Sipërmarrësi i industrisë tekstile tregon realitetin e të bërit biznes në Shqipëri që prej fillimit të aktivitetit para 15 vitesh dhe jep sugjerime për modelin e zhvillimit drejt të cilit duhet të orientohet vendi ynë, ku fokusi duhet të jenë eksportet
Prej momentit kur vendosi të zgjerohej me një uzinë të dytë në një godinë të re pesë vite më parë, pranë aktivitetit shumëvjeçar të prodhimit të tekstilit me material porositës në ambientet kombinatit të Beratit, sipërmarrësi Gasmen Toska, i cili drejton kompaninë Marlotex, ka të arkivuara mbi 500 mesazhe dhe biseda telefonike me administratën publike, dhjetëra orë takime dhe një duzinë dokumentesh për certifikatën e pronësisë të godinës së re.
Ai nuk e ka marrë ende pronësinë, edhe pse ka zbatuar në mënyrë të përpiktë të gjitha ligjet dhe rregullat shqiptare për përfitimin e saj. Shumë diploma dhe përvoja e konfirmuar në menaxhimin dhe ringritjen e bizneseve në vështirësi, duket se nuk i mjaftojnë për të kuptuar administratën publike shqiptare. “Kjo nuk do të ndodhte kurrë në Francë”, thotë ai, ku sipërmarrësit që hapin vende pune vlerësohen maksimalisht nga shteti dhe nuk do të duheshin më shumë se 10 hapa për të përfunduar dokumentacionin e plotë.
Duke qenë se ka lindur dhe vitet e para të jetës i ka kaluar në Berat, ai ka shumë njohje edhe me administratën publike, por sërish e ka të pamundur të kuptojë vorbullën e burokracisë të administratës me të cilën ndeshet që prej fillimit të aktivitetit tij. Toska thotë se një sipërmarrës perëndimor do të dorëzohej përpara një keqfunksionimi të tillë të administratës, duke e privuar potencialisht Shqipërinë nga investimet e huaja.
Zoti Toska është nga të paktët profesionistë në industrinë e tekstileve me një mentalitet tërësisht perëndimor. Franca u bë atdheu i tij i dytë, pasi në fillim të viteve ’80, u përzgjodh ndër katër studentët më të mirë për të studiuar atje për inxhinieri tekstile. Atje ai ka zhvilluar një karrierë të gjatë si sipërmarrës, ku fillimisht nisi të blinte apo menaxhonte uzina në vështirësi, ndonjëherë duke marrë dhe uzina me vetëm 1 euro, kryesisht në fushën e tekstileve teknike. Pas krizës financiare të vitit 2008, e cila pati pasoja katastrofike për aktivitetet prodhuese në tekstil, është i përqendruar në aktivitete holding.
Por, Berati mbeti gjithnjë qyteti i tij. Që prej vitit 2005, ai ka hapur kompaninë tekstile Marlotex dhe sot është ndër punëdhënësit më të mëdhenj në qytet, me 250 të punësuar. Edhe pse në një ambient të vështirë, ai sot nuk ka hequr dorë nga ëndrra për t’i kthyer shkëlqimin ish-kombinatit të tekstileve në Berat. Por duke operuar me rregulla dhe duke respektuar ligjin në një ambient ku prevalon ryshfeti dhe korrupsioni për çdo shërbim publik, e ka pasur shumë herë më të vështirë.
Më shumë se fitimet, z. Toska synon të jetë një model në punën që bën. Ka zgjedhur të paguajë të gjitha taksat ndaj tatimeve dhe administratës fiskale, në vend që të paguajë korrupsion nën dorë por nuk ka marrë asnjë shërbim nga autoritetet publike. Edhe rrugën që të çon në fabrikë e shtron vetë me zhavorr.
Pranë fabrikave të vjetra të tekstilit, tashmë ai ka vënë në punë godinën e re me katër kate, një investim modern në mes të një zone ku mungon edhe infrastruktura elementare. Edhe pse paguan rregullisht të gjitha detyrimet, ka mbuluar të gjitha shpenzimet ekstra për infrastrukturën e energjisë, rrugës ngjitur.
