Pse u rritën çmimet e paketave pa hyrë në fuqi akcizat. Në cilin segment të tregut ndodh abuzimi, te firmat importuese, shitjet me shumicë dhe dyqanet
Ardhja e vjeshtës kur qeveria fillon draftimin e paketës fiskale përkon gjithmonë me rritjen e çmimit të cigareve, pavarësisht se efektet e rritjes së njoftuar të akcizës fillojnë nga data 1 janar e vitit të ri. Ky s’është më as lajm për mediat që, në mënyrë rutinore, e raportojnë vit pas viti, por investigimi i “Monitor” shkon përtej raportimit të rritjes së çmimeve.
Tregu i cigareve funksionon kryesisht në dy modele, importi nga shpërndarësit e autorizuar ose filiale të kompanive ndërkombëtare të regjistruara në Shqipëri për aktivitetin e duhan-cigareve. Këto përbëjnë dhe nivelin e parë të tregut që importojnë në sasi të mëdha dhe paguajnë paraprakisht në doganë gjithë barrën fiskale, përfshirë akcizën dhe TVSH-në që në momentin e zhdoganimit.
Hallkat e mëtejshme të shitjes me shumicë dhe pakicë janë të zhveshura nga ngarkesa fiskale dhe marrin thjesht komisionet e shitjes ose diferencat mes çmimit të blerjes dhe të shitjes pa referuar TVSH të mbledhshme apo të zbritshme. Kjo mënyrë funksionimi përcaktohet nga një udhëzim i ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe vazhdon të jetë në fuqi si një mënyrë e lehtë e mbledhjes së barrës fiskale nga mallrat e akcizës. Akciza prej disa vitesh mblidhet nga doganat për lehtësi menaxhimi fiskal dhe jo nga organi i ngarkuar me ligj, tatimet.
Kjo formë e pagesës së akcizës në avancë dhe jo në momentin e daljes së produktit në treg apo shitjes ka zbehur ndjeshëm efektin fiskal të rritjes së akcizës nga qeveria më 1 janar të këtij viti, sepse sasia kryesore e importit realizohet para hyrjes në fuqi të ligjit, kryesisht tremujorin e fundit dhe akciza paguhet me nivelin para rritjes.
Shifrat e raportuara nga Ministria e Financave tregojnë se në janar të këtij viti janë zhdoganuar vetëm 66 tonë cigare, ndërsa në dhjetor 2013 rreth 9 herë më shumë ose 565 tonë cigare.
Pas importit në fund të vitit, firmat e mëdha krijojnë rezerva dhe më pas gradualisht e shpërndajnë gjatë vitit te firmat e shitjes me shumicë dhe dyqanet dhe efekti fiskal kalon nga buxheti i shtetit te firmat private.
Rritja e çmimeve gjatë ditëve të para të tetorit ka ndodhur, por është i vështirë identifikimi i hallkave, për shkak se firmat e mëdha duhet të raportojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndryshimet në çmime përpara aplikimit. Fakti që është paguar gjithë barra fiskale e kalon rritjen në favor të shitësve të shumicës, pasi shitësit me shumicë e ndryshojnë ofertën në treg, duke e zhvendosur rritjen e çmimeve para hyrjes në fuqi të akcizës.
Me ndryshimet e fundit në ligjin për akcizat të votuar tashmë në Kuvend ulet mundësia e rritjes së importeve jo më shumë se 5% e mesatares mujore nga momenti i votimit të ligjit të akcizave deri në dekretim, por edhe kjo masë nuk pritet të ketë shumë efekte, pasi firmat e cigareve e dinë se në vitet e ardhshme akciza do të rritet në mënyrë të vazhdueshme.
Milo: Po monitorojmë tregun e cigareve
Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë tregun e duhanit, pas sinjaleve për rritje të çmimeve gjatë ditëve të fundit, ka pohuar kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Milo. Ajo tha se politikat fiskale nuk duhet të shërbejnë si pretekst për sjellje abuzive, në dëm të konsumatorëve.
Edhe në fillim të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi një hetim ndaj kompanive të tregimit me shumicë të duhanit, por nuk gjeti fakte për marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar.
Firmat kryesore në treg
Nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, gjatë vitit të kaluar janë identifikuar firmat kryesore në treg dhe është konkluduar një strukturë tregu oligopol. Firmat kryesore janë 6 dhe disa prej tyre janë në top-listën e shoqërive me xhiron më të madhe vjetore.
