Avokati i Popullit ka publikuar opinionin “ex officio” lidhur me vlerësimin e strukturës së re tarifore në Kosovë që trajton ligjshmërinë dhe mbi të gjitha elementet e të drejtave të njeriut që mund të jenë shkelur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Avokati i Popullit me anë të një reagimi publik ka thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për përcaktimin e strukturës tarifore ishte diskriminues.
Sipas tyre, ky vendim duhet të kthehet në pikën zero duke shtuar se ka përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës, duke krijuar një situatë të pabarabartë.
“Vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve. Tarifat e ndryshme e të bazuara në nivel të konsumit të energjisë elektrike janë në kundërshtim me nenin 47 të Ligjit Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë ku theksohet domosdoshmëria që tarifat të kenë karakter jo diskriminues”, thuhet në reagim.
“Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues”, shton Avokati i Popullit.
Po ashtu, aty thuhet masat afirmative të vendosura nga ZRRE-ja nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Vendimi për faturim retroaktiv dhe mos-reflektimi i saj në faturë si dhe mos-reflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të të drejtës së konsumatorëve për informim. Masat afirmative të vendosura në vendimin e ZRRE-së nuk i gëzojnë njëjtë të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara dhe nga shtrenjtimi nuk preken njëjtë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thekson njoftimi.
“Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim selektiv të çmimit të energjisë, për vendosje të bllok tarifave dhe vendimi për subvencionim gjithashtu selektiv bien në kundërshtim me parimet e vendosjes së tarifave të përshkruara në legjislacionin vendor, me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit”.
Në fund, Avokati i Popullit thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta themeloj Fondin e Konsumatorëve në Nevojë.
“Avokati i Popullit e vlerëson të nevojshme që Qeveria e Kosovës të themeloi Fondin e Konsumatorëve në Nevojë. Pakoja e re e paralajmëruar e legjislacionit në fushën e energjisë të përcaktoj qartësisht kufirin e varfërisë energjetike dhe ta ndërlidhë atë me të hyrat familjare në mënyrë që mbështetja për konsumatorët e cenueshëm të jetë e qëndrueshme, dinamike dhe të reflektoi situatën socio-ekonomike të tyre pa diskriminuar të tjerët”.
Javën e kaluar Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit për Çështje Administrative, me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.
“Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendimin e Apelit.
“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për Konfliktet Administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës botërore energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.