Kompanitë teknologjike prezantuan në Consumer Electronics Show (CES, 9 – 12 janar) në Las Vegas, pajisje të pazakonta dhe inovacione të reja, nga jastëkët e pajisur me Inteligjencë Artificiale, të cilët zvogëlojnë gërhitjen te pasqyrat që zbulojnë humorin tuaj, televizorët transparentë, shoqëruesit e pajisur me ChatGPT etj.
Më poshtë është një tablo e disa prej pajisjeve më interesante të prezantuara këtë javë.
Shoqëruesit IA
Shoqëruesit e pajisur me IA janë një nga tendencat më të mëdha që u shfaqën këtë vit në panair.
Loona, një robot që bën shoqëri, i ngjashëm me një qen, me çmim 380 dollarë, spikati. Ai është i pari robot në botë me teknologjinë ChatGPT të përfshirë, i cili i lejon përdoruesit të bisedojnë dhe të ndërveprojnë me pajisjen. Njerëzit mund të luajnë lojëra me të, t’i japin komanda ose ta përdorin si një monitor të lëvizshëm në shtëpi.
Në CES u prezantua edhe Rosie, roboti shoqërues me dy këmbë i LG, i cili ngjan më shumë me një asistent IA. Ai ka aftësinë të ndihmojë në punët e shtëpisë, duke u integruar me pajisjet e LG-së dhe duke u kujtuar njerëzve të marrin ilaçet.
Samsung solli në këtë panair robotin Ballie, i prezantuar për herë të parë në CES të vitit 2020, i cili është azhurnuar.
Pajisja mund të ndjekë përdoruesit në të gjithë shtëpinë për t’iu përgjigjur telefonatave, për të ushqyer kafshët shtëpiake dhe për të projektuar filma dhe videothirrje në dysheme ose mure.
Robotë për punë të pajisur me IA
Përtej pajisjeve shoqëruese, këtë vit IA është përfshirë në thuajse të gjithë elektroshtëpiaket dhe pajisjet që mund të imagjinohen. Ka p.sh. robotë që kositin barin dhe pastrojnë borën. IA ka gjetur hapësirë edhe në pajisjet e pazakonta.
Pasqyra për shëndetin mendor Baracoda zbulon gjendjen shpirtërore dhe ju thotë pohime të përditshme për t’ju bërë të ndiheni më mirë.
Një tjetër pajisje që spikati në CES 2024 është Holobox, që i lejon njerëzit të flasin me të tjerët në pjesë të ndryshme të botës nëpërmjet një hologrami, duke krijuar përshtypjen se jeni pikërisht aty në të njëjtën dhomë.
IA gjeneruese përfshin të tjera shërbime
Përveç pajisjeve, kompanitë kanë ndarë vizionin e tyre mbi një të ardhme të orientuar nga Inteligjenca Artificiale.
Walmart deklaroi se po eksperimenton një instrument të kërkimit gjenerativ të Inteligjencës Artificiale për përdoruesit iOS, që do t’u mundësojë të bëjnë pyetje se cilët produkte të blejnë për raste të veçanta.
Amazon dha disa informacione se si disa nga zhvilluesit e saj po integrojnë IA gjeneruese me asistentin e saj zanor, Alexa, duke përfshirë mënyrën se si përdoruesit mund të bisedojnë tani me persona të ndryshëm, duke përfshirë figura historike, nëpërmjet shërbimit chatbot Character.ai.
Edhe prodhuesit e chip-ave Nvidia dhe AMD prezantuan procesorë që përqendrohen te suporti i aftësive të avancuara të IA.
Por ndoshta, disa nga njoftimet më befasuese mbi Inteligjencën Artificiale kanë ardhur nga shtëpitë automobilistike. Volkwagen deklaroi se gjatë vitit do t’u shtojë ChatGPT gamës së makinave të saj.
“Kjo mund të jetë e dobishme në shumë nivele gjatë një udhëtimi me makinë. Pasurimi i bisedave, sqarimi i pyetjeve, ndërveprimi me një gjuhë intuitive, marrja e informacionit specifik për automjetin e shumë të tjera – thjesht me duart e lira”, tha kompania në një njoftim për shtyp.
Edhe Mercedes Benz njoftoi synimin për të përmirësuar përvojën zanore në makinë, duke përdorur Inteligjencën Artificiale gjeneruese.
“Teknologjia zanore është përballur me vështirësi, jo sepse ishte një ide e keqe, por sepse mungonin aftësitë – deklaroi Dipanjan Chatterjee, analist në Forrester Research. – Inteligjenca Artificiale gjeneruese e ka ndryshuar gjithë këtë.
