Sipas disa raporteve të mediave vendase, policia serbe izoloi dhe rrethoi zonën me mbetje toksike. Në këtë drejtim ka pasur edhe arrestime për zbardhjen e ngjarjes. Sipas të dhënave të policisë janë hedhur rreth 25 tonë mbetje në një zonë private.
“Ky është vetëm fillimi i një operacioni të gjerë që do të zhvillohet jo vetëm në Beograd, por në të gjithë Serbinë”, u shpreh për televizion shtetëror (RTS), kryebashkiaku i Obrenovacit, z. Miroslav Cuckoviq.
Ai tha më tej se do të kontrollojnë të gjitha vendet ku gjenden mbetjet toksike dhe mbi të gjitha, për personat që i kanë hedhur ato.
Ndërsa Ministria e Mjedisit njoftoi se në të gjithë vendet ku u gjetën mbetjet toksike, po bëhen analiza të hollësishme për të parë nëse ndotja që ka marrë toka është e niveleve të larta apo jo.
Ministri i Mjedisit, Goran Trivan, tha se mendohet se u veprua në kohë për të shmangur një katastrofë ekologjike, edhe pse ai nuk dha detaje të mbeturinave të hedhura. Megjithatë, kanali televiziv N1 raportoi se substancat e hedhura përmbajnë benzen, i cili përdoret gjerësisht në një sërë produktesh si plastika, ngjyruesit, tretësit, benzina apo edhe detergjentët.
Për Serbia, e cila po negocion mbi anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, situata nuk duket aspak premtuese, sepse përballja me probleme si ndotja e lartë e mjedisit apo një situatë ekonomike e pasigurt, janë të rënda.