Industria e përpunimit të mishit është një treg që duket se po shkon drejt mbingopjes, duke ndjekur të njëjtën tendencë si industria e ujit, përpunimit të lëngjeve të frutave apo tullave, të cilat kanë kaluar gjithashtu në të njëjtën fazë. Të dhënat e fundit nga operatorët konfirmojnë se numri i fabrikave të prodhimit të sallameve dhe proshutave ka arritur në 40-50 në të gjithë vendin, ku peshën kryesore e ka Tirana, me 7-8 fabrika.
Sipas Ilir Tafaj, të kompanisë “Arilta”, shitjet në treg po vijnë në rënie nga viti në vit, ku shkaku kryesor është numri i madh i prodhuesve. Operatorët konfirmojnë se në 2010-n, tregu pësoi rënie me rreth 15% krahasuar me një vit më parë
“Sot në të gjitha qytetet e vendit ka punishte të prodhimit të sallamit, që i shesin produktet në tregun lokal. Sipas të dhënave që ne kemi, në çdo rreth ka dy-tre fabrika”, thotë Tafaj.
Nga të dhënat e tregut, rezulton se pikërisht kompanitë më të vogla po vuajnë rënien e shitjeve të tyre, për shkak të rritjes së konkurrencës. Firmat e mëdha po vazhdojnë të konsolidojnë pozitat në tregun vendas.
“Viti 2010 ka shënuar rritje kundrejt një viti më parë në masën 8%. Në tre muajt e fundit, rritja ka qenë më e vogël se në pjesën tjetër të vitit, veçanërisht në dhjetor, ku rritja ka qenë vetëm 2% kundrejt dhjetorit të vitit të kaluar. Arsyet duhet t’i analizojmë, por paraprakisht supozojmë që nuk ka ndodhur ajo rritje e popullsisë në fundvit, nga ardhja e emigrantëve si vitet e mëparshme”, shprehet Luan Leka, president i kompanisë së përpunimit të mishit, EHW.
Ngërçi i konkurrencës
Ashtu si edhe industritë e tjera gjatë kësaj periudhe, edhe sektori i përpunimit të mishit po përballet me rritje të kostos së prodhimit, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para. Sipas të dhënave nga operatorët, mishi i importuar tashmë vjen me çmim më të lartë se disa muaj më parë, kjo edhe si pasojë e taksave të larta doganore që aplikohen për këtë produkt.
“Ky fakt duket se po shfrytëzohet shumë mirë nga fqinjët tanë, që po rrisin edhe më shumë peshën e tyre në treg, sepse hyjnë me çmime më të lira se ne. Në Greqi apo Serbi, nga ku importohet kryesisht, kostot e prodhimit janë më të lira, sepse fabrikat atje, ndryshe nga Shqipëria, shfrytëzojnë lëndën e parë që vjen nga fermat brenda vendit”, thotë Ilir Tafaj, i “Arilta”.
Një faktor që ka shtuar konkurrencën nga firma të rajonit janë edhe zinxhirët e tregtisë së pakicë, “Mercator” dhe “Euromax”, përkatësisht me pronësi sllovene dhe serbe, të cilët tregtojnë sallame e proshuta nga vendet e tyre, duke shfrytëzuar rrjetin.
Edhe të dhënat e MBUMK, për vitin 2009, konfirmojnë faktin se sasia e proshutës dhe sallamit të importuar ishte 4.83 mijë tonë, me rritje prej rreth 3% krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve të tregtisë ushqimore, me hyrjen e rrjetit “Mercator”, sasia e nënprodukteve të importuara pritet të rritet më tej këtë vit. Sipas tyre, konsumatorët që kërkojnë prodhime të përpunuara po orientohen gjithnjë e më shumë drejt atyre më cilësore. Në fakt, prodhimi i sallamit dhe proshutës që mban emrin italian ka një periudhë staxhionimi deri në pesë herë më të lartë se ajo e prodhimeve vendase. Por shija më e fortë e produkteve të staxhionuara kushton po ashtu më shtrenjtë.
Tregu i importit ka ndryshuar pothuajse tërësisht sa i përket vendeve nga të cilat furnizohemi. Nga të dhënat statistikore, tregu kryesor i huaj nga ku importojmë është Bosnjë-Hercegovina. Në vitin 2009, mbi 70% e importeve të proshutës e sallamit të importuar vinin nga ky treg. Sipas të dhënave doganore, në 2007-n, importonim nga Bosnja vetëm 5% të prodhimit.
Në tregun e pakicës një kilogram proshutë e prodhuar në vend kushton mesatarisht 600 lekë, ndërsa ajo e importit kushton 1700-1800 lekë/kg.
Pse mungon lënda e parë shqiptare
Por në një kohë kur konkurrenca nga kompanitë fqinje është në rritje, fabrikat shqiptare duket se e kanë të pamundur që ta gjejnë lëndën e parë në vend.
Të gjithë prodhuesit vendas pa përjashtim blejnë mish të importuar dhe nuk e marrin atë nga fermat vendase.
Siç shpjegon presidenti i EHW-së, kostoja e mishit vendas është më e lartë se ai i importuar, për shkak të kostos së lartë së prodhimit.
“Në kultivimin e derrave, mishi i të cilëve përdoret masivisht nga industria, 70-80% të kostos zihet nga ushqimi i tyre, por duke qenë se në Shqipëri nuk prodhohet ushqim për blegtorinë, çmimi i mishit vendas rezulton më i shtrenjtë se ai i huaj”, shpjegon Leka. Ndryshe nga vende të zhvilluara të Amerikës Latine, por edhe ato europiane, Shqipëria nuk prodhon ushqim për blegtorinë, çka e bën atë automatikisht shumë pak konkurruese për industrinë e përpunimit të mishit.
