Mund t’i falimentojnë ose mund të rritet korrupsioni
Edhe pse nuk e kanë marrë në dorë ligjin e ri fiskal, shoqatat e biznesit kërkojnë që për vitin 2020, qeveria të mbajë dy premtime të cilat i ka patur në program: zbutjen e tatimit mbi pagat e larta dhe stimulimin e bujqësisë dhe agroindustrisë. Për të gjitha palët, paketa fiskale duhet të rikthejë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar te fermeri.
Këshilli i Agrobiznesit kërkon që të mbahet edhe premtimi për heqjen e taksave te nafta që përdoret në sektorin bujqësor. Sipas Agron Rrapaj, çmimi i lartë i saj bën që produktet vendase të jenë më pak të konkurrueshme në treg.
Bizneset thonë se asnjë nga kërkesat e tyre drejtuar ministrisë së Financave nuk është marrë parasysh, ndërsa shprehin shqetësim se rritja e nivelit të gjobave, për moslëshimin e kuponit tatimor ose do të çojë bizneset e vogla drejt mbylljes, ose do të rritë korrupsionin.
Për vitin e ardhshëm, Ministria e Financave ka vendosur të stimulojë industrinë automotive, duke ulur në 5% tatimin mbi fitimin për këtë sektor, ndërsa ka çuar në 5 vjet, mbartjen e humbjeve për sipërmarrësit që investojnë mbi 10 milion dollarë. Stimulim fiskal do të marrë edhe biznesi që sponsorizon aktivitetet sportive.
Tv Klan
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.