Dogana ka parashikuar të realizojë 962 milionë euro të ardhura në buxhetin e këtij viti, por mediat vendase shkruajnë se ky plan është vështirë të realizohet.
Bazuar në të dhënat e fundit të doganave, del se ka rritje të vlerës së mallrave por ka rënie të sasisë së mallrave dhe kjo do të mund të ketë ndikim edhe në buxhetin final të të ardhurave.
Pavarësisht trendit të rënies të importeve, importi i mallrave serbe vazhdon me rritje. Për tre muaj e parë të këtij viti nga Serbia janë importuar 77.9 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që ishte 72.3 milionë euro.
Lulzim Rafuna, drejtor i doganave të Kosovës, ka thënë për KosovaPress se në të gjitha produkteve e importuara ka rënie të sasisë që importohet.
Ai po ashtu ka thënë se gjatë muajve të parë ka pasur rënie të të ardhurave sidomos tek mallrat bazike. Sipas tij, arsyet janë të ndryshme duke përfshirë edhe migrimin që ka ndikuar.
Në ndërkohë, Blerim Grainca, anëtarë i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, tha për KosovaPress se derisa nuk ka rritje të kapaciteteve prodhuese do të përballemi me deficit të lartë tregtar.
Po ashtu, edhe Besim Beqaj, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë për KosovaPress se Kosova duhet të shkojë në drejtim të forcimit të kapaciteteve prodhuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.