Zbatimi që të lë pa mend për teknologjinë e zërit është në makina, sepse nuk mund të ketë një rast më të keq për të përdorur duart tuaja për ndonjë gjë tjetër, përveç drejtimit të makinës.
Më shumë azhurnime te makinat
Në CES janë shfaqur më shumë inovacione makinash se në pjesën më të madhe të salloneve të makinave. Më shumë se kurrë është bërë një vend për shtëpitë automobilistike që duan të shihen si lider në teknologji dhe jo vetëm si shtëpi automobilistike.
Honda njoftoi linjën e re të makinave elektrike që mbështeten në paketa baterish më të holla se shumica e atyre që përdoren sot.
Shtëpia automobilistike vietnameze, VinFast, që ka pasur disa vështirësi të hyjë në tregun amerikan, prezantoi një model të vogël elektrik pick-up dhe një SUV elektrik, shumë të vogël.
VinFast zbuloi edhe teknologjinë e re që mund të rregullojë automatikisht pasqyrat e pamjes së pasme të makinës sapo të uleni.
TV transparentë
Nuk do të quhej CES pa disa inovacione të mëdha televizive.
Këtë vit, Samsung befasoi me ekranin e parë MicroLED transparent në botë, që ngjan më shumë si një fletë xhami lundruese.
Edhe LG prezantoi modelin e ri OLED Signature T, një ekran transparent 77 inç. LG është një ndër liderët e parë në sektorin e televizorëve transparentë; një nga prototipat bëri bujë në panairin e 2020.
“Ka gjithnjë diçka që lidhet me televizorët që bën pak zhurmë në panair dhe këtë vit bëhet fjalë për modelet transparente” – deklaroi Jon Erensen, analist i shoqërisë së kërkimeve të tregut, Gartner.
“Do të shohim sa të kushtueshëm do të jenë e si do të përdoren. Është një teknologji mjaft interesante, por pyetja është se sa praktikë do të jenë për konsumatorët, nëse do të përdoren në shtëpi apo në përdorime më inovative jashtë saj”.
Pajisjet shëndetësore dhe wearable bëhen më inteligjente
Shëndeti, bukuria dhe teknologjia wearable prej kohësh janë pjesë në panairin CES dhe as ky vit s’bëri përjashtim.
Pajisja BeamO e Withing, mjaft e vogël për t’u futur në një xhep, është një mjet kontrolli në shtëpi që përmban një stetoskop, një oksimetër, një EKG dhe një termometër. Ajo i lejon njerëzit të kenë akses në parametrat jetësorë, ndërsa janë në lëvizje dhe t’i ndajnë me mjekët në kohë reale gjatë takimeve të teleshëndetit.
Ndërkohë, një jastëk i ri rregullon pozicionin e kokës së një personi që fle, nëse lëvizjet e vogla tregojnë se ai mund të gërhijë.
Për njerëzit me probleme me dëgjimin, EssilorLuxottica prezantoi një prototip të syzeve të tij Nuance Audio, të pajisura edhe me aparate dëgjimi të integruara. Në një komunikatë për shtyp, CEO Francesco Miller i përkufizoi zgjidhjet për dëgjimin “një treg ende të padepërtuar”, me potencialin për të “përmirësuar jetën e më shumë se 1 miliard personave”.
Edhe pajisjet tradicionale të monitorimit të shëndetit po ndryshojnë. Evie, një unazë për monitorimin e shëndetit, i ngjan më shumë një bizhuterie se pajisjeve të ngjashme të pranishme në treg. Ajo gjurmon gjumin, hapat dhe jep një tablo të përgjithshme të shëndetit.
Një qafore e pajisur me IA e quajtur Minitailz gjurmon vendndodhjen e qenve dhe maceve, por monitoron edhe parametrat jetësorë të tyre në kohë reale, duke i vënë në dijeni pronarët për çdo problem të mundshëm shëndetësor.
Ndikimi i Apple
Edhe pse mungoi sërish në CES, Apple bëri bujë këtë javë duke njoftuar kufjet e realitetit të përzier Vision Pro.
“Nuk është e pazakontë që Apple bën ‘zhurmë’ edhe pse nuk merr pjesë në CES, deklaroi Jitesh Ubrani, analist i shoqërisë së kërkimeve të tregut, IDC. – Prezantimi i kufjeve Vision Pro, ka shumë të ngjarë të ketë ndikim pozitiv në të gjithë sektorin, pasi Apple sjell ndërgjegjësim si askush tjetër.”
Sony, për shembull, prezantoi një kufje për realitetin e përzier që mund të kontrollohet me një unazë inteligjente, ndërsa Qualcomm zbuloi një procesor të ri Snapdragon për kufjet e realitetit virtual.
/ CNN