Bllokimi i magjistrales Prishtinë-Shkup nuk kalon pa tensione. Arteria kryesore e Kosovës, magjistralja Prishtinë-Shkup, për 50 ditë ishte e mbyllur në Grykën e Kaçanikut për shkak të rrëshqitjes së dheut. Ishte kjo vetëm një pikë që mbushi kupën, pasi ra i tërë kabineti qeveritar. Në ditën kur dha dorëheqje Bajram Kosumi u kumtua lajmi se rruga është e kalueshme.Më 15 janar nga rrëshqitja e dheut dhe e gurëve, në Grykën e Kaçanikut u mbyll arteria kryesore që lidh Kosovën me Botën, magjistralja Prishtinë “ Shkup. Në ditën e parë të marsit kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi dha dorëheqje. Dhe pikërisht në këtë ditë u kumtua lajmi se rruga është e kalueshme që nga e hëna, 6 mars. Analistët si nga politika, ashtu edhe nga ekonomia nuk vlerësojnë se shembja e dheut shembi edhe kabinetin qeveritar. Kjo mund të jetë vetëm edhe një arsye, meqenëse pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova pritej një ristrukturim në udhëheqjen e shtetit. Por pa mëdyshje, zvarritja pesëdhjetëditëshe e punës ka rënduar bukur shumë edhe gjendjen aspak të volitshme në ekonominë e Kosovës. Kjo gjithashtu fajet i adreson te qeveria dhe te Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit.Që ironia të jetë edhe më e madhe, gjatë 50 ditëve janë hequr vetëm 100 mijë metra kub dhe gurë, punë për të cilën ishte e angazhuar kompania Burimi, e cila nuk kishte mjetet e duhura dhe as referencë në punë të tilla. Angazhimi i saj më shumë i dedikohet ndikimit të zëvendëskryeministrit Adem Salihaj, pasi dhëndri i tij punon në këtë kompani.Puna që është bërë për 50 ditë, mund të kryhej për pesë ditë, po të kishte një angazhim më serioz si nga qeveria, ashtu edhe nga kompania. Unë kam shumë përvojë me gurët e me dheun, dhe jam i bindur se Qeveria e Kosovës ka rënë në provim në Grykën e Kaçanikut. Ajo nuk gjeti kompani serioze, e as nuk e kishte të qartë se çfarë mund të bëjë. Për këtë arsye është e kuptueshme edhe përgjegjësia që duhet të mbartë, thotë Bejtullah Kçiku, pronar i kompanisë Bejta Comerce.Shkëputja nga BotaSipas shërbimit doganor të UNMIK-ut, më shumë se gjysma e mallrave që importohen në Kosovë hyjnë përmes Grykës së Kaçanikut, qoftë përmes rrugës, apo përmes hekurudhës. Mbyllja e kësaj gryke ka mundur të gjunjëzojë tërësisht ekonominë e Kosovës, pikërisht sepse rrëshqitja e dheut ndodhi në mes të dimrit. Në këtë kohë e vetmja arterie e qarkullueshme ishte ajo që lidh Prishtinën me Serbinë. Por, për arsye më shumë politike dhe fare pak ekonomike, ajo nuk ishte në funksion të plotë. Gjatë kësaj kohe edhe rruga e Pejës që vazhdon për në Mal të Zi ishte e mbyllur për shkak të borës së madhe. Alternativë mbetej Shqipëria. Por, në këta muaj të dimrit as rruga Morin “ Durrës e Tiranë nuk është aq e përshtatshme për transportin e mallrave.Në këtë gjendje, për fat të mirë nuk kemi hetuar ndonjë krizë të madhe në treg. Kjo tregon se tregu është i mbushur me mallra, se ka stoqe të mëdha, të cilat tregtarët i kanë krijuar më shumë për shkak të rënies së fuqisë blerëse të konsumatorëve, sesa ishin të përgatitur për një bllokadë të tillë, thotë Halim Gjergjizi, hulumtues dhe profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë.Kjo është hera e dytë që në vitet e pasluftës të vërehet se Kosova është një geto. Diku para pesë vjetësh, për shkak të protestave maqedonasit me javë të tëra kishin bllokuar magjistralen Prishtinë “ Shkup. Për herë të dytë, ndodhi shembja e gurëve në Grykën e Kaçanikut. Getoizimi vërehet vetëm kur merret parasysh fakti se ende është larg normalizimit transporti përmes Serbisë. Edhe gjatë pesëdhjetëditëve të fundit mijëra transportues kosovarë kishin tentuar që të shfrytëzojnë rrugë të tjera, kështu që nga Maqedonia, tranzit përmes Serbisë të hyjnë në Kosovë. Por, autoritetet nga Beogradi kishin bllokuar edhe këtë mundësi, duke thënë se nuk pranojnë dokumentet e UNMIK-ut. Arsyet që vazhdimisht përmend Serbia janë të natyrës politike. Por, edhe transportuesit, posaçërisht nëse ata janë nga Kosova nuk ndihen të sigurt nëse mallrat i mbartin tranzit nëpër Serbi, thotë Safet Gërgjaliu, koordinator për tregti të jashtme në Odën Ekonomike të Kosovës.Sipas Gërxhaliut, ekonomia po e paguan haraçin për shkak të mosaktivizimit të hekurudhës. Në ditët kur rruga Prishtinë “ Shkup ishte e bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dheut, as hekurudha nuk ishte e përgatitur për transport të mallrave. Ajo është lënë tërësisht pas dore. Nuk ka lokomotiva, e as vagonë. E vetmja lidhje për transportin e mallrave është ai për në Shkup, madje me kapacitet të vogël. Nuk ka qarkullim të trenave brenda Kosovës, kurse lidhja me Serbinë është shkëputur që nga vitet e luftës, komenton Gërxhaliu.Shpëtim: Autostrada Prishtinë-DurrësNjë studim i Bankës Botërore ka