Autoriteti Portual Durrës ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik për zgjerimin e parkimit ekzistues që përdoret për kamionët që presin për skanim. Fondi i vënë në dispozicion për realizimin e projektit është rreth 49 mln lekë. Afati i dorëzimit të ofertave të kompanive që do të kryejnë punimet është deri më 4 janar 2021.
Në projekt parashikohet që sipërfaqja e re, duke u integruar në parkimin ekzistues TIR, do të mundësojë akomodimin e 35 kamionëve që presin radhë për të kryer procedurën e skanimit.
“Ky parkim do të përdoret jo vetëm, si parkim afat gjatë për kamionë, por edhe për parkim ditor, në të cilin kamionët presin për skanim dhe më pas në ambientin ekzistues të presin për të kryer procedurat e tjera përpara se të imbarkohen”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Sheshi parashikohet të funksionoje për lëvizjen e trajlerave me ngarkese 25 ton, si dhe për ngarkesa 4 ton/m2.
Në muajin shtator ky autoritet shpalli tenderi me vlerë 2 mln lekë për hartimin e projektit të zgjerimit të parkimit me sipërfaqe të re 7,000 m2.
Lexo këtu: Porti i Durrësit hap garën për ngritjen e parkimit prej 7,000 m2, për kamionët që presin për skanim
Punimet për zgjerimin e parkimit parashikojnë të zgjidhin edhe problemit e trafikut që krijohet nga qëndrimi i kamionëve për skanim. Sipas të dhënave të autoritetit Portual Durrës, në subjektin S2 Albania, skanohen në ditë rreth 200 mjete. Procesi i skanimit të një mjeti zgjat rreth 30 minuta. Sakaq radha e pritjes për të hyrë në godinën e skanerit pozicionohet në rrugën kryesore, duke shkaktuar rëndim të trafikut dhe bllokim të akseve rrugore nga rotondo e daljes, sheshi i trageteve, deri tek porta 4 dhe në segmentin e rrugës në kalatën lindore.
Ndërhyrjet që parashikohen për parkimin janë që nga punimet e shtresave dhe shtrimi të sheshit me beton për sipërfaqe rreth 7,000 m2; vendosja e të gjithë elementëve të nevojshëm në sheshin e ri, duke përfshirë ndër të tjera, vendosjen e kullave të reja për ndriçimin e sheshit dhe rrjetin e nevojshëm elektrik, rrjetin e ujërave të shiut, sistemin e fikjes së zjarrit, etj; punime për trotuare, kanalizime, shtrime tubash për rrjete elektrike dhe IT, në anën e parkimit; plotësimi i gjithë zonës me sinjalistikën rrugore përkatëse.
Punimet e tjera për realizimin e projektit konsistojnë:
-Ndërtimi i sheshit të ri të parkimit
-Sistemi dhe plotësimi i rrethimit të sheshit të Parkimit TIR
-Sistemimi i trotuarit dhe rrugës për në Terminalin Lindor
-Sistemimi i Portës hyrësë në Terminalin Lindor
-Rikonceptimi i trafikut dhe plotësimi me sinjalistikë rrugore horizontale dhe vertikale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.