I mësuar me mentalitetin francez të sipërmarrjes, Toska thotë se ka zhvilluar strategjinë e diversikimit për zhvillimin e ndërmarrjes. Pesë aktivitetet e prodhimit të fabrikës Marlotex janë të përqendruara në prodhimin e tekstileve të shtëpisë, të brendshme, rroba pune, çanta me pambuk biologjik dhe doreza për shtëpi dhe industri. Kompania e nisi aktivitetin me dy makina dhe pak punëtorë 15 vite më parë. Sot, synon që shumë shpejt ta çojë numrin e punonjësve në 350.
Teksa aktiviteti i tij ka hyrë në dekadën e dytë, observimet e zotit Toska mbi performancat e punonjësve shqiptarë në prodhim janë interesante. Gjatë këtyre viteve, ai ka vërtetuar se punëtorët shqiptarë, në përgjithësi, kanë një nivel produktiviteti të përafërt me një punëtor në Francë, Gjermani apo kudo në Europën Perëndimore. Diferencat janë relativisht të vogla për profesione pak të kualifikuara, ndërsa por për proceset me dimension më të lartë teknik, dallimi me BE është më i madh.
Në postet me përgjegjësi, diferenca është e dukshme me vendet e BE-së, praktikisht me Francën, tha Toska dhe kjo sidomos për administratën publike shqiptare, e cila ka mangësi të thella dhe për rrjedhojë është një nga pengesat kryesore për ardhjen e investimeve të huaja në vend.
Eksportet, modeli që të çon në spiralen e lartë të zhvillimit
Shqipëria po hyn në dekadën e tretë të zhvillimit të industrisë së lehtë tekstile me material porositës. Nëse do t’i qëndronim evoluimit normal të ciklit të prodhimit, Shqipëria duhet t’i çonte eksportet e saj në një stad të ri me vlerë përfitimi më të lartë. Zakonisht, një cikël prodhimi kërkon që të përshkallëzohet në një vlerë më të lartë brenda një periudhë 20 – 25-vjeçare.
Çka do të thotë se fabrikat shqiptare të industrisë të tekstilit tashmë duhet të kishin mbyllur ciklin dhe të kishin kaluar në prodhime më të vështira nga ana e teknikës dhe tregut. Por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, me forcimin e monedhës kombëtare dhe përkeqësimit të klimës së biznesit sektori nuk ka përparuar me shpejtësinë që do të dëshironim dhe rrezikon të shkojë edhe me keq, pohon Toska.
Pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi, Toska është i bindur se eksportet janë çelësi i përfshirjes së vendit në pjesën e sipërme të spirales së zhvillimit. “Eksportet janë njëfarë mënyre si të ardhurat për një familje, ndërsa importet, shpenzimet. Sa më shumë eksporte të kemi, aq më shumë të ardhura do të kemi”, pohon ai.
Të gjitha vendet e zhvilluara të Europës e kanë arritur standardet e jetesës që gëzojnë sot duke nxitur eksportet.
Për të rritur përfitimet në këtë fushë, Shqipëria duhet të mbështesë sektorin e prodhimit sidomos në industrinë e lehtë të përpunimit, të përpunimit të tekstileve dhe të lëkurës, e cila pas pak vitesh me këtë përvojë që ka krijuar mund të kalojë në prodhimin e produkteve të nivelit më të lartë, si ato të modës dhe luksit. Sipas tij, industria e lehtë është baza që nxit dhe formëson industritë më të sofistikuara teknikisht dhe rrit në vijim vlerën e eksporteve. Në këtë stad ekonomik, nuk mund të pretendojmë të zhvillojmë në Shqipëri në mënyrë masive teknologjinë e informacionit apo robotikës, këto vijnë me kohë.
Nga ana e modelit të zhvillimit ekonomik, kur flitet për botën, si shembull merret Kina që është bërë “uzina e botës”, ndërsa kur flitet për Europën, modeli është Gjermania”. Dhe ajo çfarë kanë të përbashkët këto dy vende, pavarësisht se janë shumë të ndryshme në modelin e tyre të zhvillimit, të historisë, kulturës, sistemit politik, nivelit të jetesës etj., janë pikërisht eksportet.
