Samsung Electronics Co Ltd raportoi të premten një rënie të mundshme prej 96% të fitimeve operative në tremujorin e dytë, kryesisht në linjë me parashikimet, për shkak të mungesës së vazhdueshme të chip-ave që sjell humbje të mëdha në sektorin kyç të gjigantit të teknologjisë, pavarësisht reduktimit të furnizimeve.
Prodhuesi më i madh i chip-ave të memories dhe smartphone-ve në botë vlerësoi se fitimi operativ ra në 600 miliardë won (459 milionë dollarë) në periudhën prill-qershor, krahasuar me 14,1 trilionë won një vit më parë, në një deklaratë të shkurtër paraprake të të ardhurave.
Sipas të dhënave të kompanisë bëhet fjalë për fitimin më të ulët të Samsung në një tremujor nga ai prej 590 miliardë won në tremujorin e parë të 2009.
Fitimet ishin në përputhje me vlerësimet e Refinitiv SmartEstimate prej 555 miliardë won, që mbështeten te parashikimet e analistëve që janë më të saktë.
Aksionet e Samsung ranë me 1,4% në orët e para të ditës. Samsung do t’i publikojë të ardhurat e detajuara më 27 korrik.
Në tremujorin janar-mars, shoqëria regjistroi një humbje të madhe prej 4,58 trilionë won në sektorin e chip-ave, për shkak të një rënie të mëtejshme të çmimeve të chip-ave të memories dhe reduktimit të vlerës së inventarëve.
Por në tremujorin e dytë, humbjet në sektorin e chip-ave të memories së Samsung u reduktuan falë shitjeve më të mëdha të chip-ave DRAM, që përdoren në PC, telefona celularë dhe serverë, thanë analistët.
“Edhe pse çmimet e memorieve u ulën, rënia nuk ishte kaq e madhe sa pritej” – deklaroi Park Kang-ho, analist i Daishin Securities.
“Kur të publikohen fitimet përfundimtare, investitorët do të përpiqen të kuptojnë se cilat do të jenë pasojat e reduktimit të prodhimit në tremujorin e tretë, rimëkëmbjen e mundshme të kërkesës dhe nëse produktet DRAM të fashës së lartë dhe memoriet me gjerësi bande të lartë (HBM) do të përmirësojnë marzhin e fitimeve të Samsung.
Falimenti
Sipas analistëve, rënia e chip-ave të memories, që nisi vitin e kaluar, duhet të arrijë fundin në tremujorin e tretë, edhe pse rimëkëmbja mund të jetë modeste.
“Çmimet e memorieve DRAM pritet të rimëkëmben seriozisht duke nisur në tremujorin e katërt dhe parashikohen rritje tremujore dyshifrore duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 2024” – deklaroi Greg Roh, përgjegjës i kërkimit në Hyundai Motor Securities.
“Ndryshe nga kompanitë konkurrente, Samsung pritet të ruajë investimet e tij në chip-at e memories këtë vit … të cilat do të përkthehen me rritjen e dominimit të tregut në 2025.”
Në sektorin e telefonisë mobile, Samsung pritet të prezantojë smartphone-t e fundit të palossshëm në fund të muajit në Seul, disa javë më parë se zakonisht. Kjo lëvizje cilësohet nga analistët si një përpjekje për të dominuar tregun e telefonave të fashës së lartë më gjatë përpara se rivali Apple të prezantojë iPhone e ri.
Megjithatë, parashikimet e analistëve për fitimet e Samsung në tremujorin e tretë janë ndryshme, pasi besimi i konsumatorëve në tregun global të smartphone-ve mbeti i dobët, pavarësisht rimëkëmbjes së fundit të treguesve ekonomikë.
Të ardhurat në prill-qershor ka të ngjarë të kenë rënë me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë në 60 trilionë won, tha Samsung në deklaratë.
/ Reuters