Intervistë me Olta Vejsiu, Përgjegjëse për Riskun e Tregut dhe Operacional, Credins Bank
Efektet e situatës inflacioniste në aktivitetin e sektorit bankar priten të jenë minimale.
Olta Vejsiu, Përgjegjëse për Riskun e Tregut dhe Operacional në Departamentin e Risqeve të Integruara në Credins Bank, thotë për “Monitor” se, bazuar mbi projeksionet e deritanishme, vala inflacioniste do të jetë afatshkurtër dhe rritja e normave të interesit nuk pritet të jetë aq e lartë sa të ndikojë në mënyrë të ndjeshme ritmet e huadhënies, apo cilësinë e kredisë së sektorit bankar.
Çfarë rreziqesh shtron inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit në tregun e bankingut për individët?
Sektori bankar ka treguar që, jo vetëm është i përgatitur të kalojë sfida të mëdha, siç ishte ai i tërmetit dhe pandemisë, por dhe të qëndrojë në linjë të parë për të mbështetur palët e prekura. Ndaj, lëvizje të tilla, të cilat konsiderohen minimale, nuk pritet të alternojnë ndjeshëm sjelljet konsumatore dhe të bizneseve.
Duke u kthyer tek inflacioni, që nga fundi i vitit 2021, ai është rritur në mënyrë të konsiderueshme, përtej normës së synuar të Bankës së Shqipërisë. Kjo ka ndodhur, nga njëra anë, si pasojë e rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia dhe, nga ana tjetër, si pasojë e rritjes së kostove energjetike, të naftës, të prodhimit e të transportit.
Banka Qendrore vendosi të rrisë me 0.5% normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin e 1%, në përgjigje të një inflacioni gjithnjë e në rritje. Një nga arsyet e zgjedhjes së bankave qendrore për të rritur normat e interesit është synimi i tyre për të luftuar inflacionin, kur ai konsiderohet shumë i lartë.
Nga teoria, tashmë dihet se normat më të larta të interesit mund të çojnë në një ngadalësim të huamarrjes, pasi konsumatorët mund të jenë të prirur të marrin më pak kredi. Pasoja kryesore e rritjes së normave të interesit është rritja e kostos së parave të marra hua. Në këtë mënyrë, rritja e kostove “përcillet” te konsumatorët dhe bizneset, pikërisht nëpërmjet vlerësimit të parave të marra hua.
Në këtë mënyrë, konsumatorët shohin fuqinë e tyre blerëse të reduktuar. Si pasojë, ata do të priren të kursejnë më shumë. Kjo do të çojë që shpenzimet e tyre për mallra dhe shërbime të tkurren. Një situatë e tillë sjell uljen e fluksit të parave për bizneset dhe për rrjedhojë, edhe të të ardhurave.
Besoni se rritja e normave të interesit do të sjellë ngadalësim të kreditimit dhe në cilat produkte, ndikimi mund të jetë më i ndjeshëm?
Ashtu siç u përmend edhe më sipër, rritja e normës së interesit do të sillte një rritje të kostos së huamarrjes, duke dekurajuar si shpenzimet e konsumatorëve, ashtu dhe të bizneseve, për produktet bankare si blerja e apartamenteve, makinave, etj.
Rritja e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore në muajin mars pati ndikim pozitiv në segmentet afatshkurtra të tregut monetar, duke stabilizuar presionet mbi kursin e këmbimit.
Efekti mbi kreditë nuk është shfaqur ende dhe nuk pritet të ketë ndonjë efekt në afatshkurtër. Bankat qendrore vazhdojnë të besojnë se rritja aktuale e inflacionit është kalimtare. Duke kombinuar mekanizmat e politikës monetare dhe asaj fiskale efektet negative në kreditim dhe ekonomi, besoj se do të jenë minimale.
Sa prisni ta dëmtojë inflacioni dhe normat më të larta të interesit cilësinë e portofolit të kredisë për individë? Keni konstatuar deri tani përkeqësim të aftësisë paguese në këtë portofol?
Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore, mendohet që inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022, ndërkohë që tani jemi në nivelet 5.7%.
Një rritje e normave të interesit deri në 0.5% nuk pritet të ketë efekt në cilësinë e kredive, duke u konsideruar një rritje shumë e lehtë, bazuar kjo edhe në përvojën e bankës sonë ndër vite. Aftësia paguese e huamarrësve nuk pritet të ndikohet ndjeshëm nga rritja aktuale e normave të interesit, aq sa të mund të sjellë efekte negative në pagesat e kësteve të kredisë.
Mendoni se rritja e normave të interesit do të ketë ndikime domethënëse në tregun e pasurive të paluajtshme, që ka qenë shtysa kryesore e rritjes së portofolit të individëve në vitet e fundit?
Trysnia e inflacionit, edhe pse e përkohshme, pritet të vazhdojë deri në gjysmën e parë të vitit 2023. Teorikisht, një politikë monetare shtrënguese, e reflektuar me anë të rritjes së normave të interesit, do të sjellë efekt frenues në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Pjesa më e madhe e blerjes së pasurive të paluajtshme financohen nëpërmjet kredisë bankare.
Shtrëngimi i kredisë mund të ndikojë në uljen e kërkesës për blerjen e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar edhe në uljen e çmimeve të tyre, në rast se supozojmë që ka një korrelacion absolutisht pozitiv midis blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe financimit me kredi. Në praktikë nuk ndodh kështu, ndaj edhe efekti mendoj se do të jetë i pjesshëm.
Nuk mendohet që normat e interesit të kapin nivele kaq të larta, saqë të sjellin ndikime domethënëse në tregun e pasurive të paluajtshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.