Kriza financiare nuk do të kalojë pa u ndier për industrinë shqiptare të turizmit. Pritshmëria për këtë vit nuk është nga më optimistet. Rreth 30% e operatorëve që operojnë në këtë sektor, shprehen se ecuria do të jetë e ngjashme me një vit më parë dhe rritja do të jetë e moderuar, ndërsa 10% janë shprehur pesimistë. Ky është një prej vlerësimeve të dala nga indeksi i dytë i klimës së biznesit shqiptar të turizmit, i realizuar nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA). Indeksi tregon se si e kanë perceptuar zhvillimin e turizmit operatorë të tregut. Nga 81 biznese që morën pjesë në studim, rreth 76% i përkasin sektorit të hotelerisë, restoranteve dhe 24% agjentëve të udhëtimit, me një shtrirje gjeografike që mbulonte rajonet kryesore të turizmit, si Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Saranda, Gjirokastra, Shkodra etj. Vlerësimet e raportuara në indeks kanë marrë në konsideratë ecurinë e sipërmarrjeve turistike për vitin 2011. Ajo që bie në sy është se Shëngjini dhe Pogradeci kanë njohur rritjen më të lartë, si destinacione gjatë vitit të kaluar. Bizneset turistike në Shkodër dhe Gjirokastër (ku kryesisht kemi të bëjmë me turizëm kulturor), gjithashtu kanë raportuar zhvillim pozitiv për vitin e kaluar.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për destinacionet kryesore pritëse, të atij që njihet si turizmi “det dhe rërë”. Bizneset turistike në Durrës, Vlorë dhe Sarandë e kanë vlerësuar nën mesatare rritjen për vitin 2011.
Ekspertët thonë se kjo ka ardhur pasi ka ndryshuar orientimi i pushuesve, qofshin ata vendas apo shqiptarë nga diaspora.
Ata po zgjedhin gjithnjë e më shumë për të pushuar në zona që janë më pak të zhurmshme, që nuk kanë ndotje të lartë dhe që ende ruajnë vlerat natyrore. Kjo është reflektuar edhe te numri i vizitorëve. Sipas të dhënave të indeksit, bizneset turistike në Shëngjin, Shkodër, Pogradec, Gjirokastër kanë shënuar rritje pozitive të numrit të vizitorëve vendas, ndërsa ata në Vlorë, Tiranë, Sarandë janë shprehur se rritja e numrit të vizitorëve ka qenë në kufijtë minimalë, krahasuar me tregjet e tjera.
I njëjti vlerësim është dhënë edhe për preferencat e destinacioneve pushuese për emigrantët.
Në lidhje me numrin e turistëve të huaj, bizneset turistike nga rajone si Korça, Pogradeci, Saranda, Vlora kanë raportuar rritje minimale.
Problemet vazhdojnë të mbarten
Biznesi i industrisë së turizmit prej vitesh vazhdon të raportojë si probleme kryesore infrastrukturën, taksat e larta (TVSH-ja dhe taksa e fjetjes etj.) dhe rregullimin e tregut.
Saranda, Vlora dhe Durrësi janë zonat, ku biznesi raporton më shumë probleme për turizmin, gjendje, që sipas tyre po ndikon në rritjen e papërfillshme të të ardhurave. Përfaqësuesit e biznesit artikulojnë si emergjente nevojën për ndërhyrje në përmirësimin e infrastrukturës. Qytetet me infrastrukturë në konsolidim e sipër (Shkodra, Pogradeci) kanë dhënë vlerësime më pozitive për sa i përket performancës së vërejtur vitin e kaluar. Në lidhje me masat që ka marrë qeveria për industrinë e biznesit, në indeks thuhet se vlerësimet më pozitive i janë adresuar kryesisht përmirësimit të rrugëve. Shumë pak biznese kanë vlerësuar si masa konkrete vizat dhe sinjalistikën rrugore. Rajonet që artikulojnë qëndrim më kritik ndaj masave të marra për turizmin janë qytetet bregdetare Shkodra, Pogradeci, si dhe Korça, që kanë dhënë vlerësime pozitive.
Industria e turizmit e vlerëson kryesisht pozitiv klimën e të bërit biznes, ku rreth 53% e deklarimeve kanë qenë pozitive dhe 47% kanë qenë kritike.
Sikundër vihet re, biznesi reflekton rritje jo entuziaste
në disa prej segmenteve kryesore të industrisë. Problemet me të cilat ballafaqohet biznesi nuk kanë ndryshuar në dy vitet e fundit dhe sipas tyre ka gjasa që ato do të reflektohen edhe gjatë vitit 2012, nëse nuk do të merren masa konkrete.
Karakteristikat e tregut
Shkodra: Turistët vendas dhe të huajt janë burimi kryesor për hotelet. Të dyja kategoritë raportohen me rritje. Agjencitë e udhëtimit operojnë kryesisht me udhëtime jashtë vendit
Tirana: Turizmi i biznesit është burimi kryesor i të ardhurave për hotelet në Tiranë. Të huajt janë tregu kryesor dhe vërehet tendencë në rritje. Agjencitë e udhëtimit kanë si burim kryesor fitimi udhëtimet jashtë vendit
Korça: Vizitohet kryesisht nga vendasit (57%). Të huajt zënë afërsisht 38%. Bizneset e këtij qyteti i vlerësojnë në rritje të dy segmentet e tregut
Pogradeci: Shqiptarët përbëjnë rreth 66% të turistëve, ndërsa të huajt zënë 19%. Bizneset turistike raportojnë se numri i vizitorëve vendas është rritur më shumë se ai i të huajve
Vlora: Për bizneset pjesëmarrëse në indeks, vizitorët vendas përbëjnë 46% të totalit, të huajt rreth 30%, ndërsa shqiptarët nga rajoni rreth 19%. Ritmi i rritjes për të gjithë segmentet vlerësohet i ulët
Durrësi: Përbërja e tregut sipas bizneseve paraqitet krejtësisht e ndryshme nga tabloja e destinacioneve të tjera, duke u përshkruar si më heterogjene. Shqiptarët nga rajoni zënë 31% të vizitorëve. Të huajt kanë zënë 30% të totalit, duke mbuluar pjesën më të madhe të tregut në krahasim me turistët vendas dhe emigrantët, që llogariten respektivisht me 18% dhe 19%. Të huajt kanë shënuar rritjen më të madhe në këtë rajon.
Saranda: Edhe ky destinacion paraqitet si një treg miks, ku vendasit dhe të huajt zënë vendin kryesor me 39% dhe 37%. Ndonëse rritja është vlerësuar shumë e ulët, kanë qenë të huajt që kanë shënuar rritjen më të madhe
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.