Fiskalizimi/ Versionet e përmirësuara të zgjidhjeve software, afatet për dorëzimin e ndryshimeve nga kompanitë

19/07/2021 11:00 AM 0 komente

Nga 1 janari 2021, kur nisi zbatimin faza e parë fiskalizimit mes bizneseve dhe enteve publike, nga AKSHI dhe Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve (DPT) ishin të certifikuara 15 kompani që ofronin zgjedhjet software.

Nga 1 korriku filloi zbatimin faza e dytë e fiskalizimit mes bizneseve për transaksionit pa para në dorë. Programet software, që mundësojnë lëshimin e faturave elektronike, aktualisht ofrohen nga 33 kompani. Më herët, drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha për “Monitor” se synohet që numri i kompanive të certifikuara të jetë mbi 50 të tilla, me qëllim liberalizimin e tregut dhe uljen e kostos për bizneset.

Kompanitë e certifikuara që ofrojnë zgjidhjet software kanë mundësi të përmirësojnë versionet e programeve të tyre. Ndryshimet e vendimit “Për kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software-ike, për procedurën e faturimit dhe të fiskalizimit, si dhe procedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike” i botuar në Fletoren Zyrtare përcaktojnë se versionet e përmirësuara të programeve duhet të dorëzohen brenda 45 ditëve nga data e njoftimit.

“Prodhuesi ose mirëmbajtësi i certifikuar i zgjidhjes software-ike, me kërkesë të AKSHI-t dhe të DPT-së, dorëzon versionin e përmirësuar të software brenda 15 ditëve nga data e njoftimit, në rastet kur përmirësimi i kërkuar nuk sjell ndryshime thelbësore në software. Nëse përmirësimi i kërkuar sjell ndryshime thelbësore në software, dorëzimi i versionit të përmirësuar të software bëhet brenda 45 ditëve nga data e njoftimit”, përcaktohet në vendim.

Vendimi i ndryshuar përcakton se regjistrimi i prodhuesve dhe mirëmbajtësve të software-it, subjektet aplikuese kanë detyrimin të dorëzojnë pranë AKSHI-it software-in me të njëjtat të dhëna si në aplikimin online jo më vonë se dita e nesërme e punës nga aplikimi në e-Albania. Në rast mosdorëzimi, subjekti do të duhet të riaplikojë në e-Albania.

Vendimi, ndër të tjera, përcakton se pas marrjes së vendimit nga ana e komisionit për miratimin e aplikimit, të dhënat e certifikatës do të plotësohen me ato të dhëna që aplikuesi ka deklaruar elektronikisht në aplikim për certifikim në portalin e-Albania.

Më herët kontabilistët ngritën si shqetësim se disa nga kompanitë e certifikuara për programet software, nuk janë në gjendje të hartojnë faturën në formatin e duhur dhe për të përcjellë të dhëna në formatin e duhur. Kompanitë nuk ofronin ndërlidhjen direkte të programeve software me programet e kontabilitetit që përdoret nga shumica e bizneseve. Referuar çmimeve të tregut kostoja për përditësimin e një programi kontabiliteti varionte nga 32 mijë lekë dhe 26 mijë lekë shërbimi.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo shpjegoi me herët se nëse bizneset do të vazhdojnë të qëndrojnë me të njëjtin program mund të riskojnë të mos bëjnë pasqyrat financiare deri në këtë periudhë, pasi zbatimi i këtyre ndryshimeve në mes të vit sjell këto probleme. Vështirësi në zbatimin e procesit të fiskalizmit sipas kontabilistëve janë hasur edhe nga subjektet që lëshojnë fatura në valutë.

Lexo edhe:

Fiskalizimi/ Bizneset nuk po lëshojnë fatura të fiskalizuara për import-eksport; Tatimet nuk japin më blloqe, rrezikohet bllokimi aktiviteteve 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of