Me publikimin e filmit “Barbie” të Greta Gerwig, mund të thuhet me siguri se roza është ngjyra e vitit 2023.
Por, ka shumë ndërtesa, që përqafuan nuancën shumë përpara filmit të madh të Hollivudit. Nga një pallat indian, në një bistro të vogël, të preferuar nga artistët në Francë, arkitektura rozë ndodhet kudo në botë.
Në vazhdim renditen disa nga ndërtesat mbresëlënëse ngjyrë rozë në mbarë globin.
Hawa Mahal (Jaipur, Indi)
I ndërtuar në vitin 1799, ky pallat me gur ranor të kuq dhe rozë, është në buzë të kompleksit të Pallatit në Jaipur, Indi. Konceptuar si hoje blete, fasada lindore pesëkatëshe, e projektuar nga arkitekti Lal Chand Ustad, ngrihet në një lartësi prej rreth 15 metrash.
Fasada përmban panele të praruara, kolona me motive lulesh, që e bëjnë atë një nga veprat më madhështore të arkitekturës Rajput.
953 dritaret e mbyllura të pallatit – të njohura edhe si Pallati i Erërave – i lejuan gratë e oborrit të Jaipurit, të vëzhgonin jetën plot gjallëri, që shpalosej në rrugët përreth, duke mbetur të padukshme.
La Muralla Roja (Calp, Spanjë)
E konceptuar si një kështjellë bashkëkohore, Muralla Roja është një nga kryeveprat e arkitektit katalanas Ricardo Bofill.
Ndërtuar në vitin 1973, pallati ka 50 apartamente. E vendosur në majë të shkëmbinjve bregdetarë të Calp, në provincën spanjolle të Alicante, ndërtesa ka pamje nga el Peñon de Ifach, një shkëmb i pjerrët 1073 metra i lartë.
Labirinti bashkëkohor me ngjyrë pastel, u frymëzua nga arkitektura arabe dhe mesdhetare. Grafike dhe gjeometrike, kjo vepër në rozë të theksuar, bie në kontrast me kaltërsinë e Mesdheut dhe qiellin shpesh pa re, të Spanjës jugore.
La Maison Rose (Paris, Francë)
Maison Rose, në cepin e rue des Saules dhe rue de l’Abreuvoir në Paris, u ble në 1850 nga piktori spanjoll Ramon Pichot, mik i Picasso-s dhe mentor i Dali.
Më vonë, restauratorja Beatrice Miolano, bleu pronën në vitin 1948, dhe nipi i tij ende zotëron objektin sot. Një strehë për artistët në vitet 1950, shtëpia e vogël ishte një restorant tipik francez, në zemër të Montmartre.
Me pamje piktoreske, Maurice Utrillo e përdori atë si temë, për disa piktura të tij dhe ka tërhequr vizitorë nga e gjithë bota, që nga ajo kohë.
Qendra rekreative Five Cats (Pekin, Kinë)
Oborri i brendshëm i qendrës rekreative Five Cats me tetë kate, në lagjen Chaoyang të Pekinit, është lyer me një rozë, që nuk kalon pa u vënë re.
Sheshi i lojërave të tij, është përdorur shpesh si një vend për sete fotografike dhe qendra tregtare shtrihet në më shumë 12 hektarë. Gjithëpërfshirëse dhe interaktive, qendra tregtare duket si një vend nga bota e Barbie.
Banka e Biznesit Kooperativ (Ljubljanë, Slloveni)
Një nga shembujt më të mirë të arkitekturës Art Nouveau, në kryeqytetin e Sllovenisë, paleta e ndërtesës së Bankës Kooperative të Biznesit, dallohet nga arkitektura tradicionale në vend, ndërsa detajet dekorative pasqyrojnë ndikimet vjeneze.
Projektuar në vitin 1921 nga arkitekti Ivan Vurnik, dhe pikturuar nga gruaja e tij, artistja Helena Vurnik, të pesë katet e fasadës së bankës, janë të dekoruara në mënyrë të pasur. / Architectural Digest