Në tregun vendas po vihet re një ulje e pazakontë e çmimeve për veshjet dhe këpucët nga 10%-60%, fenomen që nuk ka ndodhur më parë. Tregtarët thonë se është ulje sezoni dhe se ka rënë fuqia blerëse. Në fakt, pas këtyre arsyeve fshihen të tjera shkaqe që paralajmërojnë “festë” për konsumatorin dhe frikë për biznesin vendas. Kina e largët po na kërcënon.Për një darkë mes miqsh apo edhe për një festë duhet të jesh e gatshme të shpenzosh edhe për të rifreskuar veshjen tënde. Teksa ecën në rrugë joshesh për të blerë një fund, një bluzë të re, një kostum apo një palë pantallona, ndaj dhe fryma mbahet te dyqanet, të cilat në fillim i sheh me mosbesim. “Ulje drastike”, “likujdim total” apo edhe “Shitje nën kosto”, këto janë lajmërimet që ndesh sot pothuajse në të gjitha dyqanet e kryeqytetit. Me një shumë parash në xhep, çdo njëri nga ne prej disa javësh është joshur për të bërë pazar teksa jo pa indiferentizëm ka vërejtur se shumica e dyqaneve kanë lajmëruar ulje çmimesh 10-60%. Butikët të konsideruar Vip, bëjnë ulje më pak të ndjeshme, për shkak se mallrat të cilët ata shesin janë të firmave të njohura dhe kjo i dedikohet edhe luhatjeve, të cilat bëhen në tregjet paralele me vendet e origjinës. Kështu, një palë pantallona për femra nga 5 mijë apo edhe 6 mijë lekë që kanë qenë në fillim të vitit, tashmë në dyqane mund ti gjesh edhe me një çmim që varion nga 2500 deri në 1500 lekë. Një bluzë shitet nga 3 mijë lekë deri edhe në 1 mijë lekë, por uljet varen nga materiali dhe dizenjoja. Edhe kostumet, si për meshkuj ashtu edhe për femra, tashmë mund të gjenden me gjysmë çmimi. Nëse më parë një kostum për femra mund të kushtonte nga 20 mijë apo edhe 30 mijë, tashmë mund të gjendet edhe për 15 mijë apo 10 mijë lekë.Gati të gjitha veshjet por edhe një pjesë e mirë e këpucëve importohen. Fare pak, vetëm 3% e prodhimit vendas shiten në tregun e brendshëm, shifër kjo e papërfillshme për të ndikuar në uljen e çmimit. Tregtarët e butikëve thonë se çmimet janë ulur për shkak të efektit sezonal, pasi edhe në vendet e tjera prej nga vjen sasia më e madhe e këtyre mallrave po bëhet ulje sezonale. Të tjerë tregtarë thonë se këta muajt e parë të vitit ka pasur një rënie të fuqisë blerëse në treg, ata kanë më pak blerje dhe janë detyruar të rrisnin qarkullimin mujor nëpërmjet uljes së çmimeve, për të provokuar një rritje të sasisë së produkteve të shitura. Këtë fakt tërthorazi e përforcojnë edhe të dhënat nga INSTAT, të cilat tregojnë se volumi tregtar i Shqipërisë për grupin e mallrave veshje dhe këpucë ka rënë gjatë kësaj pjese të parë të vitit. Por këto dy rasye nuk mjaftojnë. Ngjarjet në tregjet me të cilat Shqipëria ka më shumë ndërvarrje, na japin një tjetër panoramë dhe kanë ngritur shumë pikëpyetje. Mos vallë rënia e eksporteve ka sjellë që produkti i prodhuar nga ndërmarrjet vendase ka filluar të shitet në tregun e brendshëm duke sjellë edhe rënie të çmimeve? Po vendet fqinjë si Italia, me të cilët kryhen 70% e eksporteve me material porositësi, pse ka ulur kërkesën, ndërkohë dhe në dyqanet e saj çmimet e veshjeve dhe këpucëve kanë pësuar ulje? E thënë hapur, Kina dhe India edhe pse milje larg nesh kanë zgjatur duart dhe po bëjnë kërcënim. Nuk është ulje sezoni për gjunjëzim përpara konkurrencës.Vendet europiane, nga të cilat importojmë veshjet, po kërkojnë gjithnjë e më shumë tregje ku fuqia punëtore është disa herë më e lirë, duke sjellë edhe uljen e kostos përfundimtare të produktit. E përballë kësaj, fasonistët