Është e vërtetë që presioni politik mbi qeveritë kreditore që të limitojnë ekspozimin e tyre ndaj periferisë jugore me probleme është rritur. Por marrëveshja preferenciale që Finlanda bëri me Athinën thjesht ndikon negativisht në objektivin e gjerë për të asistuar Greqinë.
Në këmbim të huave të garantuara nga Helsinki në huatë e EFSF-së, marrëveshja kërkon që Greqia të depozitojë “cash” në një llogari që mund të investohet në aktive me A të trefishtë. Kjo do të kishte një vlerë të mjaftueshme për të kolateralizuar ekspozimin e Finlandës. Marrëveshja është strukturuar si dypalëshe dhe mund të mos kërkojë miratimin e eurogrupit. Helsinki pretendon se pa kolateral, një ndihmë e mëtejshme do të ishte një pamundësi politike.
Si plan ai është i pazbatueshëm. Duke qenë se Athina do të duhet të lërë mënjanë një pjesë të parave të marra hua nga EFSF thjesht që të sigurojë finlandezët, do të duhet të gjejë më shumë para në total. Me procesin e privatizimit që nuk është shumë i sigurt, kjo do të vinte vetëm nga shtetet e tjera të Eurozonës.
Nuk është e habitshme që këto shtete nuk e preferojnë këtë veprim të Finlandës. Disa prej tyre, duke përfshirë Austrinë dhe Holandën, pretendojnë se ata do të kërkojnë marrëveshje të ngjashme në rast se funksionon marrëveshja e Helsinkit.
Dhe kjo thjesht nuk do të funksiononte. Ajo që mund të ishte funksionale me vetëm Finlandën që do të llogaritej për rreth 2% të paketës nuk do të ishte e tillë, në rast se do të zgjerohej më shumë. Si rrjedhojë rritja në barrën e borxhit grek, thjesht do të përshpejtonte spiralen rënëse.
Kjo nismë vetëm u jep një dorë atyre pjesëmarrësve në treg, që besojnë se qeveritë e Eurozonës kanë humbur vullnetin për të zgjidhur problemin. Finlanda duhet ta mbledhë mendjen nëse do ta mbështesë paketën për Greqinë apo jo.
Pas çdo zgjidhjeje që ofron Eurozona, tregjet shumë shpejt i janë rikthyer mosbesimit. Nëse Finlanda do të tërhiqet nga angazhimi i korrikut për të ndihmuar Greqinë, kjo vetëm do të konfirmojë cinizmin e investitorëve.