Hirushja i kishte këpucët prej kristali. Madridi ka një pallat të tërë, një ndërtesë brenda së cilës shpalosen flora, fauna, historia dhe bukuria. Pikërisht në kryeqytetin e Spanjës, në qytetin e gjallë dhe elegant të bulevardeve të mëdha, kopshteve dhe parqeve të harlisur.
Në një nga këto parqe po shkojmë sot, nga më të famshmit dhe simbol i qytetit. Këtu, në brigjet e një liqeni artificial brenda Parkut Buen Retiro gjejmë një nga monumentet arkitekturore më të bukura dhe tërheqëse në të gjithë Madridin, Pallatin e Kristalit (Palacio de Cristal).
Struktura, e realizuar tërësisht në metal dhe xham në shekullin XIX, është një shembull i mrekullueshëm i stilit viktorian. Funksioni i tij i hershëm ishte që të mirëpriste një nga ekspozitat më të rëndësishme të florës në botë.
Na ishte një herë Pallati i Kristalit
Ishte viti 1887 kur u përurua Pallati i Kristalit në Madrid, sot një nga monumentet më të fotografuara të qytetit, i projektuar nga Ricardo Velázquez Bosco, për t’u bërë serrë për një specie bime ekzotike dhe të çmuar, të importuar nga Filipinet.
I frymëzuar nga Crystal Palace në Londër, i realizuar me rastin e Ekspozitës së Madhe vite më parë, ndërtesa spanjolle u ndërtua pikërisht me qëllimin për të pritur ekspozitën e madhe floristike, e cila më pas do të çmontohej dhe zhvendosej diku tjetër.
Por Pallati i Kristalit, siç e quajnë madrilenët, ka mbetur gjithnjë aty, dje dhe sot, duke na lejuar të shohim bukurinë, jashtë dhe brenda. Serra e jashtëzakonshme transparente, e realizuar në xham dhe çelik, ndodhet brenda Parkut Buen Retiro, në bregun e një liqeni artificial, i cili është sfondi ideal për momente romantike dhe përrallore.
Atmosfera që përjetohet brenda dhe jashtë është idilike. Me muret dhe tavanet tërësisht prej xhami, i gjithë gjelbërimi i harlisur i parkut duket se hyn direkt në strukturë, duke u bërë mjedisi i përsosur për ekspozitat që mbahen periodikisht brenda ndërtesës.
Çfarë të bëni dhe të shihni në Pallatin e Kristalit
Sot, Pallati i Kristalit në Madrid është shndërruar në një vend ku flora, fauna dhe arti bashkëjetojnë dhe të magjepsin. Hyrja në strukturë, pavarësisht shfaqjeve apo ekspozitave, është një përvojë që të lë pa frymë.
Kur dielli shndrit lart në qiell, rrezet e tij depërtojnë brenda strukturës, duke krijuar lojëra dritash, reflektimesh dhe ngjyrash që do t’ju lënë pa fjalë. Ky xhevahir arkitekturor rrethohet nga më shumë se 100 hektarë gjelbërim.
Pallati i Kristalit u restaurua në vitin 1975 duke i rikthyer lavdinë e mëparshme. Herë pas here, dyshemeja mbulohet me një shtresë të hollë uji – vizitorët ftohen të ecin brenda pa këpucë dhe të admirojnë reflektimet e strukturës që bien pikërisht nën këmbët e tyre.
/ Si Viaggia.it