AGNA Group, me seli në Gjirokastër Vrisera, importon 19 lloje të ndryshme paketash, ndër të cilat peshën më të madhe e zënë paketat e mëposhtme: Karelia Slims (87%), George, Karelia Blue, American Legend etj. Shitjen me shumicë dhe shpërndarjen e paketave të saj kjo ndërmarrje e realizon nëpërmjet shoqërisë ALFA. Shoqëria ALFA ka selinë në Gjirokastër Vrisera dhe zotërohet nga z. Georgios Zoidis (19% të aksioneve) dhe tre aksionerët e tjerë që zotërojnë shoqërinë AGNA Group.
British American Tabacco (BAT), me seli në Tiranë, Rruga e Kavajës, zotërohet 100% nga British American Tobacco International Holdings. BAT ushtron aktivitetin në Shqipëri prej 21 vitesh dhe tregton 26 paketa të ndryshme. Markat të cilat zënë peshën specifike në paketat e BAT janë Rothman Leggera (59%), Kent (25%), Lucky Strike etj. BAT operon në Shqipëri si importuese për shitjen me shumicë dhe shpërndarjen e paketave deri te shitësi me pakicë e realizon nëpërmjet Tabbacco Holding Group (THG).
Japan Tabacco International Tirana, me seli në Tiranë, rruga “Milto Tutulani”, zotërohet 100% nga Japan Tobacco International Holding dhe e ushtron aktivitetin në tregun shqiptar që nga janari i vitit 2011 duke hedhur në treg 35 lloje të ndryshme paketash. Paketa, e cila zë peshën më të madhe është Winston (89%) ndërsa paketat e tjera të importuara nga JTI janë Camel, Monte Carlo etj. JTI importon paketat e mësipërme dhe realizon shitjen me shumicë dhe distribucionin nëpërmjet Marketing & Distribution. JTI, së fundmi ka reduktuar ndjeshëm stafin e saj, duke e rikthyer sërish në zyrë përfaqësimi.
Edhe Imperial Tobacco operon në Shqipëri me statusin e përfaqësisë. Kjo shoqëri ka selinë në Tiranë, rruga “Brigada e 8”. Të gjithë aktivitetin e saj e kryen shoqëria Marketing & Distribution.
Marketing & Distribution, me seli në Tiranë, Kashar, importon, shet me shumicë dhe shpërndan paketat e Imperial Tobacco dhe JTI. Paketa e cila zë peshën më të madhe është Imperial (48%) por kjo shoqëri tregton dhe paketa të tjera si Davidoff, West, LD Blue etj.
Philip Morris Albania, me seli në Tiranë, rruga “Murat Toptani”, ka për objekt të veprimtarisë së saj blerjen, shitjen, eksport-importin e produkteve të duhanit. Kjo shoqëri zotërohet 100% nga Philip Morris S.A. Philip Morris Albania importon 24 lloje të ndryshme paketash, ku peshën specifike e zënë dy paketa Philip Morris (33%) dhe Malboro (44%), por kjo shoqëri tregton dhe LM ASOS, Merit etj. Shitjen me shumicë dhe shpërndarjen e paketave të shoqërisë Philip Morris e realizon shoqëria Inter Distribution Services.
Treg oligopol
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, në vendimin 314 për hetimin e cigareve “tregu i importit të duhanit ka strukturë oligopolistike, pasi në treg operojnë 5 firma të mëdha. Gjatë vitit 2013, në vendin tonë është importuar rreth 1.2% më shumë fije cigaresh krahasuar me një vit më parë. Sasia totale e importuar në 2013 rezulton 3,512,365.6 mijë fije. Subjektet me volumin më të lartë të importeve edhe gjatë vitit 2013 ngelen sërish Philip Morris Albania me 1231767 mijë fije cigare (ose 35.07% të sasisë totale të importuar) dhe Agna me 1,102,724.2 mijë fije ose 31.4% të importeve”.
Në muajt shkurt, mars, maj, korrik dhe shtator sasia e cigareve të importuara gjatë vitit 2012 është më e lartë se ajo e importuar në 2013 (mbi 5000 fije diferencë). Ndërkohë muajt prill, nëntor dhe dhjetor pasqyrojnë sasi më të larta importi për vitin 2013 krahasuar me vitin paraardhës. Dhjetori paraqet dhe muajin me diferencën më të lartë (rreth 22,000 fije) sa i takon sasisë së cigareve të importuar nëse do ta krahasonim vitin 2012 me 2013.
Nga hetimet e Autoritetit të Konkurrencës nuk u gjetën evidenca direkte të bashkëpunimit, si dhe nga analiza e tregut përkatës rezultoi një shkallë e lartë përqendrimi, grupi i punës ka analizuar, nëse kjo fuqi tregu vjen si rezultat i koordinimit të sjelljeve të ndërmarrjeve në tregun përkatës nëpërmjet evidencave indirekte ekonomike dhe/ose të komunikimit.
