Sipas Bimboinviaggio.com, Valencia është qyteti më i mirë europian për t’u vizituar me fëmijët në vitin 2017.
Valencia, destinacioni turistik në bregun lindor të Spanjës, është ideal për fëmijët. Ata mund të përjetojnë përvoja të larmishme, duke filluar nga eksperimentet shkencore tek joga, duke kaluar më pas te zbulimi i ekosistemit detar dhe lojërat e pafundme.
Ndër hapësirat kreative për fëmijë deri në tre vjeç përmendim Centre del Carme. Këtu, duke përdorur tavolina, figura poliedrike, objekte prej kartoni, të vegjlit mund të eksplorojnë kreativitetin e tyre dhe ta prekin me duar, duke u familjarizuar me artin.
Pak më larg është Shtëpia e Maceve, për të njohur nga afër felinët dhe zakonet e tyre, ndërsa në Kopshtin Botanik të Universitetit, fëmijët mund të marrin pjesë në seanca joge me muzikë dhe përralla.
Valencia ka shumë hapësira të gjelbra për fëmijët, si për shembull Parku Gulliver, ku fëmijët “shndërrohen” në liliputë për t’u ngjitur në një Gulliver gjigant dhe për të rrëshqitur prej andej me shpejtësi të madhe.
Te Muzeu i Shkencave “Principe Felipe”, fëmijët mund të luajnë dhe të mësojnë njëkohësisht, ku shkenca mund të preket nga afër duke eksperimentuar.
Në këtë zonë ndodhet edhe Espai dels Xiquets, ku fëmijët nga mosha 3 deri në 6 vjeç mësojnë të ndërtojnë shtëpi me lodra, eksplorojnë trupin njerëzor dhe zbulojnë sekretet e Tokës pranë ekspertëve dhe shkencëtarëve.
Së fundi nuk mund të mungonte Oceanografic, akuariumi më i madh në Europë, në të cilin mund të hyni në kontakt me natyrën dhe të njihni kafshët. Kjo strukturë gjigante ofron, ndër të tjera, mundësinë të kaloni një natë mes peshkaqenëve dhe delfinëve.