë bankare?
Aktualisht, ne kemi një kërkesë të kufizuar të përdorimit të letrave me vlerë të qeverisë si kolateral hipotekor për kredi, si nga klientët tanë individë, edhe nga ata biznes.
Në cilat segmente të klientëve dhe kategori të klientëve janë përdorur deri tani titujt qeveritarë si kolateral?
Pritshmëritë për kërkesën e përdorimit të titujve në të ardhmen janë në rritje, në përputhje me rritjen e nivelit të investimeve si nga individët dhe kompanitë.
Është e rëndësishme të theksohet se, për klientelën tonë individ/retail, ne jemi duke punuar për të pasur një produkt të rregulluar standard.
Ndërkohë, që për segmentin e biznesit, qasja jonë është rast pas rasti, duke përshtatur zgjidhje të bazuara në kërkesat e biznesit.
Çfarë specifikash parashikon sigurimi i kredive, duke përdorur si kolateral letrat me vlerë dhe cilat janë ndryshimet krahasuar me llojet e tjera të kolateralit?
Titujt qeveritarë janë kolateral likuid nga i cili në rast mospagimi të klientit, institucionit financiar i lind e drejta të ushtrojë ekzekutim e drejtpërdrejtë, pa procedurë përmbarimore, sipas marrëveshjes së barrës siguruese.
Kreditë e kolateralizuara me tituj qeveritarë kanë padyshim shumë lehtësi për sa i përket pranimit nga këndvështrimi i huamarrësit dhe gjithashtu nga ai bankar.
Procedura më të shkurtra dhe më të lehta miratimi pa pasur nevojë të kalohen hapat e vlerësimit; kushte më të favorshme për huamarrësit në krahasim me llojet e tjera të kolateralit.
Ekzistojnë aktualisht vështirësi apo problematika të lidhura me garantimin e kredive nëpërmjet kolateralit të formën e bonove ose obligacioneve?
Nga këndvështrimi i nënshkrimit të kontratës, ekziston kuadri ligjor për të miratuar dhe për të pranuar këto kolaterale, ndërkohë që për sa i përket procesit të ekzekutimit nuk kemi të regjistruar ende asnjë rast për të dhënë një reagim të saktë.
Sfidat mund të lindin kur investimet bëhen nga një bankë dhe financimi kërkohet nga një bankë tjetër. Marrëveshjet ndërbankare janë të nevojshme për të lehtësuar aksesin në kolateral, në rast të proceseve të ekzekutimit.
Gjithashtu, luhatjet në çmimet e obligacioneve mund të ndikojnë në vlerën e kolateralit, si dhe në kërkesën e tregut.
Ndërkohë që përdorimi i obligacioneve ose bonove si kolateral ofron avantazhe, rreziqet që shoqërojnë këtë formë sigurimi të kredisë kërkon shqyrtim të kujdesshëm dhe strategji proaktive të menaxhimit të rrezikut.
Cilat mund të jenë avantazhet kryesore për huamarrësit nga përdorimi i titujve si kolateral për kreditë?
Siç e përmendëm, letrat me vlerë konsiderohen si një lloj kolaterali alternativ/i sigurt për të mbuluar kredinë dhe konsiderohet më likuide se format e tjera të kolateralit.
Në rastin e huave të kolateralizuara me letra me vlerë, huamarrësi mund të përfitojë ende nga investimi i tyre në obligacione/bono thesari, të cilat qëndrojnë të paprekura, duke përfituar nga të ardhurat e krijuara nga këto letra me vlerë ndërkohë që përdoren për të siguruar kredinë.
Kredia e kolateralizuar me letra me vlerë ka kohë më të shpejtë miratimi dhe në përgjithësi ka më pak kosto.
A shihni potenciale për përdorimin më të madh të titujve si kolateral për kreditë dhe si mund të realizohet kjo?
Po, ka një potencial të mirë për t’u përdorur veçanërisht për kompanitë që kanë një tepricë të mirë të kapitalit dhe një strukturë të duhur financiare për të investuar.
Për të kaluar në një kredidhënie më masive, bankat duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në formën e një marrëveshje për miratimin e titujve të investuar nga kompanitë që do të jepen si kolateral, nëpërmjet platformave të tyre.
Lexoni edhe:
Të marrësh kredi duke lënë “peng” borxhin e qeverisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.