Fundviti 2010, si dhe muajt e parë të këtij viti, duket se ka rihapur një faqe të re për sektorin e fasonit në vend.
Të dhënat zyrtare konfirmojnë rritje të ndjeshme të eksporteve në këtë sektor, ndërkohë që industrialistët presin shtim të madh interesi nga kompani perëndimore
Viti 2011 duket se po rikthehet në një nga periudhat më të mira për industrinë e fasonit në vend, e cila po rigjen partnerët e humbur dhe po rrit volumin e punës,
në një kohë kur ekonomia dhe tregjet europiane po e lënë pas krizën financiare që nisi në 2009-n. Sipas përfaqësuesve të industrisë, ky sektor, i cili përjetoi një krizë tejet të rëndë gjatë 2008-2009, duket se tashmë ka hapur një faqe të re.
Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave konfirmojnë se viti 2010 u mbyll me bilanc tejet pozitiv të eksporteve të fasonit, me rreth 56 miliardë lekë ose rreth 15% më shumë se një vit më parë.
Përfaqësuesit e industrisë konfirmojnë se edhe në muajt e parë të këtij viti, tendenca është pozitive dhe ka rritje të vazhdueshme.
Flamur Hoxha, president i Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, tregon se parashikimet janë pozitive, sepse numri i kompanive europiane që kërkojnë të nisin bashkëpunimin me firmat shqiptare, është në rritje.
“Ajo që po ndodh aktualisht është se shumë kompani të huaja, sidomos italiane, duke punuar në Rumani, Bullgari apo edhe në disa zona të Rusisë, po kërkojnë gjithnjë e më shumë të spostohen në shtete më periferike,
ku kostot e prodhimit janë më të ulëta. Këtu përfshihet edhe Shqipëria”, shpjegon Hoxha.
Në fakt, viti 2010 i dha ndihmë shumë të madhe sektorit, sepse u krijua stabilitet, sidomos në muajt e fundit të tij. Kjo solli siguri për të ardhmen për shumë kompani shqiptare të fasonit, i cili zë peshë të konsiderueshme në punësimin e brendshëm.
Kompanitë e huaja, pas sinjaleve pozitive që po merrnin nga tregjet, u garantuan edhe më shumë dhe si pasojë rritën interesin për të prodhuar më shumë. Kjo solli që t’i drejtohen Shqipërisë.
Çfarë po ndryshon
Një fakt interesant që po ndodh në sektor është nisja e bashkëpunimit me kompani të mëdha italiane, kryesisht nga zona e Veriut, që më parë e kishin zgjedhur Shqipërinë përmes palëve të treta, kryesisht Italinë e Jugut.
“Duke parë ecurinë pozitive të shumë konkurrentëve të tyre me kompani shqiptare, firma të njohura u shtynë që të kryenin marrëveshje direkte me ne, çka sjell ulje të kostove për të dyja palët”,
shpjegon Flamur Hoxha, njëherësh administrator i një prej kompanive më të mëdha të fasonit në vend “Kler”.
Një tjetër aspekt, që duket se ka ndihmuar industrinë tonë të fasonit, është reduktimi gjithnjë e më i shumtë i fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve që punojnë me material porositës në Rumani dhe Bullgari.
Të dyja këto dy vende, pas hyrjes në Bashkimin Europian, i kanë rritur pagat dhe mjaft detyrime të tjera, duke sjellë në këtë mënyrë që shumë kompani të kërkojnë vende me kosto më të ulët.
Rasti i fundit, që konfirmohet nga Dhoma e Veshjeve, është interesimi i dy kompanive të mëdha greke, që kishin ndërmarrjet e tyre në Rumani dhe janë larguar për shkak të rritjes së kostove.
Shanse në sfond
Duket sikur Shqipëria po kthehet në një “ishull” të artë për kompanitë europiane, që ushtrojnë aktivitet në industritë e veshjeve. Arsyeja është e thjeshtë: krahu i lirë i punës dhe cilësia e mirë që ofrohet nga firmat tona.
Në Itali, shumë ndërmarrje të qepjes së veshjeve, sidomos në atë të Jugut, por vazhdojnë të mbyllen ose do të shkojnë drejt saj, kjo sepse fuqia punëtore atje kushton.
Çdo ndërmarrje italiane do ta kishte mjaft të leverdisshme të “transportonte” aktivitetin e saj në Shqipëri, ku pagat e punonjësve në sektorin e fasonit janë disa herë më të ulëta se ato të “kolegëve” të tyre në Itali.
Ky është një element i rëndësishëm që konfirmon se gjithnjë e më shumë ndërmarrje në këtë sektor do të shkojnë drejt mbylljes dhe gjithnjë e më shumë do të shtohet interesi, ku kostoja e fuqisë punëtore është e ulët.
