Operatori i telefonisë turke “Turkcell” do të blejë kompaninë bullgare të telekomunikacionit “Vivacom” për rreth 1.4 miliardë dollarë.
Kjo u deklarua për revistën “Capacity” nga Milen Ninov, kreu i divizionit të shitjeve me shumicë në “Vivacom”.
Sipas Ninov, shitja e operatorit të telefonisë është një opsion më i favorshëm se ristrukturimi i brendshëm.
Në bazë të vlerësimit fillestar të “PwC” në fillim të marsit, mund të priten rreth 850 milionë euro për ish-kompaninë bullgare të telekomunikacionit (BTC) dhe mendohet se çmimi mund të jetë edhe më i ulët,
raportoi agjencia e lajmeve “Focus”. Pak ditë më parë, agjencia e renditjes “Fitch Ratings” vuri në pikëpyetje vlerësimin e kredisë së “Turkcell” kryesisht për shkak të detyrimeve të ndjeshme që lidhen me “Vivacom”.
Ekspertët e “Fitch” e paralajmëruan kompaninë turke se blerja e “Vivacom” mund të përkeqësonte vlerësimin e saj të kredisë. Detyrimet e “Vivacom” vlerësohen në rreth 1.65 miliardë euro.
“Turkcell” ka pasur shumë lajme kontradiktore nëse do të bënte apo jo një ofertë për “Vivacom”. Media raportoi më 1 mars se kompania kishte shumë të ngjarë që të bënte një ofertë.
Ky lajm u mohua shumë shpejt nga “Turkcell” ditën në vijim. Një javë më vonë, kompania njoftoi se do të merrte pjesë në garë.
Përpara se të bëheshin të ditura detaje lidhur me blerjen e “Vivacom”, u spekulua se “Corporate Commercial Bank” ishte një blerës i mundshëm, së bashku me divizionin e investimeve të VTK-së në Londër.
Një tjetër blerës potencial ishte Thor Bjorgolfsson dhe ish-pronari i operatorit të telefonisë, “Panos Germanos”.