Një projekt për ndërlidhjen e rrugëve lokale dhe rajonale, i financiar nga Banka Botërore me 50 milionë dollarë po i jep vëmendje të veçantë tre rrugëve që të çojnë në destinacione të rëndësishme turistike.
Bëhet fjalë për ndërhyrjen në rrugën e Tushemishtit, atë të Semanit në Fier si dhe në Theth. Në rishikimin e fundit që i ka bërë projektit, Banka Botërore shprehet e kënaqur me ecurinë e procedurave, por nënvizon se është në dorën e qeverisë për të përshpejtuar procesin e punës. Ky institucion e lidh këtë me procesin e shpronësimeve apo blerjen e disa shiritave të nevojshëm të tokës në zonat ku ndërhyn projekti dhe që do të shërbejnë për zgjerimin e trotuareve dhe koristë e biçikletave.
Por çfarë thotë saktësisht Banka Botërore në dokumentin e publikuar në datë 19 qershor për këtë projekt.
“Misioni ra dakord me agjencinë zbatuese, Fondin Shqiptar të Zhvillimit për një plan pune lidhur me aktivitetet e prokurimit për të tre rrugët: Tushemishtin në Bashkinë e Pogradecit, Thethin në Bashkinë e Shkodrës dhe rrugën e Semanit në Bashkinë e Fierit. Në veçanti, plani i punës vendos afate për t’u plotësuar lidhur me prokurimin e punëve civile dhe inxhinierëve të mbikëqyrjes për rrugën e Tushemishtit dhe atë të Thethit deri në prill 2019 dhe për rrugën e Semanit në verën 2019. Ky plan kërkon përpjekje domethënëse nga ekipi i dedikuar i këtij projekti në Fondin Shqiptar të Zhvillimit përfshirë një koordinator projekti, inxhinier, specialist të prokurimeve dhe të sigurisë.
Po kështu nisja e punimeve civile në rrugën e Tushemishtit dhe Semanit do të kërkonte blerjen e disa shiritave të vogla të tokës për të çuar në fund projektin e zgjerimit me trotuare dhe korsinë e biçikletave. Edhe pse Fondi vlerëson se koha e risistemimit është shtatë muaj e gjysmë, ne kemi besim se qeveria mund ta përshpejtojë këtë proces përmes alokimit të buxhetit të nevojshëm që të kompletojë këtë deri në kohën e nënshkrimit të kontratës së punimeve”, thuhet në dokument.
Projekti për rrugët lokale dhe rajonale synon nxitjen e turizmit dhe zhvillimin e ekonomive lokale në të paktën tre destinacionet që preken prej tij. Ai përbëhet nga tre komponentë, ku i pari është përmirësimi i aksesit në këto zona me një fond prej 48.88 milionë dollarësh. Komponenti i dytë është ndërtimi i kapaciteteve të bashkive me një kosto 1 milion dollarë. I treti ndalet në mbështetjen e zbatimit me 2 milionë dollarë dhe në fund, tarifa përmbyllëse me një kosto 0.12 milionë dollarë, parashikuar në shpenzimet e projektit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.