Një tjetër shans i mirë duket se vjen nga diversifikimi që po ndodh në industrinë e veshjeve në tregjet ndërkombëtare. Pas efekteve negative të krizës, shumë firma mësuan të bëhen edhe më atraktive për konsumatorët,
duke ofruar më tepër larmi dhe sasi më të vogla. Tregjet e modës duket se i janë shkëputur periudhës, kur dyqanet kishin sasi të pafundme veshjesh me një model unik.
Ky fakt është një “plus” i madh për Shqipërinë, sepse ndërmarrjet këtu janë të vogla dhe mund të qepin sasi të vogla që kërkohen dhe nga ana tjetër mund t’i qepin dhe t’i dërgojnë shpejt në tregjet europiane, falë afërsisë gjeografike që ka me to.
Sipas kreut të Dhomës, Flamur Hoxha, në këtë aspekt, Italia është padyshim një potencial, që duhet medoemos shfrytëzuar, sepse ka afërsi gjeografike të madhe dhe ka lehtësinë e shtrimit të bashkëpunimit, prej shumë vitesh.
“Ajo që ne ofrojmë sot është sasia e vogël, cilësi e mirë, dërgimi i shpejtë në tregjet e huaja, si dhe njohja e gjuhës që ndihmon në ngritjen e shpejtë dhe efikase të marrëdhënieve”, sqaron Hoxha.
Këto karakteristika janë të nevojshme për mjaft industri europiane që kërkojnë t’u përshtaten shijeve të konsumatorëve të tyre.
Por ende shumë mangësi…
Por me gjithë shanset që sot i ofrohen këtij sektori, shumë kompani nuk po munden t’i shfrytëzojnë dot ato. Fakti që në vend nuk ka më shumë se dhjetë firma të mëdha të fasonit, të afta për të “kënaqur”
kërkesat e industrialistëve europianë, konfirmon se me gjithë zhvillimin gati 20-vjeçar të sektorit, është investuar pak.
Shumë firma kanë punuar “sot për nesër” pa investuar në teknologji dhe në staf, duke u kujdesur vetëm për marrjen e të ardhurave dhe jo në afate të gjata.
Këto ndërmarrje të vogla janë edhe më “të pambrojturat” në raste vështirësish dhe këtë e konfirmoi kriza e vitit 2009, sepse shumë prej tyre u detyruan të shpallnin falimentin dhe të mbyllnin njëherë e përgjithmonë aktivitetin.
Ndërkohë, firma të tjera arritën të mbijeton duke punuar me pak porosi dhe me numër reduktuar punonjësish. Disa të tjerë zgjodhën të shpërngulnin aktivitetin në qytete me kosto më të ulët jetese,
si rrjedhojë me paga të ulëta, me synimin për të reduktuar në maksimum kostot.
Por tashmë duket se është bërë e nevojshme që të investohet në teknologji. Sipas të dhënave nga fasonistët, shumë ndërmarrje janë duke investuar në këtë drejtim,
ndërkohë që në disa raste janë vetë partnerët ndërkombëtarë që kanë shprehur gatishmërinë për të asistuar firmat shqiptare. Kjo vlen më shumë për firmat italiane, që u intereson kryesisht të nxitin ndërmarrjet e fasonit sesa të mbajnë ndërmarrje në Itali.
Nxitja, koha për paketë të plotë veshjesh
Një detyrë e rëndësishme që u del përpara ndërmarrjeve shqiptare është rritja e tyre dhe përshtatja me kërkesat e industrisë europiane.
“Sektorit do t’i jepte spunto të madhe ofrimi i paketave të plota të veshjeve, që nga këpucët, veshjet dhe deri tek kapelja. Kjo është një paketë që do të sillte në Shqipëri kompani të mëdha të prodhimit të veshjeve,
që do të mund të merrnin produktet e dëshiruara me cilësi dhe në një kohë të shpejtë. Por kjo mund të arrihet vetëm nëse krijohet një zonë industriale, që nënkupton grupimin e disa ndërmarrjeve për ofrimin e kësaj pakete.
Nëse realizohet kjo dhe ne jemi duke biseduar me një kompani të huaj, do t’i jepte zhvillim shumë të madh industrisë”, thotë Gjergji Gjika, drejtues i Shoqatës së Fasonistëve.
Por realizimi i këtij projekti duket i vështirë, me gjithë “gatishmërinë” europiane nga ana tjetër.
Ndërkohë, sipas Flamur Hoxhës, një hap tjetër që duhet ndërmarrë nga kompanitë shqiptare është rritja e kërkesës ndaj partnerëve të huaj, që duhet të bëhet njëherësh me shtimin e prodhimit.
