Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, zhvilloi një takim me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo. Ministri Dervishaj vlerësoi vendimin e Parlamentit dhe të qeverisë italiane, për heqjen e taksës “fikse” dhe atë të “qarkullimit”, duke lehtësuar transportuesit e mallrave ndërkombëtare shqiptarë, por edhe duke i dhënë një shtysë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe industrisë fason.
Ministri Dervishaj i kërkoi ambasadorit Cutillo, zbatimin e plotë të dekretit të heqjes së taksës “fikse”, në gjithë pikat doganore italiane, pasi ka shqetësime nga “Shoqata e Transportuesve” se në Portin e Barit dhe atë të Brindisit, masa nuk po aplikohet.
Nga ana e tij, ambasadori Cutillo, tha se ky shqetësim do të marrë zgjidhje brenda pak ditëve, kur dekreti për taksën “fikse”, të publikohet në Fletoren Zyrtare bashkë me disa akte nënligjore.
Në takim u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit për zhvillimin e Transportit Detar dhe potencialin e madh që mund të luajë ky sektor, në ekonominë e vendit. Transporti hekurudhor ishte një tjetër pikë e diskutimit, ku zoti Cutillo shprehu gatishmërinë e dhënies së asistencës teknike dhe financiare nga pala italiane.
Ministri Dervishaj dhe ambasadori Cutillo, u ndalen edhe te Procesi i Berlinit, duke e vlerësuar si një nismë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit të Ballkanit. Ambasadori Cutillo tha se pala italiane mirëpret projekte konkrete në fushën e Transportit dhe Infrastrukturës, për t’i diskutuar edhe në samitin e Romës që do të mbahet në qershor 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.