Komentet e Mario Draghi-t, presidentit të Bankës Qendrore Europiane, kanë lënë tregjet, dhe disa qeveri të eurozonës, me shpresë se banka qendrore do të ofrojë më shumë ndihmë. Yield-et e borxhit spanjoll dhe atij italian ranë javën e kaluar, pasi Z. Draghi sinjalizoi se BQE do të blinte më shumë bono qeveritare.
Por ata që prisnin veprime menjëherë pas mbledhjes së të enjtes të këshillit qeverisës, mund të zhgënjehen. BQE do të dojë të shikojë më tepër prej vetë qeverive, ndoshta blerje të borxhit kombëtar nga Mekanizmi Europian për Qëndrueshmërinë Financiare, fondit të shpëtimit të përkohshëm të eurozonës, dhe një angazhim më të fuqishëm nga Madridi për të zgjidhur krizën e tij të dyfishtë, atë bankare dhe ekonomike, përpara se të fillojë të ndërhyjë.
Qëndrimi i ashpërsuar i presidentit të BQE-së, ka përçarë këshillin qeverisës të zyrtarëve të lartë të bankës qendrore.
Programi i blerjes së bonove, i cili kishte rënë në gjumë për katër muaj, nuk përfshihej në axhendën e takimeve të fundit të këshillit dhe sinjalet e Z. Draghi për një rifillim, i habitën disa antarë. Bundesbank-a e Gjermanisë refuzoi menjëherë, edhe pse Z. Draghi zotëron mbështetjen e Angela Merkel, kancelares gjermane, dhe të Wolfgang Schäuble, ministrit gjerman të financës.