Pjesa e parë
Sektori i bujqësisë në Shqipëri zë 19 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndonëse prodhimi i produkteve nuk plotëson as 50 % të nevojave të konsumit.
Ky vit, për fermerët, u konsiderua i pazakontë dhe rezultoi me humbje të mëdha. Mundi i tyre është kalbur në depo dhe një pjesë ka përfunduar i hedhur në rrugë, apo kanale në Lushnjë. Fermerët thonë se, me çmimet aktuale që shesin produktet nëpër pikat e grumbullimit, janë të humbur.
Ekspertët e sektorit sugjerojnë prodhimin bujqësor të planifikuar dhe studim të tregut.
Fermerët e Lushnjës kultivojnë kryesisht perime për eksport. Përballë pamundësisë për mbijetesë, ashtu si produktet, edhe ata do të largohen jashtë Shqipërisë.
Pjesa e dytë
Përballë nevojës dhe dëshirës, për të bërë një investim, shpeshherë është dera e një banke. Dilema qëndron se në cilën monedhë duhet ta kërkojmë këtë kredi, në raport me të ardhurat personale mujore. Kur jemi më të pambrojtur prej riskut?
Sipas konsulentëve bankarë, alternativa më e mirë është marrja e kredisë në të njëjtën monedhë në të cilën individi ka edhe të ardhurat mujore personale.
Kredia në të dyja rastet ka risqet e veta, por më të ekspozuar jemi në rastin e kredisë në valutë të huaj, kur të ardhurat janë në lekë, pasi atë që fitojmë nga interesi mund ta humbasim nga luhatjet e kursit të këmbimit. Zhvlerësimi i Lekut do të rriste këstet mujore të individëve apo bizneseve.
Gjithsesi, bankat hartojnë alternativën më të mirë për klientin. Normat e interesit aktualisht variojnë deri në 4 %, ndërsa financimi shkon deri në 80 % të vlerës së investimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.