Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi një kredi me vlerë prej 22 milionë eurosh dhe një garanci me vlerë prej 350 milionë eurosh për Republikën e Kroacisë.
Huaja dhe garancia për Modernizimin dhe Ristrukturimin e Projektit të Sektorit të Rrugëve ka për qëllim forcimin e efektivitetit institucional dhe rritjen e efikasitetit operacional të sektorit rrugor të Kroacisë.
Rrjeti rrugor i Kroacisë është pasuria më e madhe e infrastrukturës në vend, me më shumë se 75% të kërkesës së transportit.
Gjatë viteve të fundit, Kroacia ka ndërmarrë një zgjerim të rëndësishëm të rrjetit rrugor me investime të mëdha veçanërisht në autostrada, që synojnë integrimin e plotë të shumë rajoneve të vendit, duke nxitur rritjen e industrisë dhe turizmit, si dhe duke integruar rrugët kroate në një rrjet më të gjerë, atë europian.
Duke investuar masivisht në infrastrukturë në 20 vitet e fundit, kompanitë shtetërore kroate Hrvatske ceste (HC), Hrvatske autoceste (HAC) dhe autostrada Rijeka Zagreb (ARZ) kanë një borxh me vlerë rreth 5.2 milionë euro, të gjitha të garantuara plotësisht nga qeveria.
Ky sektor ka gjithashtu nevojë të adresojë më mirë sfidat që lidhen me qeverisjen, efikasitetin dhe transparencën.
Qeveria kroate aktualisht ofron mbështetje të konsiderueshme për sektorin e rrugëve, borxhi i së cilës sot ka rritur vlerën prej 11 për qind të PBB-së, prandaj ndërmarrjet shtetërore të sektorit rrugor nuk janë në gjendje të shërbejnë dhe të rifinancohen pa një garanci të dhënë nga qeveria. Qeverisja jo e duhur e korporatave, mungesa e investimeve të shëndosha dhe vendimet e financimit, së bashku me mbingarkesat dhe praktikat joefikase të mirëmbajtjes e kanë përforcuar më shumë këtë problem.
Modernizimi dhe Ristrukturimi i projekteve të Sektorit Rrugor synon të ofrojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të mbulojë shqetësimet institucionale, operacionale dhe financiare, duke mbështetur qeverisjen, ristrukturimin operacional, planifikimin dhe monitorimin e reformave që do t’i bëjnë ndërmarrjet shtetërore të sektorit rrugor më efikase.
Mbështetja do të synojë menaxhimin e investimeve institucionale dhe qeverisjen, si dhe menaxhimin e këtyre kompanive për të nxitur një kulturë pune të bazuar në rendiment të lartë dhe për të siguruar që investimet e ardhshme do të jenë të justifikuara ekonomikisht.
Projekti gjithashtu do të trajtojë praktikat operacionale, duke i bërë ato më efektive për të rritur të ardhurat dhe njëkohësisht për të ulur kostot operacionale. Këto veprime të propozuara mbështeten nga një kredi ekzistuese e BERZH-it që mbështet si rifinancimin, ashtu edhe ristrukturimin e sektorit të autostradës.
Drejtori Rajonal i Bankës Botërore për Vendet e Bashkimit Europian, Arup Banerji, tha se ishin shumë të kënaqur të mbështesim Kroacinë si në ristrukturimin operacional, edhe në atë financiar të sektorit të rrugëve publike, të cilat do të ndihmojnë Kroacinë të ecë në një rrugë financiarisht të qëndrueshme dhe të zvogëlojë nevojën për mbështetjen e shtetit në këtë sektor.
Ata që do të përfitojnë në radhë të parë nga përmirësimet në mirëmbajtjen e sektorit të rrugëve, do të jenë kryesisht qytetarët që do të kalojnë në këto rrugë, të cilat do t’u ofrojnë atyre siguri dhe komfort gjatë udhëtimit.
Nga ana tjetër, kompanitë e sektorit rrugor do të përfitojnë nga strategji të caktuara të optimizimit të borxhit, duke mundësuar që shumë prej këtyre veprimeve të përdoren për veprime operacionale, mirëmbajtje dhe investime të tjera, – përfundoi Banerji.
Financimi i projektit do të zbatohet nëpërmjet një kredie prej 22 milionë eurosh dhe një garancie deri në 350 milionë euro për t’i lejuar qeverisë të mbledhë fonde për rifinancimin e borxhit nëpërmjet huave apo obligacioneve, në dobi të huadhënësve komercialë ose investitorëve të obligacioneve.