Përpjekja e minutës së fundit të Greqisë për të siguruar vendin e saj në eurozonë kishte një fillim të pashpresë, kur ministri i saj i financave arriti në takimin me kolegët e vet pa një propozim të ri për paketën shpëtuese.
Athinës i ishte dhënë një shans i fundit për të paraqitur një plan të ri reformash te partnerët e saj— edhe pse vullneti i tyre për të bashkëpunuar është zbehur pasi Greqia në mënyrë frenetike votoi kundër paketës shpëtuese të kreditorëve.
Por, grekët u paraqitën duar bosh në një takim të ministrave të financave që po zhvillohet në Bruksel sot, që i paraprin samitit të liderëve të BE-së në mbrëmje. Mungesa e planit i shokoi ministrat e financave, që ishin mbledhur së bashku, thanë zyrtarët, duke ngjallur zemërim në dhomë.
Një tjetër zyrtar i eurozonës tha se zyrtarët grekë do të paraqisnin në fakt planin e tyre të mërkurën.
Zyrtarët thanë se ministrat e financave të eurogrupit nuk do të qëndronin në Bruksel të mërkurën për të konsideruar propozimet e reja. Në fakt ato do t’u dorëzohen tre monitoruesve të paketës shpëtuese, KE, FMN dhe ECB— për vlerësim, përpara se një tjetër eurogrup të mblidhet.
Edhe përpara këtij zhvillimi të fundit, partnerët e eurozonës kishin shprehur skepticizëm nëse qeveria e majtë e vendit mund të konsiderohet si një partner i besueshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.