Kina, thotë z. Toska, ishte në fillim si Shqipëria, duke u mbështetur në industrinë e manifakturës, që shfrytëzon avantazhin e krahut të lirë të punës dhe më pas kaloi drejt industrializimit, me teknologji dhe produkte të sofistikuara, duke rritur vlerën e shtuar. Ndërsa Gjermania njihet prej kohësh për prodhimin e produkteve me cilësi të lartë, të destinuara për eksporte.
“Të dy këto janë vende, nuk kanë as plazhe, as pasuri natyrore, as burime ujore siç kemi ne për frymë popullsie”, thotë sipërmarrësi francezo-shqiptar. “Sekreti” i tyre është kapaciteti për të eksportuar. “Nuk po kërkojmë të bëhemi si Kina apo Gjermania, do të ishte absurde, por e rëndësishme është të studiohet rruga që ata kanë ndjekur dhe modeli i tyre ekonomik”.
Z. Toska beson se ka shumë rëndësi rritja e ekonomisë prodhuese pa prekur në mënyrë të pakthyeshme burimet e vendit, duke respektuar atë që quhet zhvillimi i qëndrueshëm. “Duhet të ndjekim modelin e nxitjes së eksporteve, duke iu përshtatur në mentalitet dhe organizim vendeve të zhvilluara perëndimore dhe jo të klonojmë modelet më pak efikase të Greqisë dhe Italisë së Jugut, të cilët janë nxënësit e fundit të Europës në këtë fushë. Pavarësisht marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që kemi me këto vende, në fushën e ekonomisë ne duhet patjetër të zgjedhim modelin ekonomik dhe social të më të mirëve në Europë.
Forcimi i lekut, dëmi më i madh që po i bëhet ekonomisë
Institucionet shqiptare të financave, qeveria, por sidomos Banka Qendrore duhet t’i japin një përgjigje të thjeshtë opinionit publik që forcimi i shpejtë i lekut e dëmton apo e ndihmon ekonominë shqiptare?! Zoti Toska thotë se është i zhgënjyer nga autoritetet shqiptare në këtë drejtim. Forcimi i monedhës vendase në një moment kyç të lulëzimit të eksporteve shqiptare sidomos industrisë tekstile dhe të këpucëve nuk ka dëmtuar vetëm të ardhurat e sipërmarrjeve të sektorit, por mbi të gjitha zhvillimin ekonomik të vendit.
Zoti Toska mori shembullin e Italisë së viteve 1980 dhe 1990, e cila mbajti monedhën kombëtare të kohës, Lirën, në nivele të ulëta me qëllim që të nxiste prodhimin vendas dhe eksportet ndaj Francës dhe Gjermanisë. Këtë politikë ndjekin të gjitha vendet në zhvillimin, pasi është parë e vërtetuar se zhvillimi i prodhimit dhe eksporteve përfshin vendin në zinxhirin e ekonomisë globale dhe e ndihmonte të ngjitet lart.
Nënçmimi me gati 16 lekë në dy vitet e fundit të këmbimit të euros me lekun dhe pasiguria në të ardhmen e ka dëmtuar industrinë dhe turizmin të cilat i kanë të ardhurat në euro. “Unë nuk shoh të ketë ulje të çmimeve të mallrave të importit në jetën e përditshme dhe nuk shoh ulje çmimesh ne shërbimet publike, si ndërtimet apo koncesionet të cilat përdorin materiale të importuara”, tha Toska.
Forcimi i lekut ka dhënë pasoja të rënda në prodhimin vendas, duke çuar shumë prej bizneseve të industrisë tekstile dhe këpucëve në vështirësi të mëdha. Cila kompani mund të mbijetojë në mënyrë afatgjatë nëse në 2 vjet, xhiroja i ulet me 15%? Për të shmangur pasojat e kësaj situate, por edhe si një strategji ndryshe e ndjekur më parë, kompania ka kontrata me shumë klientë kryesisht në Francë dhe kjo ndihmon aktivitetin të mos vuajë nga përqendrimi dhe mungesa e likuiditetit.
