Investimet e mëdha në gazsjellësin TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll kanë rritur kërkesat për rimbursim të TVSH–së, përtej pritshmërive të tatimeve.
Për periudhën janar –qershor 2016, u rimbursuan 5.7 miliardë lekë nga 5 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje me 43 për qind.
Ministria e Financave, në një analizë për këtë qëllim, shpjegon se rritja e rimbursimeve po vjen për shkak të rritjes së intensitetit të punimeve dhe kërkesës nga kompania ndërtuese e gazsjellësit TAP.
Flobens Dilaveri, nëndrejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, në një mbledhje të Këshillit të investimeve në fund të vitit të kaluar tha se, fatura e rimbursimeve të TVSH-se për 2016 arriti në rreth 10 miliardë lekë për shkak të përfshirjes në rimbursim të gazsjellësit TAP.
Vetëm TVSH e rimbursuar për TAP zë gati 30 për qind të gjithë shumës së rimbursuar.
Skema e rimbursimit të TVSH-së numëroi në fund të vitit 2016 mbi 3.3 miliardë lekë detyrime të akumuluara.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për vitin 2016 janë paraqitur 769 kërkesa për rimbursim të TVSH-së që i korrespondojnë një shume prej 19 miliardë lekësh. Nga kjo vlerë, janë miratuar për rimbursim 13.7 miliardë lekë. Janë rimbursuar deri në fund të dhjetorit 2016 mbi 10.4 miliardë dhe janë mbartur si detyrime për periudhën në vijim 3.3 miliardë lekë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se nga kërkesat e vitit 2016, rreth 133 prej tyre nuk janë verifikuar ende dhe këtyre u korrespondon një shumë prej 5 miliardë lekësh dhe gjithashtu janë refuzuar 21 kërkesa me një vlerë 370 milionë lekë.
Tatimet kanë sqaruar se rimbursimi i TVSH-së vitin e kaluar u bë nëpërmjet një procedure të mirëpërcaktuar, të fokusuar në analizën e riskut për rimbursim, sipas së cilës jo çdo kërkesë për rimbursim i nënshtrohet procedurave të kontrollit tatimor në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.