shqiptarë duhet të “luftojë” për të shmangur Kinën, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë industrialistët e mëdhenj europianë për të prodhuar me fuqinë e saj punëtore që është pothuajse 10 herë me e ulët. Çka do të thotë se artikujt që përpunohen në Shqipëri mund të rrezikojnë të humbasin treg. Tregu vendas “i pafuqishëm” në tekstileËshtë ndër sektorët e vetëm ai i industrisë, që flet shpesh për një bilanc pozitiv tregtar. Nga viti 2004 deri në vitin 2005, shifrat vijnë në rritje. Sipas INSTAT-it, eksportet shqiptare gjatë vitit që lamë pas, janë përbërë kryesisht nga mallrat e industrisë së fasonit, ose të produkteve që përpunohen në vend dhe kanë zënë rreth 60% të totalit. Edhe pse kemi një shifër të tillë, kjo industri rrezikon të shkojë drejt falimentimit për shkak të mungesës së procedurave mbrojtëse nga pala shqiptare. Nëse nga Italia importohet lëkurë me origjinë nga BE, pritet, qepet dhe paketohet në Shqipëri, atëherë vlera e lëkurës me origjinë nga BE i shtohet vlerës së produktit përfundimtar (këpucës) dhe këpuca merr origjinë shqiptare. Por nëse lëkura vjen e prerë dhe vetëm montimi i pjesëve bëhet në Shqipëri, atëherë, siç u përmend edhe në paragrafin e mësipërm, transformimi është i pamjaftueshëm për të fituar origjinë shqiptare. Në fakt, u bë një përpjekje, të paktën në letra për të mbrojtur këtë industri, por shifrat u treguan më kokëforte sesa masat e një ligji që ende nuk po zbatohet. Në fund të viti 2004, Kuvendi i Shqipërisë, për ti nxitur edhe më tepër eksportet e këtij grupi, vendosi disa masa për ti lehtësuar procedurat në këtë industri. Me miratimin e këtyre masave, pretendohej që Shqipëria të kishte një rritje të ndjeshme të eksporteve të grupit tekstile dhe këpucë, por të dhënat e tregtisë së jashtme për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, të publikuara nga INSTAT-i, hodhën poshtë këto pretendime. Sipas këtyre të dhënave, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2005 industria e tekstileve shënoi një rritje të papërfillshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja prej 2,9% ose, e shprehur në vlerë, me rreth 1 miliard lekë e eksporteve të këtij grupi, nxori në pah dështimin e politikës shqiptare për mbështetjen e manifakturave. Arsyet e dështimit duket se janë humbja e përparësisë në kosto. Në lojë nuk është vetëm Shqipëria, pasi edhe vende të tjera janë të interesuara në këtë sector. Kështu, përveç Kinës, shtete të tjera si Rumania apo Bullgaria, kanë filluar të kenë rritje të eksporteve të manifakturave në tregjet europiane. Industrialistët e këtij sektori thonë se Shqipëria duhet të mendojë për ecurinë afatgjatë të industrisë së veshjeve dhe këpucëve, nëpërmjet investimit në shkollat e aftësimit profesional. Nëse i referohemi shifrave vërehet se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, eksportet e grupit tekstile dhe këpucë kanë qenë rreth 19,5 milard lekë, nga 19 miliard që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër është e barabartë me rreth 60% e totalit të eksporteve shqiptare. Përsa u përket importeve, ato kanë qenë rreth 15,5 miliard lekë. Duke vazhduar më tej, edhe për vitin 2004 u reflektua një rritje, por mund të konsiderohet e papërfillshme për më tepër që shifrat krahasohen me vitin 1996. Sipas INSTAT-it, në sektorin e eksporteve të industrisë së veshjeve, pesha specifike e importeve të tekstileve u rrit nga rreth 11%, në vitin 1996, në 12.7% në fund të vitit 2004. Në