Operatorët tregojnë se edhe ata sipërmarrës që kanë ndërmarrë nisma të ngritjes së fermave, kanë dështuar, sepse kjo zgjidhje dëmtoi kompaninë, duke rënduar kostot.
“Ne sot importojmë racë të keqe mishi, me cilësi të ulët dhe shumë pak garanci”, shprehen operatorët e tregut.
Të gjitha linjat e tregtimit të sallameve që tregtojnë sot mish të freskët, qoftë ky derri apo viçi, e importojnë atë nga vende të largëta, si Argjentina, Brazili, por edhe nga Europa, si Gjermania apo Hungaria.
Asnjë prej tyre nuk tregton mish vendi, megjithëse mishi i bagëtive vendase preferohet më shumë nga konsumatori. Sipas të dhënave nga operatorët, mishi i derrit vendas është rreth 60% më i shtrenjtë se ai i importit dhe mbi të gjitha, nuk ka as certifikata sigurie.
Por ndonëse fermat vendase nuk janë konkurruese për mishin e derrit, sipas Luan Lekës, është më konkurruese në kultivimin e mishit të viçit, që ka një traditë të hershme dhe të mirë. “Mishi i viçit ka një shans për t´u lidhur me linjat e tregtimit të fabrikave, për shkak të traditës që ai ka ndër vite. Kjo mundësi po shihet nga sipërmarrësit”, thotë ai.
Konsumi, 4.3 kg/vit
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, bazuar në importin dhe prodhimin, rezulton se çdo shqiptar konsumon 4.3 kg sallame e proshuta në vit.
Por duke marrë për bazë se një pjesë e mirë operatorëve të tregut, sidomos ata në rrethe, janë punishte të vogla, aktiviteti i të cilave është pak i formalizuar, konkludohet se konsumi është edhe më i madh.
Nga operatorët vendas konfirmohet se tregu ka pësuar rënie prej 15% krahasuar me vitin 2009, fenomen që duket se ka prekur kompanitë e vogla dhe jo “të mëdhatë”.
Sipas të dhënave statistikore nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK), tregu i nënprodukteve të mishit në vitin 2009 pësoi rënie prej 8%, me një sasi të tregtuar prej 13,7 mijë tonësh. Por vlera e sallamit dhe proshutës në treg ka pësuar rritje të lehtë. Mes prodhimit dhe importit vlera e tregut arriti në rreth 3.9 miliardë lekë.
Tkurrja e sasisë së tregtuar ka ardhur tërësisht nga ulja e prodhimit vendas. Nga të dhënat e agro-industrisë, për vitin 2009 u prodhuan 8.9 mijë tonë nënprodukte mishi, me një vlerë prodhimi 3.43 miliardë lekë. Sasia e prodhuar në vend për 2009-n u ul 12% krahasuar me një vit më parë.
Një problem për industrinë mbetet pamundësia e faturimeve me TVSH për blerjet nga tregu i brendshëm, gjë që çon në pamundësinë e zbritjes së TVSH-së së blerjeve, duke e transformuar TVSH-në e shitjeve plotësisht në kosto. Sipas presidentit të EHW-së, për të normalizuar tregun duhet të pranohet një sistem i vetëfaturimeve për blerjet në tregun vendas.
Eksportet, një treg i pamundur
Tregu i huaj duket i largët dhe i paarritshëm për industrinë e përpunimit të mishit. Për sa kohë ata punojnë me lëndë të parë të importuar, asnjë prej përpunuesve nuk e shikon me interes eksportin. Pengesë për eksportet, sipas përpunuesve, bëhen edhe tregjet e huaja.
Sipas të dhënave të MBUMK, eksportet e vitit 2009 u rritën 10%, por vlera është e ulët 3.3 mijë lekë, më pak se 70 tonë.
“Heqja e barrierave që pengojnë eksportin në vendet e komunitetit europian të produkteve të mishit, sidomos për ndërmarrjet përpunuese, të cilat janë certifikuar nga institucione të besueshme europiane siç është rasti i EHW”, thotë Luan Leka.
Siç shpjegon ai, është emergjente nevoja e vendosjes së parametrave europiane për sigurinë ushqimore, duke filluar nga kontrolli veterinar. Aktualisht nuk bëhen të gjitha kontrollet që do të duhej të bëheshin, për të dalë në eksport me produktet shqiptare të mishit.
Rritje nga diversifikimi
Në më shumë se një dekadë, përpunuesit e mishit kanë bërë politika industriale, që u mundësojnë të qëndrojnë në mënyrë solide në treg. Ata kanë bërë investime në pajisjet frigoriferike dhe në hapësira të mëdha të dyqaneve të shitjes, të cilat po i shfrytëzojnë për të tregtuar më shumë prodhime. Tregtimit të mishit, në dyqanet e këtyre kompanive u janë shtuar produktet e bulmetit, por edhe prodhime ushqimore.
Edhe për vitin 2011, kompanitë kryesore në vend kanë planifikuar që të kenë shtim të të ardhurave dhe dominancës së tyre në treg.
“Mendojmë që në vitin 2011 të ruajmë tendencën e rritjes në masën 5-7%. Për këtë qëllim kemi planifikuar investime që lidhen me realizime produktesh të reja, rritjen e jetëgjatësisë së produkteve, përmirësimin e paketimit etj. Do të ketë punësime të reja me tendencën që të shkojnë në harmoni me rritjen e prodhimit dhe shitjeve”, thotë presidenti i EHW.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.