konstatuar se zhvillimin ekonomik të Kosovës do ta pengojë gjendja e tanishme në energjetikë dhe në infrastrukturë. Kosova nuk ka energji elektrike, as rrugë e as hekurudhë, pra kjo gjendje nuk pranon investitorët seriozë.Pas luftës kryesisht është punuar me rrugët. Mirëpo, cilësia e punëve ka qenë shumë e dobët. Prandaj, edhe sot gjendja në rrugë është katastrofike. Ndërkaq, nuk është ndërtuar asnjë metër rrugë e re. Krahasuar me numrin e automjeteve, këto rrugë janë të stërngarkuara dhe shumë të rrezikshme, tregon Kaçusha Jashari, ish-drejtore e Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Transportit.Problemi do të zvarritet edhe më shumë, sepse nuk ka mjete për investime, nuk ka asnjë projekt të gatshëm, ndërsa donacionet kanë rënë pothuajse në zero.Kosova aktualisht ka dy mundësi që të lidhet me korridoret transeuropiane “ përmes Serbisë, apo përmes Maqedonisë. Këto variante përmenden edhe në dokumentet ndërkombëtare. Madje, edhe Pakti i Stabilitetit nuk ofron variante të tjera. Por, ajo që ofrohet nuk mund të realizohet lehtë, meqenëse në këtë hapësirë edhe më tutje ekonomia vuan për shkak të situatës politike që është në rajon, komenton Kaçusha Jashari.Kosova përmes Shkupit mund të lidhet me Korridorin Tetë. Mirëpo, përmes Grykës së Kaçanikut, përkatësisht në trasenë ekzistuese është vështirë të ndërtohet auostrada. Terreni është shumë i rëndë dhe i papërshtatshëm, që u pa edhe me rrëshqitjet e dheut që ndodhën në janar. Prandaj duhet ndërtuar një rrugë e re, krejtësisht në terren tjetër, por kjo kushton. Ndërkaq, asnjëri nga institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, qoftë edhe zyra e Bankës Botërore, apo ajo e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk përmendin këtë variant. Kosova është e pafuqishme që vetë të hyjë në këtë investim. Probem është edhe rruga drejt Serbisë, meqenëse ajo ngarkohet nga gjendja aktuale politike. Po ashtu, Serbia ansjëherë nuk ka pasur në plan ndërtimin e autostradës që lidh Nishin me Prishtinën. Nëse ajo nuk e bën këtë, atëherë është e padobishme që kosovarët të investojnë vendkalimin kufitar me Serbinë.Alternativa më e pranueshme për të gjithë shqiptarët është autostrada Prishtinë “Durrës. Pjesa e saj në Kosovë kalon nëpër një terren të përshtatshëm dhe mund të realizohet më lehtë. Besoj se edhe në Shqipëri është kuptuar rëndësia e kësaj rruge, prandaj tashmë edhe mendohet më seriozisht. Nuk është fjala vetëm për lidhjen me Kosovën, por ajo do të nxiste edhe zhvillimin e zonave verilindore të Shqipërisë. Në Durrës, Kosova do të prekte brigjet e Adriatikut, do të lidhej me Korridorin Tetë, por ka edhe afrim me korridorin Veri“Jug, përkatësisht atë Shkodër-Gjirokastër. Për ndërtimin e kësaj rruge vetë shqiptarët duhet të gjejnë forcë, pasi ajo nuk figuron në hartat e korridoreve paneuropiane, është e bindur Kaçusha Jashari, e cila me vite të tëra ka udhëhequr një grup ekspertësh që kanë nxjerrë tri alternativat për ndërtimin e magjistrales Prishtinë“Vërmicë.Ndoshta qeveria e re nuk e harron ekonominëNjerëzit e biznesit nuk kishin ndonjë reagim të veçantë përsa i përket dorëheqjes së Kryeministrit Bajram Kosumi, por me lehtësi e pritën lajmin për hapjen e rrugës Prishtinë“Shkup. Vjet në shkurt më shumë se katër mijë maune përplot me mallra kanë kaluar kufirin Moqedoni“Kosovë. Vetëm përmes kësaj shifre mund të vërehet se çfarë dëmi i ka sjellë qeveria ekonomisë me neglizhencën që ka treguar. Shpresoj se qeveria e ardhshme, që do ta formojë gjenerali Agim Çeku, nuk do të bëjë të tilla gabime. Ky ishte një mësim i mirë, thotë Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.Nga ana tjetër, partitë politike, si ajo ORA në vazhdimësi ka kritikuar Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës se ka lënë pas dore ekonominë dhe problemet sociale që po rëndohen.Nuk ka asnjë parametër ekonomik që tregon se kjo qeveri ishte e suksesshme. Ajo nuk ka arritur të realizojë as objektivat që vet i kishte paraparë. Kurse realiteti është gjithnjë e më i zymtë. Rritet varfëria dhe papunësia, deficiti tregtar është shumë i madh, nuk ka politikë që të nxitë prodhimin e eksportin, situata energjetike është shumë e rëndë, ndërkaq, privatizimi nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv. Atëherë është shumë e kuptueshme se kjo qeveri është dashur të shkojë edhe më herët, thotë Ylli Hoxha, zëdhënës i partisë ORA.Shpresat tani janë mbështetur te gjenerali Çeku. Së paku për këtë moment është njeriu më i pranueshëm. E dimë se kjo qeveri duhet të merret me bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës. Pa marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo nuk guxon të lerrë në harresë ekonominë, si bëri kabineti i kryeministrit në dorëheqje, thotë Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.