“Kur dhe ku do të takohemi?”
Shqipëria, me asetet e saj njerëzore, qeverisëse e politike, po ecën rrokopujë. Secila më vete, edhe pse duhet të ishin pjesë e një Shqipërie të tërë.
Rilindja mbetet e pashqetësuar në stilin e saj, pa reflektuar në mënyrë thelbësore nevojat ekonomike dhe ato politike të vendit.
Qeverisja mbetet e njëjta në frymë dhe në germë,me po të njëjtat kosto të padrejta, megjithëse vërejtjet, këshillat, kundërshtitë dhe rreziqet janë rritur ndjeshëm. E vetëkënaqur me tepsinë plotë e të pandarë, ajo u pa e patrazuar në aftësinë për të mos ndryshuar, edhe kur pati protestë në Kukës, revoltë të studentëve apo u vodhën sërish milionat e bankave, në aeroportin e vetëm ndërkombëtar, që duhej të ishte më i sigurti në vend.
Edhe politika në këtë vend ecën me kokë të vet. Po bëhet shumë kohë që mazhoranca dhe opozita nuk po dinë të gjejnë një trajektore afatgjatë, në interes të përbashkët të vendit. “Nuk”është kryefjala e secilës. Së fundi, opozita doli nga Parlamenti dhe hyri në protestën e rrugës pa kthim,duke kërkuar një rimodelim të sistemit politik,që i garanton vendit zgjedhje dhe pushtet të pakapur nga krimi, ndërsa mazhoranca duket se zotëron qetësinë elektorale, me fuqinë që i dha tepsia dhe po gjen shtigje për të mbërritur në destinacion.
Shtigje që nuk kanë asnjë bypass, që të bën të shpresosh se mund të takohen diku, për të ndjekur rrugën e vetme që e çon vendin drejt përparimit. Opozita thotë se nuk tërhiqet dhe mazhoranca thotë se do të ndjekë rrugën që di vetë.
Edhe shumica e shqiptarëve duket se kanë një axhendë të tyre dhe të vendosur ta ndjekin me rigorozitet, të palëkundur nga bindja se në këtë vend nuk jetohet më. Shumica kërkojnë të emigrojnë, ndërkohë që një pjesë e madhe po udhëtojnë në këtë rrugë.
Gallup publikoi ditët e fundit një sondazh,ku rezultoi se shqiptarët janë ndër popujt më pozitivë në botë,pasi na pyeti “nëse i shijojmë ditët e jetës sonë dhe a kemi respekt për veten?” Është i mjaftueshëm edhe ky element, si plot fakte të tjera më herët, për të kuptuar se qytetarët shqiptarë e shikojnë axhendën e jetës jashtë realitetit që duan t’i ndërtojë politika dhe qeverisjet e këtij vendi. Secili në guaskën e vet, secili në program të vet,shijojnë atë hise që ia ka lënë Zoti dhe nuk ia ka marrë politika, tërësisht indiferentë dhe të lodhur nga pafuqia për t’i ndryshuar gjërat. (lexo www.monitor.al).
Ne nuk po arrijmë të takohemi dot,as kur bëhet fjalë për të ardhmen, aspiratën tonë më të madhe të integrimit në BE. Me gjasë, edhe këtë vit, hapja e negociatave do të shtyhet përtej qershorit, megjithëse kjo kohë na u reklamua e sigurt. Qeveria fajëson sërish populistët e BE-së, opozita fajëson qeverinë, shqiptarët i fajësojnë të gjithë dhe kanë zgjedhur ta bëjnë sipas mënyrë së vet integrimin.
Revolta e studentëve në dhjetor u shua, por lutja e kryeministrit të trembur “kur do takohemi” si një diçiturë e dëshiruar e një procesi paqtimi dhe zgjidhje të problemit (paçka se ai ende nuk është zgjidhur) ka mbetur dhe nuk harrohet, sepse vlen ende për ta rithënë. Asgjë nuk ka ndryshuar prej kohësh,ndaj pyesim sërish “ore vërtet, kur dhe ku do të takohemi?”