Pesë muaj negociata mes Athinës dhe huadhënësve të paketës shpëtuese mund të hyjnë në fazën më kritike. Liderët ngulin këmbë publikisht se takimi i të enjtes së eurozonës është shansi më i mirë për një marrëveshje për të lëvruar 7.2 miliardë euro fonde shpëtuese, për të cilat Greqia ka nevojë në mënyrë të dëshpëruar.
Por, privatisht, zyrtarët pranojnë se shpresat e tyre që takimi i Luksemburgut të rezultojë vendimtar po zvogëlohen. Greqia ka nevojë për fonde në mënyrë që të të bëjë një pagesë prej 1.5 miliardë euro për Fondin Monetar Ndërkombëtar. Më poshtë janë disa data kyçe për muajin në vijim, të shpjeguara nga Financial Times:
E enjte 18 qershor: Shansi më i mirë për një marrëveshje
Ministrat e financave do të mblidhen në Luksemburg për takimin e tyre të rregullt, duke shpresuar për një marrëveshje. Por, Yanis Varoufakis, ministri grek i financave, që do marrë pjesë, e ka bërë të qartë se do të vijë në Luksemburg pa propozime të tjera.
Shumë zyrtarë besojnë se dështimi për të arritur një marrëveshje të enjten do e çojë situatën në një pikë kritike, me paketën shpëtuese që skadon në fund të muajit. Si rrjedhojë nuk do ketë kohë për të miratuar një marrëveshje të re.
E premte, 19 qershor: mëngjesi më pas
Ministrat e financave do të jenë sërish në Luksemburg. Por, përveçse do të ketë një ndryshim tragjik të rrethanave — për shembull një panik në treg apo radhë të gjata në bankat greke për shkak të mosarritjes së marrëveshjes së enjten- nuk do të ketë shumë për të diskutuar të premten.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, ka të ngjarë të thirret një samit emergjence të dielën.
E diel 21 qershor: Samiti i mundshëm i emergjencës
Disa zyrtarë besojnë se samiti do jetë i pavlerë nëse nuk arrihet marrëveshje me ministrat e financave. Por, zyrtarë të tjerë besojnë se kryeministri grek Alexis Tsipras, do të arrijë një marrëveshje.
22 qershor e në vijim: Skenari më i keq
Në rast se nuk arrihet marrëveshje, mund të fillojë të ndodhë skenari më i keq, përfshirë kontrollin e kapitalit për të kufizuar tërheqjet nga bankat greke dhe parandalimin e një krize totale financiare.
Në rast se fillon tërheqja e depozitave, Banka Qendrore Europiane— e cila i mban bankat greke me linjë jetësore duke miratuar hua emergjente të bankës qendrore për institucionet financiare lokale — mund të detyrohet t’i deklarojë ato me paaftësi paguese dhe të tërheqë të gjithë asistencën. Pa huatë e emergjencës, bankat greke mund të pësojnë kolaps dhe e vetmja mënyrë që ato të ringrihen është duke krijuar një bankë të re qendrore, me një monedhë të re.
Kontrolli i kapitalit mund ta ngadalësojë këtë proces në mënyrë domethënëse, duke i dhënë të dyja palëve më shumë kohë për të parandaluar një dalje të Greqisë nga eurozona. Por, në momentin që vendosen, kontrollet e kapitalit janë të vështira për t’u hequr. Qipro, e cila u detyrua të vendoste kontrolle kapitali si pjesë e paketës shpëtuese dy vjet më parë, i hoqi masat e fundit në maj. Në Islandë u deshën afër 7 vite.
30 qershor: data e përfundimit të paketës
Është data kur paketa shpëtuese përfundon dhe i duhen paguar 1.5 miliardë euro FMN-së. Pa një marrëveshje, zyrtarët thonë se nuk ka shpresë për të zgjatur programin për herë të tretë. Pa fondet e BE-së, z. Tsipras e ka bërë të qartë se nuk do e bëjë pagesën për FMN. Megjithëse teknikisht kjo nuk është një falimentim, duke qenë se rregullat e FMN-së konsiderojnë mospagim të detyrimeve, Greqia mund t’i bashkohet vendeve të tjera në zhvillim — përfshirë Kubën, Somalinë dhe Zimvbabve — që kanë detyrime të kaluara ose aktuale me FMN.
Megjithëse agjencitë e vlerësimit kanë thënë se mos pagimi ndaj FMN nuk është formalisht një falimentim, ECB do të duhet të vendosë nëse kjo nënkupton që Greqia është në thelb e falimentuar. Në rast se po, atëhere kolaterali që përdoret nga bankat greke për të marrë huatë e emergjencës — kryesisht obligacione qeveritare greke— do të ishte i pavlerë. Kjo mund të nënkuptojë që ECB do të detyrohet të presë fondet e emergjencës, çka me shumë gjasa do të shkaktonte një Grexit.
1 korrik: Territor i paeksploruar
Në rast se Greqia nuk arrin të bëjë pagesën ndaj FMN— por ECB vendos që huaja e emergjencës për bankat të vazhdojë — Greqia do të hyjë në atë që Mario Draghi, president i ECB, e ka quajtur së fundmi “territor i paeksploruar”. Me një ekonomi të mbytur nga kontrollet e kapitalit, një qeveri pa para dhe sistem banker që varet nga ndihma jetësore, Greqia mund të fillojë një process mbytjeje.
Disa zyrtarë të eurozonës besojnë se kjo situatë mund të çojë në zemërim popullor ndaj Tsipras dhe qeveria e tij të bjerë dhe mund të ketë ose zgjedhje të reja, ose një qeveri e bashkuar si ajo e Lucas Papademos në fillim të 2012, për të pastruar rrëmujën.
20 korrik: Goditja finale
Kjo mund të jetë goditja finale: data kur ECB i duhen paguar dy obligacione me një vlerë prej 3.5 miliardë euro.
Megjithëse agjencia vlerësuese Standard & Poor’s tha se nuk do ta konsiderojë një dështim për të paguar këto obligacione një paaftësi të plotë paguese — ajo tha se mospagimi i obligacioneve që mbahen nga kreditorë privat përbën një faliment në llogaritë e tyre — do të ishte virtualisht e pamundur për Greqinë të mbijetojë në eurozonë, në rast se nuk paguan ECB.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.