Duke marrë në konsideratë këtë fakt janë analizuar datat e ndryshimit të çmimit të paketave, të cilat zënë peshën më të madhe brenda një shoqërie që janë paketat: Winston, Imperial, Karelia Slims, Malboro, Philip Morris, Rothman Leggera dhe Kent.
Për sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se secila ndërmarrje ka rritur çmimin e paketave në mënyrë individuale dhe në momente të ndryshme nga njëra-tjetra, çka është vërtetuar dhe nga analiza që u është bërë faturave të shitjes të ardhura nga firmat.
Duhani i dredhur, akciza rritet 200%
Rritje e fortë e akcizës për duhanin e dredhur, ulet në 5% importi në periudhën transitore sa të hyjë ligji i akcizës në fuqi
Nga muaji janar, shtresat më të varfra të popullsisë, kryesisht pensionistët, do të përballen me rritjen më të fortë që kanë parë ndonjëherë të çmimit të duhanit të dredhur. Shqiptarët kishin filluar të zëvendësonin paketat me duhan të dredhur, por ligji i fundit i miratuar nga Kuvendi “Për disa ndryshime në ligjin nr.61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’” ka rritur me 200% akcizën për këtë produkt. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, në raportimin para deputetëve të Ekonomisë dhe Financave, ka deklaruar se për duhanin e dredhur, akciza nga 1 janari do të shkojë në pak më shumë se 31 euro, duke paralajmëruar se do të ketë rritje të tjera në vitet e ardhshme.
“Te pyetja juaj lidhur me duhanin e dredhur, vetë BE-ja në direktivë thotë se minimumi për 1 janar 2015 duhet të jetë 54 euro. Në 2018, 60 euro dhe përsëri në janar 2020, 60 euro, por jo më pak se 50%. Pra, edhe qasja që bën Bashkimi Europian, sa i përket rritjes është graduale dhe e paralajmëruar. Kjo i jep përgjigje edhe pyetjes në lidhje me duhanin e dredhur, i cili me këtë ndryshim shkon në masën 31 euro, në një kohë që minimumi i kërkuar nga BE-ja është 54. Gradualisht, ne po shkojmë drejt këtij minimumi, sepse e kemi detyrim që ta kemi këtë minimum në momentin e anëtarësimit”, u shpreh Mete.
Pyetjes së përse akciza e duhanit të dredhur do të rritet dyfish, zv.ministri i Financave i është përgjigjur se kjo “akcizë nuk është prekur që nga 2002-shi, ndërsa tani u ndryshua vjet, u ndryshua këtë vit e do të vazhdojë të ndryshohet dhe për katër vjet, për t’iu afruar nivelit të BE-së”.
Në fakt, duhani i dredhur në kohën e rritjes së vazhdueshme të çmimit të paketave ka qenë një zëvendësues joperfekt i cigares, por një mundësi më e mirë nga ana ekonomike, me çmime rreth 10 herë më të lirë se duhani i paketuar. Ndërkohë, deputetët kanë deklaruar se duhani me të dredhur shitet në trotuare, në arka, i hapur, me çmimin që e vendos ai që e shet dhe pa asnjë lloj kontrolli cilësie. Edhe paketat pa pullë, sipas deputetëve, shiten 40 metra larg nga Kuvendi i Shqipërisë.
Por akciza do të rritet edhe për cigaret siç ishte paralajmëruar. Në vitin 2015, propozimi është që të shkojë akciza në 5500 lekë për 1 mijë copë, në vitin 2016, duke filluar që nga 1 janari, të jetë 6 mijë lekë për 1 mijë copë, dhe në vitin 2017, duke filluar nga 1 janari, të jetë 6500 lekë për 1 mijë copë.
Rritja e akcizës së cigares do të vazhdojë nga 900 lekë paketa me 20 cigare, në 1100 lekë paketa me 20 cigare dhe për vitin 2016-2017 do të rritet me 100 lekë, të vjetra gjithmonë. Sipas zv.ministres së Shëndetësisë, Milva Konomi “ky ndryshim vjen pasi ky produkt ka kosto të lartë për shëndetin e njeriut, por njëkohësisht është dhe një para që shkon jo me efektivitet dhe harxhohet për konsumatorin”.
Gjithashtu, sipas Konomit, – kjo është edhe në parim me direktivën e Bashkimit Europian që thotë se niveli i akcizës për cigaret duhet të jetë sa 57% e çmimit të pakicës. Në ndryshimin e propozuar, ky nivel mesatar do të rritet në 44.2% për vitin 2015, në 46% për vitin 2016 dhe 48% për vitin 2017, gjithmonë në nivel mesatar.
