Përfituesit nga programi IPARD II, për të cilin thirrja e parë do të hapet në vjeshtë, do ta kenë më të thjeshtë dhe të lehtë të marrin kredi. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi nënshkroi , “Marrëveshjen e Bashkëpunimit” për të lehtësuar kredimarrjen për këtë grup kredimarrësish. Për ministrin Peleshi, programi IPARD II, është sfida më e madhe që i parashtrohet bujqësisë shqiptare, dhe vështirësia qëndron në përthithjen e fondeve të këtij programi, gjë që kërkon kapacitete njerëzore dhe mjete financimi.
Në anë të kësaj “Marrëveshje Bashkëpunimi”, e cila erdhi si përgjigje e ftesës së Ministrisë së Bujqësisë, drejtuar sistemit bankar dhe më gjerë, shumë shpejt disa banka të nivelit të dytë, si Intesa Sanpaolo Bank Albania, Société Générale, Procredit, në bashkëpunim me disa institucione financiare mikro-kredie, si FED –invest, NOA, AK-Invest, Fondi Besa do t’ u vijnë në ndihmë sektorit, duke mbështetur një pjesë të riskut, duke i bërë ato më “dorëlëshuara”, në dhënien e kredisë fermerëve apo agropërpunuesve.
“Ajo që ne po bëjmë sot, në fakt është një lajm shumë i mirë për të gjithë të interesuarit potencialë të skemës së IPARD-it, sepse me 5 institucione financiare të kreditidimit dhe me tri banka pjesë e programit tonë të “Fondit të Garancisë”, po firmosim një marrëveshje, sipas së cilës të gjithë fituesit e IPARD-it, do të kenë mundësi të aksesojnë burimet e financimit me kredi, pranë këtyre institucioneve në një kohë më të shpejtë, me kushte gjithnjë e më të mira” tha Peleshi.
Për më shumë, kjo marrëveshje synon që këto institucione të angazhohen, për t’i dhënë kredi fituesve të AZHBR-së. Kontrata e fituesit me AZHBR-në do të shërbejë si një kolateral, për marrjen e këtyre kredive me kushte lehtësuese.
“Të gjithë të interesuarit e IPARD-it, të cilët akoma e kanë të pazgjidhur financimin e pjesës tjetër të projekt-idesë të tyre, pra rreth të 50%, që iu duhet ta financojnë nga burimet e veta, ne u japim tani mundësinë e financimit me kreditim, nga këto tetë institucione financimi dhe banka, të cilat angazhohen në një farë mënyre, mbase nxitohem ta them, e pranojnë si një kolateral shumë të fortë, marrëveshjen e subjektit me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për fitimin e një granti.” theksoi ministri
Kjo marrëveshje do të nxisë zhvillimin e financimeve të qëndrueshme në sektorin e agrobiznesit duke ofruar në vazhdimësi linja të kreditimit të biznesit me norma te favorshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.