Toska tha se eksportet janë në vështirësi të madhe. “Ne duhet të zhvillojmë turizmin dhe bujqësinë pasi ato nxisin eksporte dhe vetëm eksportet mund të nxisin më tej pasurinë e vendit. Dëmtimi i eksportit është dëmtim ndaj interesave të Shqipërisë”, tha ai.
Administrata e paaftë dëmton zhvillimin
Një investitor i huaj, kur vjen në Shqipëri, e di që ambienti nuk është si në perëndim, është i qartë se nuk ka të njëjtat kapacitete në burime njerëzore dhe infrastrukturë, por megjithatë nuk mund ta kuptojë mungesën kronike prej 27 vitesh të aftësive të administratës publike.
Vendet e tjera të rajonit mund të jenë në stade të krahasueshme të zhvillimi të kapitalizmit me Shqipërinë, por ofrojnë shërbime publike të nivelit më të lartë. Një investitor perëndimor e ka të vështirë të operojë në Shqipëri, pohoi Toska, i cili ndërkohë beson se me administratë eficiente, Shqipëria mund të behet “një uzinë e vogël” e prodhimit në Ballkan për Europën siç tani Kina është për botën.
Ekonomia, në presionin e traumës psikologjike
Shqiptarët po emigrojnë si azilkërkues në Europë njësoj si sirianët, afganët apo irakianët që janë në luftë. Ikja masivisht e njerëzve nga vendi është treguesi më i qartë se, vendi po kalon një traumë, e akumuluar nga zhvillimet politike prej 27 vitesh. Shqiptarët përpos që kanë një emigrim apokaliptik në raport me popullsinë, ikin se vendi i tyre, përveçse nuk i jep mundësi pune, nuk u jep më as shpresë, tha Toska.
Fenomeni i emigrimit, sipas tij, në përmasat e Shqipërisë është i dëmshëm për ekonominë. Shumë biznese po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, teksa potencialet e larta të emigrimit pengojnë aspekte të ndryshme të ekonomisë që nga konsumi, prodhimit dhe pasojat më tej shkojnë zinxhir. Këto zhvillime e çojnë ekonominë në shkallën e poshtme të spirales së zhvillimit.
Lindjet e ulëta dhe emigracioni i lartë kanë ulur ndjeshëm forcën e punës duke krijuar vështirësi për industrinë e tekstile që është bazuar në krahun intensive të punës.
Por, gjithsesi, Toska thotë se në tri dekadat e fundit Shqipëria ka krijuar një trupë profesionistësh, të cilët janë të gatshëm të prodhojmë për kompanitë e modës së lartë. Më pak punonjës në numër, por shumë të aftë të prodhojnë veshje, këpucë dhe çanta të luksit, do të rrisin vlerën e eksporteve shqiptare më tej. Toska kështu e sheh perspektivën e industrisë pas 15 vitesh. Ai tha se diaspora është një burim potencial për të sjellë modele të cilat mund të adoptohen nga të tjerë.
Emigrantët e viteve 1990 me një përvojë 30-vjeçare në perëndim mund të investojnë në Shqipëri dhe të bëhen shembuj edhe për të tjerë. Shqipërisë i mungojnë shembujt dhe modelet e mira në sipërmarrje, të cilat diaspora shqiptare i disponon.
Patriotizmi ekonomik
Toska bën thirrje për më shumë patriotizëm ekonomik. Investimi i zotit Toska në Shqipëri nuk është vetëm ekonomik por edhe filantropik. I frymëzuar nga Nënë Tereza, simbolet e së cilës, shalli i bardhë me vija blu gjenden në të të gjithë ambientet e ndërmarrjes, zoti Toska ia kthen Beratit dhe qytetarëve një pjesë të konsiderueshme të investimeve të tij.
Ai gjithashtu financon bursa për studentët jetimë ose nga familje në vështirësi ekonomike, financon botime kulturore dhe mirëmbajtjen e Muzeut Solomon. Ndërsa prej disa vitesh, në qendër të qytetit të Beratit, në krah të bashkisë, ka hapur restorantin e mikpritjes së njerëzve në nevojë “Porta e Hapur”, ku shërbehen falas rreth 12 000 vakte në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.