Microsoft lë pas Apple si kompania me vlerën më të lartë në botë, pasi prodhuesi i iPhone e nisi 2024 me rezultatin më të keq të viteve të fundit, për shkak të rritjes së problemeve me kërkesën.
Aksionet e Microsoft, shoqërisë me seli në Redmond, Uashington, u rritën me 1.5%, duke i dhënë shoqërisë një vlerësim tregu prej 2,888 trilionë dollarë.
Apple ishte 0.3% më ulët, me një kapitalizim tregu prej 2,887 trilionë dollarë, hera e parë që nga viti 2021 që vlerësimi i saj ka rënë nën atë të Microsoft.
Aksionet e kompanisë me seli në Cupertino, Kaliforni, ranë me 3,3% në janar, që nga mbyllja e fundit, krahasuar me një rritje prej 1.8% në Microsoft.
Dobësia e Apple vjen pas një seri uljesh të vlerësimit që kanë shkaktuar shqetësime se shitjet e iPhone, do të mbeten të dobëta, veçanërisht në tregun e madh në Kinë.
“Kina mund të jetë një frenë e ecurisë në vitet e ardhshme” – deklaroi shoqëria e brokerimit Redburn Atlantic të mërkurën, duke theksuar se konkurrenca e kompanisë në rritje Huawei dhe tensionet kino-amerikane kanë rritur presionin tek Apple.
Aksionet e Apple, kapitalizimi i tregut të së cilës arriti kulmin në 3.081 trilionë dollarë më 14 dhjetor, e mbyllën vitin e kaluar me fitime prej 48%.
Kjo ishte më e ulët se rritja prej 57% e regjistruar nga Microsoft, që ka prezantuar, në mënyrë agresive, mjete të fuqizuara nga genAI, falë lidhjes me prodhuesin e ChatGPT OpenAI.
Microsoft e ka marrë disa herë, për pak kohë, udhëheqjen ndaj Apple si kompania me vlerën më të lartë në botë, – hera e fundit u shënua në 2021, kur shqetësimet për mungesat në zinxhirin e furnizimit të shkaktuara nga pandemia goditën çmimin e aksioneve të prodhuesit të iPhone.
/ Reuters