Importi i cigareve kufizohet me ligj
Ministria e Financave dhe organet fiskale po mundohen të gjejnë instrumentet ligjore që rritja e akcizës të mos përfundojë në xhepat e tregtarëve, por të buxhetit të shtetit. Vitin e kaluar, gjatë tremujorit të fundit, periudhë në të cilën u përgatit rritja e nivelit të akcizave, në muajin tetor, ka një nivel importi rreth 44% më të lartë se mesatarja mujore e vitit paraardhës, në muajin nëntor, importet kanë qenë 50% më shumë se muaji nëntor i vitit 2012, ndërsa muaji dhjetor ka qenë dy herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2012.
Për këtë arsye, financat propozuan një ndryshim në ligj lidhur me përqindjen e mallrave të akcizës që importohen kur ka ndryshime të ligjit të akcizës. Sipas ligjit aktual nuk mund të importohet më shumë sesa 20% e mesatares mujore të vitit paraardhës kur ka ndryshime të ligjit dhe ky kufizim është nga momenti i dekretimit deri në hyrjen në fuqi. Ministria e Financave propozoi që ky kufizim të bëhet 15%, pasi nga eksperienca e vjetshme dhe nga eksperienca e ndryshimeve rezulton se kemi tendencë për importe të shumta përpara se të ndodhë ndryshimi.
Sipas Metes, “me këtë ndryshim 15% nuk arrijmë të ndikojmë dot importet që do të bëhen menjëherë pas botimit të këtij ligji, por kemi mundësi të kufizojmë importet në ndryshimet e ardhshme”.
Por Komisioni i Ekonomisë e ka ndryshuar projektligjin dhe në versionin final është votuar shifra 5% mbi mesataren mujore si kufizim për importet e rritura nga momenti i miratimit të ligjit të akcizës deri në dekretimin e tij.
Ndryshojnë gjobat për kompanitë e cigareve
Pika e dytë e ndryshimit të projektligjit është heqja e gjobave dysheme që parashikon ligji i akcizës, të cilat janë shumë të larta, janë në minimum 1 milion lekë ose 10 mijë dollarë, pavarësisht shkeljes. Nga praktika ka rezultuar që mund të jenë joproporcionale, joefektive në raport me shkeljen.
“Synimi ynë dhe i doganës është që të mund të arkëtojë të ardhurat dhe jo penalizimi apo ndëshkimi përtej asaj që është proporcionale dhe efektive. Kemi ndërmarrë një hap ku në një sërë nenesh praktikisht hiqet ky rregullim dysheme dhe qëndrojnë vetëm gjobat që janë disafish të shkeljes, në pajtim kjo edhe me Kodin Doganor”, – thotë Mete.
Akciza sipas vlerës, jo për njësi
Një ndryshim tjetër i mënyrës së taksimit të cigareve që pritet të sugjerohet në të ardhmen nga Komisioni i Ekonomisë ka të bëjë me mënyrën e vendosjes së akcizës ad-valoren dhe jo për njësi.
Sipas deputetëve një paketë me 20 cigare, që kushton 180 lekë, paguan akcizë sa 61.7% të vlerës, kurse një paketë me 20 cigare, që kushton mbi 300 lekë, paguan deri 36%, pra rreth dy herë më pak. Për më tepër, jo vetëm vendet e rajonit, përveç Republikës së Kosovës, por gjithë BE-ja e kanë akcizën në bazë të vlerës dhe jo në nivel fiks.
Sipas deputetëve, brenda një periudhe afatshkurtër të zbatohet ky parim: cigarja e shtrenjtë, natyrisht, që duhet të paguajë më shumë akcizë, sipas logjikës që funksionon sot në të gjitha vendet e rajonit, madje edhe ato të BE-së, duke ndjekur atë trend të rekomanduar nga BE-ja për tarifimin e duhanit, patjetër me çmime të deklaruara.
Madje, z. Braçe, si kryetar i Komisionit, ka deklaruar se duhet të detyrohet koncesionari i Pullave Fiskale që në pullën fiskale të jetë edhe çmimi i paketës, në mënyrë që të mos abuzojë më kurrkush me çmimin e paketës. Kjo është një masë shtesë që bën të shkojmë përpara edhe për atë që thashë më parë: për fiskalizimin më të mirë të tregut të duhanit dhe për arkëtimin e të gjitha vlerave të transaksioneve që parashikohen me ligj në buxhetin e shtetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.