“Duhet të jemi më kërkues ndaj partnerëve tanë, sidomos për çmimet që u ofrojmë atyre, sepse realisht janë të ulëta”, thotë ai.
Gjeografia
“Të izoluar” vetëm me Italinë
Pavarësisht se shumë kompani biznesi kanë deklaruar se kanë gjetur lidhje të reja tregtare përtej tregjeve tradicionale, si Italia e Greqia, statistikat tregojnë se vitin e kaluar, Shqipëria u bë edhe më shumë e varur nga Italia.
Gjatë vitit të kaluar, rreth 83% e eksporteve të fasonit ishin pikërisht në Itali.
Edhe konfirmimet që vijnë nga përfaqësuesit e sektorit konfirmojnë se shtimi i kërkesave për bashkëpunim është më së shumti nga kompanitë italiane, që duket se e kanë gjetur “gjuhën” e bashkëpunimit me shqiptarët.
Siç konfirmohet, risi është shtimi i më shumë partnerëve nga Italia e Veriut, e cila është shumë e zhvilluar në industri. Kjo tendencë duket se nuk do të ndalet, në një kohë kur industrialistët kanë preferuar të ruajnë marrëdhëniet me italianët,
për shkak të çmimeve më të mira që ato ofrojnë dhe fleksibilitetit në marrëdhënien që ngrihet.
“Industria e fasonit ka gjithnjë e më shumë tendencën për t’u orientuar drejt Italisë, kryesisht për shkak të afërsisë së madhe gjeografike që kemi me të. Shtimi i bashkëpunimit me Italinë është shumë pozitiv,
sepse është një treg në rritje dhe është padyshim një perspektivë e së ardhmes.
Pritet që në vitet në vazhdim të reduktohen eksportet me shtetet e tjera dhe të rriten ato me Italinë, që në fakt është një nga tregjet më të mëdha në fashion”, shprehet Hoxha.
Sipas tij, në këtë mes nuk ka ndonjë “rrezik” për moszhvillim të sektorit, sepse kompantë italiane që kërkojnë të vijnë në Shqipëri, kërkojnë cilësi, shpejtësi dhe procese të plota.
Në këtë aspekt, mbetet i vështirë shtimi i marrëveshjeve me Gjermaninë, e cila zë rreth 6% të eksporteve të fasonit për vitin 2010. Megjithëse kompanitë gjermane kanë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqin interes për kompanitë shqiptare,
ofrojnë ende çmime jo “të kënaqshme” për palën vendase.
Ndërkohë, eksportet me Greqinë zunë rreth 5% të eksporteve të fasonit.
Fqinji ynë jugor blen nga Shqipëria veshje të gatshme apo gjysmë të gatshme, por kriza e uli ndjeshëm kërkesën për këto mallra.
Rajoni i Korçës, ku është vendosur pjesa dërrmuese e kompanive të veshjeve dhe këpucëve që punojnë me kontrata në Greqi, ka qenë edhe më i godituri nga kriza.
Shumë punëtorë janë raportuar si të pushuar nga puna, ndërsa disa fabrika janë mbyllur.
Propozimi
Paketë e veçantë fiskale
Për Presidentin e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, industria e fasonit po e tregon tashmë më së miri potencialin e madh që ka, sidomos në punësimin në vend.
Por sipas tij, ende qeveria apo institucionet politikëbërëse në vend, nuk po e shikojnë dhe vlerësojnë këtë sektor ashtu siç duhet.
“Sektori ynë është padyshim më potenciali në vend, dhe për këtë duhet nxitur nga qeveria, por po shohim se ende asgjë nuk është bërë në këtë drejtim”,-thotë Flamur Hoxha.
Ai sugjeron se një mënyrë shumë efikase për ta bërë shumë konkurrues fasonin shqiptar, është ideimi i një paketë të veçantë fiskale. Kjo paketë, duhet të ketë lehtësira fiskale,
që kryesisht kanë të bëjnë me nivelin e taksave dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore, të cilat do të ndihmojnë industrialistët të ulin akoma më shumë kostot, të shtojnë investimet dhe volumin e punës.
“Kur e kemi hedhur idenë e kësaj paketë, kemi marrë përgjigje negative nga qeveria, me idenë se nuk duhen ndjekur politika preferenciale për biznese të caktuar. Por ne jemi të bindur se nëse kjo ndodh sektori do të marrë një hov të ri”,-thotë Hoxha.
Sipas tij, hartimi i një paketë të veçantë do të sillte një ndikim tepër të madh tek investitorët e huaj.
Do të duhej medeomos që hartimi i saj të ndiqej edhe nga promovimi, qoftë në media apo web-e, ku menjëherë sapo një investitor i huaj të interesohej për marrëveshje me fasonisët shqiptarë, të informohej me këto lehtësi, që ndihmojnë sektorin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.