Ka një arsye pse pikat e basteve dhe kazinove gjenden tashmë në çdo cep të vendit. Ato po rezultojnë, prej të paktën tre vitesh, si aktiviteti më fitimprurës në vend, me norma fitimi që arrijnë deri në 70%.
Në renditjen e 100 më të mëdhenjve ka 5 subjekte nga kategoria e kazinove dhe lojërave të fatit, nga 14 subjekte gjithsej të licencuara për këto aktivitete. Fitimet e këtyre 5 operatorëve në total ishin 3.7 miliardë lekë (27 milionë euro), apo sa një e treta e të ardhurave të raportuara. Normat e fitimit janë rritur dukshëm në 2017-n, në raport me një vit më parë.
APEX renditet në dhjetëshe për të dytin vit radhazi(1.7 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 70%, nga 51% vitin e mëparshëm.
Astra Albania raportoi fitime prej 621 milionë lekësh, me një normë prej 30% (nga 27% vitin e kaluar).
VLT Albania raportoi 500 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 45% (42% vitin e kaluar).
Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 32%.
Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 434 milionë lekë.
Top Start raporton fitime minimale.
ITSGA, ndonëse po i rrit të ardhurat me shpejtësi, duke arritur në 1.4 miliardë lekë në 2017-n, vijon të raportojë aktivitet me humbje.
Pas një shtyrjeje prej dy vitesh, në janar 2019 do të hyjë në fuqi ligji që detyron zhvendosjen e kazinove jashtë qyteteve.
Bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro në 2017-n, me rritje vjetore 9.3%. Biznesi më i madh është te kazinotë, që raportuan 10 miliardë lekë të ardhura (60% e totalit).
Megjithatë, rritja e aktivitetit të kazinove ishte minimale në 2017-n, ndryshe nga kompanitë e basteve sportive, që panë zgjerim të të ardhurave me 20%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.