terma absolute, importi i kësaj kategorie është më shumë se dyfishuar nga rreth 75 milion dollarë në vitin 1996, në rreth 167 milion në vitin 2004. Një tjetër zhvillim i cili mund të konsiderohet interesant është fakti se në këtë kohë filluan të dominojnë importet kineze, nga volume që nuk ekzistonin më parë. Kështu në vitin 2004, importet nga ky shtet për tekstilet kapin shifrën prej rreth 5.5 milion USD. Nuk duhet harruar se rreth 30% e totalit të eksporteve janë në industrinë e lëkurë- këpucës me të ardhura vjetore rreth 100 milion euro dhe se në 99% tregu është Italia, më pak Greqia, por Gjermania shihet si një vend potencial për të thithur eksportet shqiptare, kryesisht në prodhimin e bluzave të pambukta.Industrialistët shqiptarë në gjunjë punëtorit kinezËshtë një fakt, fasonistët shqiptarë të pamundur po i nënshtrohen atij edhe pse në një të ardhme të afërt mund të rezultojë shkatërrues. “Loja kineze”, duket se ka reduktuar ndjeshëm punën e industrisë së fasonit në Shqipëri. Vendet porositëse si Italia apo edhe Greqia po i kthejnë sytë pikërisht nga Kina duke lënë tashmë pak nga pak pas dore Shqipërinë. Administratorja e “Titano Fashion” sh.p.k. Sherife Shehi shprehet se rruga drejt së cilës po shkohet është falimentimi. “Çmimet e prodhimit për çdo njësi pune pothuajse kanë rënë në masën 50%. Lënda e parë për prodhimin e sandaleve, çantave apo edhe rripave vjen nga Italia pastaj qepen e prehen nga punëtoret tona. Në çdo muaj arrijmë të çojmë rreth 50 mijë palë sandale, por tashmë puna ka rënë pothuajse fare”, shprehet Shehi. Sipas saj, porositësi italian ua ka bërë të qartë, që në Shqipëri nuk punohet më pasi forca e punës kushton, ndaj dhe tregu kinez shihet me lakmi. Në këtë fabrikë punojnë rreth 100 punëtorë, paga e të cilëve llogaritet nga 15 mijë në rreth 25 mijë lëkë. Shehi jep alarmin se shteti duhet të ndërhyjë pasi nëse situata vazhdon kështu, për ta do të jetë shumë e vështirë ti rezistojnë tregut. Të gjitha produktet që përgatiten prej tyre, shiten në tregjet e huaja. Tregu shqiptar nuk është destinacioni i tyre. Administratorja e Titano Fashion, thotë se “ne vazhdojmë të punojmë, por çmimet e ulta që ofrojnë fasonistët italianë janë një problem për ne, pasi jemi të detyruar ta reduktojmë punën gjysmë për gjysmë”. Industria e prodhimit të këpucëve në Shqipëri dominohet nga prodhimet për eksport, nën përpunimin aktiv. Të pakta janë kompanitë shqiptare që prodhojnë për tregun vendës, ndërkohë që tregu konsumator vendas furnizohet pothuajse tërësisht nga produktet e importit. Sipas llogaritjeve të ACIT, vetëm 3% e prodhimit vendas nga këto kompani destinohet për tregun shqiptar. Firmat e prodhimit të këtij sektori kryesisht operojnë nën regjimin aktiv, duke u shtuar vlerë produkteve të pjesshme të importuara nga Italia apo Greqia dhe të rieksportuara po në këto vende. Disa prej tyre kanë pronësi tërësisht të huaj, disa janë ndërmarrje të përbashkëta dhe një pjesë e vogël kanë pronësi tërësisht shqiptare. Administratorë të kompanisë Endi sh.p.k. me qendër në Krujë thonë se çmimet janë duke rënë ndjeshëm pasi në lojë ka hyrë edhe India. Në këtë kompani ka rreth 150 punëtorë, të cilët përgatisin këpucë për tregjet italiane, franceze dhe spanjolle. Kapaciteti i kësaj fabrike është 3 mijë këpucë në ditë. “Jemi të detyruar ti nënshtrohemi kushteve që po diktohen, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet të ulim çmimet, pasi në të kundërt do të na bllokohet aktiviteti”, shprehen