Situata me financat e vendit sa vjen dhe bëhet akoma e më komplekse. Pritja e madhe për rezultatin e privatizimeve, tek katër HEC-et dhe “Albpetrol”-i, duket se po venisin euforinë e Ministrisë së Financave, se në vjeshtë do të kemi lajme të mira. Muaji gusht u mbyll me minus 120 milionë dollarë në raport me planin dhe me ritmin e deritanishëm totali i të ardhurave për 2012-n mund të dalë me deficit të paktën 200 milionë dollarë. Sakaq, borxhi vijon të mbetet i lartë, madje edhe në rishikimin e parametrave në muajin gusht, qeveria vendosi të rrezikojë, duke e mbajtur pranë pragut të lejuar, 60 për qind (59.9 për qind) të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ardhja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) këto ditë në Tiranë po analizohet me shumë kujdes nga ekspertët e fushës, në pritje të zhvillimeve rreth planit të ri të buxhetit të shtetit për vitin 2013.
Meraku qëndron te fushata e ardhshme elektorale, pasi në të shkuarën qeveritë nuk janë treguar dhe aq të kujdesshme për menaxhimin e shpenzimeve, duke rrezikuar kështu borxhin publik, siç është rasti i vitit 2009, kur deficiti kapërceu afër shifrës rekord 90 miliardë lekë. Kjo shkaktoi rritje të borxhit publik, nga 54.7 për qind në 59.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
FMN ka nisur një valë takimesh, kurse misioni kësaj here përmban elementë të veçantë. E para, për shefin e misionit, Nadem Ilahi ardhja në Shqipëri përkon me mandatin e parë, duke zëvendësuar Gerwin Bell. E Dyta, qeveria nuk është treguar korrekte me disa rekomandime te FMN-së, për rrjedhojë pritet me interes të mësohet përballja mes palëve në konferencën e përbashkët për shtyp. E treta, ndryshe nga herët e tjera, FMN është treguar me e kujdesshme me qëndrimet e saj karshi raporteve me opozitën dhe se diskutimet e deritanishme kanë prodhuar një tjetër marrëdhënie.
Rekomandimet
Meraku i FMN vijon të mbetet borxhi publik. Konferenca e fundit me shefin e misionit, kur Bell drejtonte zyrën e Tiranës, paraqiti një panoramë kompromisi mes palëve. Ministri Bode kishte pranuar ta ulte gradualisht borxhin publik brenda vitit 2014 deri në 55% të PBB-së, kurse për realizimin e të ardhurave do të vendoseshin objektiva më realiste. Po ashtu, palët kishin rënë dakord për një kujdes më të madh në rishikimin e buxhetit.
Për fat të keq, asnjë nga këto “marrëveshje” nuk u plotësuan, përjashto një reduktimi të planit entuziast nga 10 për qind, në 7 për qind të rritjes vjetore të të ardhurave tatimore. Nga takimet e deritanishme me krerët e lartë të institucioneve financiare pak informacione kanë dalë në dritë, por një fakt është vërtetuar. Plani i rishikimit të buxhetit nuk është diskutuar për momentin nga Ministria e Financave dhe FMN-ja.
Shefi i misionit është treguar aktiv me takimet me aktorë të ndryshëm të politikës, duke nisur me anëtarët e komisionit të ekonomisë, duke i testuar sa i takon situatave të ndryshme. Fokusi vijon të mbetet borxhi, nëse do të ulët dhe çfarë pasojash shkakton ndryshimi tij.
Me shqetësim shikohet çështja e shpenzimeve. Për vitin e ardhshëm qeveria do ta rrisë dozën e investimeve, pasi planifikon të hedhë për infrastrukturën afro 70 miliardë lekë, ose 3 miliardë lekë më shumë se viti 2012.
Vit negativ
2012-a nisi keq, por zyrtarët e qeverisë deklaruan se duhet të priteshin periudhat e tjera në vijim, pasi në mesin e vitit do të kuptohej qartë se si do të shkonte ekonomia. Rritja e PBB-së si tremujorin e parë rezultoi negativ me minus 0.2 për qind.
Situata negative vijoi edhe në muajt e ardhshëm, madje edhe në sezonin e verës, ku bumi turistik pritej të sillte më shumë të ardhura në buxhet, aq sa të përmirësonte bilancin dhe përmirësimin e raportit.
Të dhënat deri në muajin gusht, tregojnë se për shkak të mungesës së të ardhurave, afro 12 miliardë lekë më pak se plani, kanë detyruar qeverinë t’i ulë investimet publike me rreth 17 për qind. Sipas raportit fiskal të Ministrisë së Financave për periudhën janar-gusht 2012, shpenzimet buxhetore kanë rënë lehtë me 170 milionë lekë me bazë vjetore.
Si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave me rreth 3.7% dhe mbajtjes së shpenzimeve në të njëjtin nivel me 2011-n, deficiti buxhetor ka shënuar një tkurrje me 27% (8.1 miliardë lekë) për janar-gusht 2012, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Paktet”
Ulja e borxhit, parashikimi realist i rritjes vjetore të të ardhurave, kujdesi me shpenzimet (kryesisht ato për paga dhe pensione), apo edhe ato për rritjen e disa taksave, janë të gjithë “marrëveshje” mes FMN-së dhe qeverisë, të cilat nuk janë respektuar
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.