Kredia e kompanive publike këtë vit është në nivele më të ulëta. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator kredia në këtë segmentin kishte vlerën e 18.18 miliardë lekëve ose rreth 147 milionë euro.
Ajo është në rënie të lehtë për të dytin muaj radhazi, në rënie me afërsisht me 1% krahasuar me fundin e tremujorit të dytë.
Kredia për ndërmarrjet publike këtë vit paraqitet në rënie me 18.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tashmë, kreditë për ndërmarrjet publike përbëjnë rreth 3% të kredisë totale për ekonominë shqiptare, nga pothuajse 4% që përbënin një vit më parë. Pesha e tyre ka qenë edhe më e lartë deri në vitin 2018, kur KESH zëvendësoi një pjesë të kredive në bankat tregtare me linjë kredie me kushte më të favorshme të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kredia për ndërmarrjet publike është kryesisht në lekë dhe me afate të shkurtra maturimi, kryesisht në formën e overdrafteve për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.
Në pjesën më të madhe, rënia e portofolit të kredisë erdhi në muajin prill, me sa duket për shkak të maturimit të kredive ekzistuese në sektorin energjetik. Në këtë periudhë, kredia për sektorin publik pësoi rënie me pothuajse shtatë miliardë lekë.
Statistikat tregojnë se kredia për ndërmarrjet publike dominohet pikërisht nga sektori energjetik, me 76% të stokut aktual të kredisë. Kreditimi në këtë sektor historikisht ka mbështetur nevojat për blerje të energjisë elektrike nga importi dhe mbulimin e nevojave për likuiditet të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, duke qenë se ky sektor ka vuajtur historikisht nga probleme të këtij lloji, që e kanë pasur origjinën kryesisht në mosshlyerjen e faturave nga konsumatorët fundorë.
Mosrritja e stokut të kredisë në sektorin energjetik tregon se nevojat e KESH për financim në tremujorët e fundit mund të kenë qenë më të ulëta.
Kreditë e sektorit energjetik në një pjesë të madhe janë të garantuara nga qeveria shqiptare. Sipas Ministrisë së Financave, në fund të shtatorit vlera e garancive në favor të KESH, në fund të shtatorit, ishte rreth 9.1 miliardë lekë, që mbulojnë pesë overdafte të marra në bankat tregtare. Disa prej tyre, datojnë që nga viti 2008 dhe rinovohen periodikisht. Dy overdarftet në bankën Intesa Sanpaolo janë maturuar në muajin qershor dhe, sipas Ministrisë së Financave, janë në proces ristrukturimi, ndërsa overdaftet në Raiffeisen janë maturuar në fillim të muajit tetor dhe me shumë të ngjarë do të rinovohen. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.