ata. Por mbijetesës ndaj konkurrencës për fuqinë e punës i shtohen edhe problemet që ka vendi, si mungesa e furnizimit me energji elektrike, apo rritja e çmimit të naftës me të cilën punojnë një pjesë e makinerive, sipas administratorëve të “Endi” sh.p.k. ka sjellë një rritje të kostos me rreth 3%. Cilësia e ulët e infrastrukturës renditet gjithashtu nga ekspertët si një faktor që ndikon në rritjen e kostos së produkteve përfundimtare. Nëse në Shqipëri një pjesë e fabrikave punojnë ende në kushte primitive, vendet e Europës karakterizohen në këtë sektor nga shpikjet, kërkimet dhe zhvillimet bashkëkohore që i dedikohen edhe forcës punëtore, e cila sa vjen dhe bëhet më profesionale. Ndoshta një treg i mirë shitje në këtë situatë për industrinë e lëkurë kupucës do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dhënat operative të shoqërisë Adelchi& Donianna” thonë se ajo eksporton mesatarisht çdo ditë 10 mijë palë këpucë me vulën shqiptare të origjinës drejt SHBA-së dhe pritet që për këtë vit të ardhurat nga shitja të arrijnë deri në 20 milion euro.Humbja e përparësisëTë paktën në Shqipëri ka rreth 55 fabrika të industrisë së këpucëve dhe aktiviteti i tyre prodhues përgjithësisht mbetet i lartë, pavarësisht kërcënimeve nga Kina dhe India që duken në horizont. Në këtë industri janë të punësuar rreth 20 mijë vetë. Ndonëse i vogël, tregu vendas gjatë viteve të fundit është rritur në mënyrë të konsiderueshme, duke treguar një përmirësim në shije e cilësi, tendencën për të shpenzuar në veshmbathje, ndjekjen e modës etj. Fasonistët shprehen se nuk kanë kapacitete e mundësi të mbulojnë tregun vendas, pasi tregtarët kinezë sjellin veshje e këpucë të gatshme të lira. Nga ana tjetër, sipërmarrësit shqiptarë, përveçse nuk kanë kapacitete financiare për të prodhuar vetë, janë të detyruar ti nënshtrohen fasonistëve italianë, të cilët e kanë ulur çmimin për çdo njësi pune. Një gjë e tillë do të thotë të përballesh më rrezikun për të nxjerrë në rrugë punëtorët, pasi kostoja e fuqisë punëtore është mjaft e ulët. E vetmja përparësi që ka vendi ynë, është krahu i lirë i punës, por po tu referohemi të dhënave krahasuese, të nxjerra nga ACIT, paga mesatare e punëtorëve e raportuar nga INSTAT është 14 056 lekë në muaj, 5% më e ulët sesa paga mesatare e ekonomisë në përgjithësi (duke përjashtuar nivelet e të ardhurave në bujqësi). Ndërkohë, paga e raportuar nga kontaktet e ACIT me kompanitë prodhuese në sektorin e prodhimit me fason, shënon vlerën 1 euro/orë, ndër nivelet më të ulta në rajon dhe në vendet në zhvillim. Organizimi dhe administrimi në repartet e punës flasin për rritje të eficiencës së punës të specializuar. Megjithatë paga e një punëtori shqiptar, sipas ACIT, është pothuajse e barabartë me atë të një punëtori në Bullgari, por më e lartë se një punëtor në Indi apo edhe në Kinë, duke bërë që këto dy vende të jenë edhe një rrezik për përparësinë konkurruese të ndërmarrjeve vendase. Ekspertët thonë se Shqipëria duhet të shohë përtej tregut italian. Kështu, Gjermania përdor në tregun e tekstileve forcën punëtore polake dhe rumune, ndërkohë që të dyja këto vende e kanë pagën mesatare rreth 2.9 euro/orë ose rreth tri herë më shumë se një punëtor vendas. Në rrethana të tilla shoqëritë shqiptare për të dalë nga kjo krizë duhet të gjejnë mundësi të reja për të shmangur falimentimin dhe për ta bërë tregun më tërheqës duke synuar në fillim tregun vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.